Eko Higjiena

Poezia e Bajram Kosumit

/ 14 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Merxhan Avdyli – Po rrjedhë dekada e katërt që Bajram Kosumi është aktiv në jetën kulturore dhe politike shqiptare. I njohur si poet, publicist, studiues i letërsisë, politikan, burrështetas, mësimdhënës, me një karakteristikë të përbashkët për të gjitha veprimtaritë: i suksesshëm. Deri tash ka botuar disa libra nga fusha e studimeve letrare, publicistika, poezia dhe gazetaria. Kosumi u takon atyre personaliteteve të rralla shqiptare, për të cilët kurrë nuk mund të thuash se është më i suksesshëm në këtë apo atë lëmi.

Por, ne do të ndalemi vetëm te poezia e tij, te disa segmente të cilat përshkojnë poezinë e tij dhe të cilat me gjithë kuptimet e tyre të këndshme apo të pakëndshme, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, përdoren në funksion të shquarjes së identitetit.

Kosumi ka botuar një varg poezish në gazeta e revista të ndryshme. Ka botuar një libër poetik të përbashkët, në vitin 1991, “Libri i Lirisë”,1 me të cilin bashkë me katër poetë të tjetër, është prezantuar me sukses, sepse ky libër poetik është pritur mirë nga lexuesi, por edhe nga kritika letrare.

“Fjalor i Barbarëve” është libri poetik i Kosumit, i botuar në vitin 2000, i cili po kështu është pritur mirë nga lexuesi dhe studiuesi shqiptar.
Libri poetik “Fjalor i Barbarëve” është ribotuar në vitin 20094 dhe është përcjellë nga një studim i gjatë i Ismail Sylës.

Ribotimi i “Fjalorit të Barbarëve” ka pësuar mjaft ndryshime, sepse është plotësuar me një varg poezish të reja të shkruara pas luftës në Kosovë. Edhe ky botim ka pasur një pritje të mirë në publikun lexues, por edhe në qarqet studiuese. Vlerat letrare, artistike dhe estetike të poezisë së Kosumit i kanë veçuar, i kanë shquar dhe i kanë afishuar një varg studiuesish të poezisë moderne shqipe si Sabri Hamiti, Agim Vinca, Ismail Syla, Myrvete Dreshaj – Baliu, Arben Hoxha, Basri Çapriqi, Agim Morina, Arsim Halili, Merxhan Avdyli e ndonjë tjetër.

Poezia e Bajram Kosumit paraqet një risi në poezinë shqipe. Kosumi e ka krijuar një sistem origjinal poetik, ndërkaq poezia e tij karakterizohet për poetizimin e ideve të forta dhe të mëdha. Në këtë dritë poezinë e Kosumit do ta vështrojmë nga këndi i një koncepti, i cili ka një shtrirje të gjerë në poezinë e tij, por i cili qoftë edhe si shenjë, qoftë edhe nga bashkëlidhja e tij nëpërmjet figurave stilistike, vihet në funksion të identitetit kombëtar – robëria. Nga i njëjti prizëm do ta vështrojmë edhe konceptin tjetër që është gjithnjë në të njëjtin funksion – barbarët.

Ndonëse nocioni i robërisë është një shprehje antitetike e nocionit të lirisë, te poezia e Kosumit paraqitet si një nocion i cili në shtrirjen e tij fiksionale dhe figurative shpërfaq kryesisht anën e kundërt të saj, si dhe tendencën e vazhdueshme për të dalë nga ajo. Këtë tendencë autori e paraqet, jo vetëm nga segmenti i tij jetësor e personal, por edhe nga segmenti i shtrirjes hapësinore në të cilin është ndodhur atdheu i tij në një kohë të caktuar historike.

