Policia blen derë 1.340 euro
Nuk ishte vërejtur hyrje me dhunë në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë, kur ishte zbuluar se ishin vjedhur 25 kilogramë ari.
Dera ishte hapur vazhdimisht me çelës, e ari ishte vjedhur në mënyrë sistematike.
E përgjegjëse për çelësa ishte Ryve Lokaj, e cila ndodhet në paraburgim, shkruan koha.
Dy muaj pas këtij skandali Policia e Kosovës ka marrë “masa” që në dhomën e dëshmive në Drejtorinë Rajonale në Pejë të mos ndodhin vjedhje më si ajo e arit.
Policia ka blerë një derë me kod me anë të një tenderi të hapur, kontrata e së cilës do të nënshkruhet sot.
1.340 euro ka kushtuar kjo derë që do të vendoset në dhomën e dëshmive.
Tenderin e ka fituar operatori ekonomik G.F.I.IK më 27 korrik, që ka qenë më i liri nga të gjitha ofertat.
Ndërkohë, bëhet e ditur se është zgjeruar lista e të dyshuarve për vjedhjen e arit në Pejë.