Policia e Gjilanit shqipton 1,966 gjoba brenda një jave, heton 72 aksidente trafiku
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 31 korrik – 6 gusht 2026, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, kanë shqiptuar gjithsej 1,966 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar 47 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 25 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 14 gjoba për shkaktim të zhurmave gjatë natës, 26 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, si dhe 79 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave. Ndërkohë, 53 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon te qytetarët dhe subjektet afariste që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shmangin veprimet që shkaktojnë zhurmë të panevojshme gjatë orëve të natës, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë qytetarët./rajonipress/