Në këtë mënyrë fati i Kosumit është i lidhur me fatin e atdheut, me lirinë të cilin gjakon, me robërinë të cilën e sfidon në mënyra të ndryshme, por në asnjë çast duke u lektisur. Ai, edhe në gjithë vargun e tij në të cilin sipërfaqësohet robëria e atdheut apo në të cilat sheshohen mangësitë e fuqisë së atdheut për të qenë i lirë nuk lektiset, nuk është patetik, ai në këtë dritë është shumë racional. Madje, racionaliteti i tij vihet re edhe në përdorimin e figurave stilistike, të cilat nuk kanë masë tejkaluese, apo shpërdoruese, siç ndodhë me një pjesë të poezisë së këtij tipi, përkatësisht me poezinë me bazë identitare, apo më thjeshtë me poezinë atdhetare.

Efektet e poezisë së Kosumit arrihen nëpërmjet figurave të ndryshme, veçanërisht nëpërmjet metaforës, krahasimit, ironisë, simbolit dhe personifikimit, që janë njëherësh edhe shtyllat kryesore mbi të cilat mbahet poezia e Kosumit, pavarësisht motiveve, temave dhe ideve të cilat ai i shtron dhe i realizon.

Te poezia e Kosumit nocioni i robërisë, është shenjë e cila në esencë shpërfaq funksionin e lirisë, bashkë me të gjitha shenjat e tjera përcjellëse.

Robëria në poezinë e Kosumit, në fakt paraqet një nocion testues antiindentitar, por i cili në këtë mënyrë shfaqet si një nocion kryekreje në funksion të identitetit tonë historik e kombëtar. Kosumi këtë e arrin me një lehtësi, pavarësisht vargut që përdor, pavarësisht figurave të cilat i fut në funksion të idesë poetike.

Robëria individuale dhe kolektive në poezinë e Kosumit jo rrallë shkojnë në një vijë paralele dhe që të dyja mëtojnë të kenë një emërues të përbashkët, nocionin antitetik të robërisë – lirinë.

Poezia e Kosumit, në vazhdimësi shpërfaq paralelizmin antitetik robëria-liria, i cili si i tillë përshkohet nga një paralelizëm tjetër, por që është pajtues: individi-kolektivi, e që së bashku përvijojnë të gjitha aspektet dhe format e identitetit. Studiuesi i letërsisë Sabri Hamiti, duke folur për poezinë e Kosumit ka hetuar pikërisht segmentin e identitetit. Ai duke e cilësuar poezinë e Kosumit si të kryer, të kristaltë, intelektuale dhe moderne, thotë se ai përmes ideve poetike “artikulon identitetin e vet njerëzor dhe veprues” se e “mbron të drejtën e mendimit dhe të veprimit personal nëpërmjet gjetjes së këtij identiteti në historinë kolektive të kombit”.

Poezia “Ode për librat e bibliotekës sime”, që është njëra prej poezive më të realizuara të Kosumit, është shembulli më i mirë për të paraqitur idenë të cilën e shtruam më lart.
Poezia, e cila paraqet një reminishencë nga koha e burgosjes së autorit, që në fakt paraqet edhe burgosjen, robërimin e tërë një kolektiviteti, robëruesin dhe të robëruarin, që janë dy anë të kundërta i paraqet, përmes veprimeve (arrestimi), të cilat karakterizojnë edhe tiparet e tyre apo përmes sendeve konkrete (libri, automatiku), që po kështu tregojnë tiparet dhe karakteret e vepruesve, përkatësisht të veprimeve të tyre. Është kjo një poezi, e cila sipas studiuesit Ismail Syla “është një paradoks që paraqet një kundërshti në mes të dy botëve”.

Kur më arrestuan

Librave të bibliotekës sime
Në gjoks automatikun ua vunë,
Si futën me dashakeqësi në thes
Si paratë e vjedhura në bankë.

Uji Dea

Por, Kosumi nuk ndalet me kaq, ai duke e zhvilluar edhe më tutje idenë poetike, duke ngushëlluar veten për qëndrimin e tij në burg, shprehet:

Atje poshtë, në ferr
E ndjeja veten më të qetë para vdekjes.
Kur e dija që aty afër në një qeli
Qëndronin burrërisht Brehti, Koperniku, Marksi, Hikmeti
Odiseja që e kisha lexuar gjashtë herë
Krejt kompleti i Kadaresë
Khajami, Hamleti…
Dhe kushedi
Sa e sa shekuj të tjetër!

