Policia e Gjilanit interviston një mjeke nga Kllokoti, për lëshim të dokumenteve mjekësore false
Gjilan – Departamenti për krime të rënda në Gjilan ka intervistuar një mjeke nga Kllokoti, e cila ka pajisur me vërtetime false mjekësore votuesit serb, sipas direktivave të Listës serbe, veprim ky që ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor në këtë komunë.
Në Komunën e Kllokotti situata duket shumë dramatike meqë bëhet fjalë për ndërhyrja flagrante në procesin zgjedhor.
Ishte kandidati shqiptar Arbër Emini, që e alarmojë i pari këtë dukuri të pajisjes me vërtetime false, por institucionet kosovare heshtën.
Sot ndërkaq policia e Gjilanit ka intervistuar një mjeke nga Kllokoti, e cila ka lëshuar vërtetime false për votuesit me asistencë, gjë që ka shkaktuar ndërhyrje të rëndë në procesin zgjedhor.
Veprimet hetimore që janë nisur nga Prokuroria e Gjilanit i ka konfirmuar për rajonipress kryeprokurori Arben Kadriu, sipas së cilit policia ka nisur veprimet hetimore, ndaj çdo rasti të dyshuar për shkelje të procesit zgjedhor në Kllokot.
Ndaj kësaj dukurie ka reaguar edhe Arbër Emini kandidati i vetëm shqiptarë i cili në rrjetet sociale ka shkruar se veprimet e Serbisë për orkestrimin dhe detyrimin e shumë qytetarëve që të pajisen me vërtetime false mjekësore, janë ndërhyrje e jashtme dhe bie ndesh me parimet demokratike dhe me të drejtën e qytetarëve për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Institucionet e vendit duhet të reagojnë menjëherë.
“Serbia nuk po ndalet së ndërhyri në punët tona të brendshme në Kllokot. Serbia ka cenuar rendin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës duke ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor. Shumë qytetarë serb (votues) janë detyruar nga Serbia e cila që ka orkestruar votat me asistencë nëpërmjet Listës Serbe, vetëm për të votuar sipas direktivave të Beogradit dhe ta kontrollojnë votën e qytetarit” ka shkruar Emini./rajonipress/


