Policia në Gjilan shqiptoi 1,994 gjoba brenda një jave, hetoi 59 aksidente trafiku
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar kontrollet në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 1,994 gjoba gjatë periudhës 24–30 korrik 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 40 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 19 aksidente me persona të lënduar, ndërsa janë ndërmarrë edhe masa ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë shkelur rregullat e komunikacionit.
Në kuadër të kontrolleve, policia ka shqiptuar 29 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë dhe 37 gjoba për përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes. Po ashtu, 62 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të automjeteve motorike për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
“Uleni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit, respektoni sinjalistikën rrugore dhe tregoni kujdes ndaj këmbësorëve. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Policisë së Gjilanit./rajonipress/