Ai, gjithashtu në kuadër të konkretizimit të ideve poetike, të kësaj natyre, ka realizuar edhe vargje të cilat vetëm sa e nxjerrin në pah dhe e përforcojnë identitetin kolektiv të personifikuar dhe individualizuar, sikurse te vargu: “Kur e arrestuan bibliotekën time më 1981” (poezia “Post scriptum për Bertold Brehtin”); apo edhe më bukur te vargjet: “Kryengritjen e Spartakut e bëra unë, … Një shekull të kalbur, bashkë me Ropespierin / E rrëzova… / Kam marrë pjesë në mijëra demonstrata… / Lufta/ Revolucione… / Që nga Antika deri në ditën e sotme” (poezia “Mbrojtja ime”)

Bajram Kosumi, duket një gjetës i mirë i shprehjeve letrare, poezia e të cilit shquhet për një fjalës artistik dhe estetik, ai po kështu është edhe një shprehës dhe sublimes i shkëlqyeshëm edhe i mendimit filozofik dhe jetësor, që duke shfaqur fillimisht idetë rrezatuese poetike di të shtrojë temën të cilën në mënyrën më të mirë e përthekon me realizmin e plotë të një tërësie poetike. Në këtë dritë do të mund të thoshim se mënyra e shkrimit dhe e realizimit të ideve poetike te Kosumi, ka një ngjashmëri me mënyrën e shtrimit dhe të realizimit të ideve poetike te Ismail Kadare.

Kjo nuk do të thotë se është ndikuar nga ai, sepse përkimet mund të jenë të rastësishme, për shkak të vizioneve identike, apo pikëpamjeve të ngjashme mbi dukuritë e ndryshme shoqërore, apo mbi botën përgjithësisht, gjithsesi edhe kundrimet poetike, sidomos të poezive të natyrës për të cilën jemi duke folur, pra të poezive që kanë një themel identitar, të shqiptuara përmes një qasjeje tjetër, do të thoshim kushtimisht antiidentitare, por që është në funksion të plotë të identitetit, përbashkësia e tyre është e dukshme.

Madje, edhe njëri, edhe tjetri, mbase pahetueshëm, me ose pa qëllim, arrijnë që idetë e tyre fillestare poetike që janë më të forta sesa poetike, t’i zhvillojnë edhe në zhanret e tjera letrare, të sublimuara deri në përsosje. Në këtë aspekt krahasues, nuk do të ndalemi te krahasimi sepse kjo do të duhej të ishte një temë e veçantë studimi, por sidoqoftë mund të themi se poezia e Kosumit dhe ajo e Kadaresë kanë afërsi në mënyrën e shtrimit të idesë poetike, pra në pikënisje, në shkoqitjen e idesë, si dhe në sublimin e idesë, përkatësisht në mënyrën e realizimit.

Ajo çka e veçon poezinë e Kosumit nga e gjithë poezia moderne shqipe, është se pothuajse asnjë poezi e Kosumit nuk ndërtohet mbi idetë apo mbi mendimet e papërfunduara, të paplota, të parealizuara. Mund të ketë nënkuptime, nëntekste por me një plotësi rrallë të realizuar në poezinë shqipe e bartë më vete poezia e Kosumit. Madje, studiuesi i letërsisë Ismail Syla poezinë e Kosumit e karakterizon si një “art të ideve të forta”.

