Prishtinë – Kryeministri, Hashim Thaçi, ka njoftuar Kuvendin e Kosovës për takimin e fundit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, si dhe për marrëveshjet e arritur
Thaçi tha se implementimi i marrëveshjes së IBM-së ka filluar tani e dy ditë dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje sipas Thaçit është de facto dhe de jure njohje e shtetit te Kosovës nga ana e Serbisë. Thaçi. PDK-ja e përkrahi atë që tha kryeministri dhe i dha mbështetje atij në vazhdimin e procesit të bisedimeve.
Ndërkaq, LDK-ja i quajti të pamjaftueshme informatat e dhëna nga kryeministri dhe kërkoi që marrëveshjet të sillen të shkruara në Kuvend. Menjëherë reagoi kryeministri, i cili tha se gjithçka është e qartë dhe do të respektohet plotësisht rezoluta e Kuvendit. Ai ripërsëriti se Kosova do të funksionojë si një zonë doganore.
Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se dialogu po e demaskon vetveten dhe si i tillë dialogu është shumë i dëmshëm për Kosovën. AAK-ja kërkoi nga Qeveria që të jetë e kujdesshme, duke insistuar në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, në mënyrë që procesi të mund të ecë më tutje. Gjatë debatit, kreu i qeverisë dhe lideri i Vetëvendosjes shkëmbyen akuza të shumta ndaj njëri –tjetrit, raporton KTV.
Pas fjalimit të Kurtit i cili tha se kryeministri Thaçi, bënë patriotizëm në Shqipëri duke e ngritur flamurin kombëtarë, ndërsa në kufi me Serbinë nuk guxon ta bëjë atë, ka reaguar kryeministri duke i bërë Kurtit pyetje krejt personale. Ai ka pyetur Kurtin, ai si patriot që tregohet pse nuk shkon që flamurin kombëtarë ta ngrit në Vlladimir në Mal të Zi ku ai e ka vendlindjen.
Ndërsa përgjigja e Kurtit ka qenë se atij vendi nuk i thuhet Vlladimir por i thuhet Katërkollë, dhe se ai e as babai i tij nuk e kanë vendlindjen atje.
“Unë kam lindur në Prishtinë”, ka thënë Kurti.
Më pas, ka folur Thaçi.
“Kurrë nuk e përmendet vendlindjen tuaj. Ai që e mohon vendlindjen e vet, e mohon edhe kombin e vet”, ia ka kthyer kryeministri.
Kryeministri po ashtu ka akuzuar deputetin e Vetëvendosjes, Liburn Aliun, se e ka fshehur armën gjatë luftës dhe iu ka dorëzuar policisë serbe.
Akuzat janë mohuar nga Aliu, sipas të cilit, arrestimi i tij ka ndodhur në Ulpianë.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka bërë thirrje për debat televiziv kryeministrit Hashim Thaçi.