Policia e Gjilanit shqipton mbi 1,600 gjoba për një javë, një aksident me fatalitet nën hetim
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë shqiptuar 1,683 gjoba gjatë periudhës 28 gusht – 3 shtator 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Gjatë kësaj periudhe, autoritetet kanë hetuar gjithsej 30 aksidente trafiku, prej të cilave një me pasoja fatale, 17 me dëme materiale dhe 12 aksidente me persona të lënduar.
Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara, policia ka shqiptuar edhe 39 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë dhe 32 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
Po ashtu, 54 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të ulin shpejtësinë.
“Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”, thuhet në apelin e policisë, e cila kërkon nga ngasësit të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit, të respektojnë sinjalistikën dhe semaforët, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët, ka theksuar Policia e Gjilanit./rajonipress/


