Policia e Kosovës konfirmon kërcënimin nga “Xhemati i Xhihadit”
Policia e Kosovës ka marrë kërcënime nga një organizatë fantome, që veten e quan “Xhemati i Xhihadit”.
“Çdo informacion i cili pranohet në Policinë e Kosovës, qoftë përmes mediave të shkruara apo elektronike, Policia e Kosovës e merr në trajtim”, ka konfirmuar shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.
Mediat vendore bëjnë të ditur se kërcënimi i dërguar përmes postës elektronike ka të bëjë me arrestimin e gjashtë personave, “nën dyshimet për terrorizëm”, e për të cilët kërkohet lirimi i menjëhershëm.
Arrestimin e tyre policia e ka konfirmuar me datën 6 nëntor, në një komunikatë shtypi, duke thënë se arrestimet janë bërë “nën dyshimet për kontrabandim armësh dhe veprash të tjera penale”.
Katër nga të dyshuarit janë nga Gjilani, kurse dy të tjerët nga Prishtina.
“Nga gjashtë të arrestuarit ekziston dyshimi i bazuar se dy prej tyre ndërlidhen edhe me rastin e sulmit fizik ndaj dy shtetaseve të SHBA-së të ndodhur me datën 3.11.2013 në Prishtinë. Gjatë zhvillimit të këtyre hetimeve ka pasur një bashkëpunim të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në komunikatën e 6 nëntorit, të lëshuar nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës kërcënohet nga “Xhemati i Xhihadit”
Policia e Kosovës është kërcënuar me sulme. Përmes një komunikate kërcënuese që ka ardhur në adresë të mediave nga e-maili xhemati-xhihadit@hotmail.com, Policia është kërcënuar me “sulme të dhimbshme”.
Siç raporton gazetarja e Noa.al në Prishtinë Tinka Kurti, kërcënimi i ashtuquajtur “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë”, i drejtohet Policisë së Kosovës se nëse nuk i liron gjashtë të arrestuarit, do të përballet me sulme.
“Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë paralajmëron Policinë Terroriste të Kosovës, se “Në qoftë se nuk i liron Vëllezërit tanë të dashur sa më parë, do të përballen me sulme të tmerrshme dhe të dhimbshme. Padyshim, ne kemi burra të cilët e duan vdekjen më shumë se sa ju jetën e kësaj bote. Është ushtria e Allahut e cila do të triumfoj dhe ajo e Brankoviqit e cila do të mbytet në gjakun e tyre”.
Më tej ata citojnë pjesë nga libri i Kur’anit, “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” Surja Ahzab, Ajeti 23. Komunikata është nënshkruar nga “Batalioni i Mediave”.