Shpërfaqja e identitetit individual, kolektiv, historik, kombëtar, madje edhe politik, pse jo, në poezinë e Kosumit, nëpërmjet konceptit të robërisë ose nëpërmjet koncepteve të cilat derivohen nga robëria, bartë në vete postulatin kryesor, sublimativ antitezën e robërisë – lirinë: lirinë individuale, kolektive, historike, kombëtare e politike. Pra, robëria në poezinë e Kosumit është kryekreje në funksion të identitetit nacional, në rend të parë, por edhe të identiteteve të tjera të sipërtheksuara. Në këtë aspekt do të thoshim se vetë koncepti i robërisë, por edhe derivatet e saj janë të veçanta dhe dallohen nga e gjithë poezia e sotme shqipe, që nga kapja e idesë fillestare, shtrirja e saj, figuracioni, e deri te realizimi. Studiuesja e letërsisë Myrvete Dreshaj-Baliu te poezia e Kosumit e ka hetuar edhe një veçanti tjetër unike “përvijimin e unit të ndjeshëm”,13 siç shprehet ajo, i cili “del shpesh si shkrim sublim i ideve për qëndresën individuale dhe
njerëzore, për artin poetik dhe të bukurën, për vetë natyrën e poezisë si përkushtim poetik, deri në identifikim”.

Ndonëse vetë robëria paraqet një rëndesë historike, një vështirësi të ruajtjes së identitetit përgjithësisht, qasja e Kosumit ndaj këtij koncepti, mënyra e paraqitjes së saj, ballafaqimi i saj me nocionin e lirisë apo derivatet e nënkuptueshme të lirisë, si kundërshtimi individual dhe kolektiv i robërisë, e mbizotërojnë atë duke e robëruar atë: “Pushtimi im madhështor është vendosur”, shprehet Kosumi në një varg antologjik të poezisë “I frikësohem pushtimit të Trojës”.

Koha e robërisë, ku barbaria e tmerrshme rrinte midis nesh, ka arritur të krijojë një vizion të thadruar në indin poetik të Kosumit, i cili gjithë barbarinë në mesin tonë, jo vetëm kombëtar, por edhe njerëzor e zhvesh nëpërmjet fjalës poetike, forcës së figurave poetike, të cilat nuk janë thjesht vetëm shprehje të bukura të cilat lexohen lehtë e shpejtë, kuptohen a s’kuptohen drejt, por të cilat në rend të parë të mbesin në mendje si një reminishencë tronditëse, si një kujtim i cili nuk shlyhet nga mbamendja, për shkak të efekteve goditëse që ka poezia e tij, që pos poezisë është një filozofi e tërë jetësore dhe praktike, e parë, e dëgjuar dhe e përjetuar. Edhe në këtë segment Kosumi dallon edhe nga poetët e tjerë.

Kosumi, edhe pse është një gjetës i mirë i shprehjeve letrare, edhe pse shquhet për një fjalës artistik dhe estetik, megjithatë është një shprehës dhe sublimes e shkëlqyeshëm edhe i mendimit filozofik dhe jetësor, që duke shfaqur fillimisht idetë rrezatuese poetike di të shtrojë temën të cilën në mënyrën më të mirë të mundshme e përthekon me realizmin e plotë të një tërësie poetike. Te poezia e Kosumit, prandaj nuk ka ide as mendim të përgjysmuar. Mund të ketë nënkuptime, nëntekste por me një plotësi rrallë të realizuar në poezinë shqipe.

Ndonëse poezia e Kosumit është shtruar në faza të ndryshme, para, gjatë dhe pas daljes nga burgu, ku koncepti robëri ka bashkëjetuar me autorin, një pjesë tjetër e poezisë së tij është shkruar, madje edhe herë-herë pjesërisht edhe është rishkruar, pas fitores së lirisë, kur koncepti robëri është vetëm një reminishencë, ndërsa vetë robëria është një rudiment, megjithatë poezia e Kosumit e ka ruajtur një koherencë, një origjinalitet, bashkë me dimensionet e saj të qëndrueshme intelektuale, ideore dhe konceptuale.

Në këtë aspekt poezia e Kosumit e ka edhe një veçanti tjetër, e cila do të duhej theksuar këtu, për shkak të mundësive më të mëdha të kuptimit edhe më të plotë të poezisë së tij, por edhe për shkak të interpretimeve më reale për konceptet themelore etike dhe estetike që bart në vete kjo poezi. Koha dhe hapësira e shkrimit të një pjese të madhe të poezisë të Kosumit janë specifike. Është burgu (sërish robëria edhe si koncept poetik), si një element ndikues i kësaj poezie. Por, specifike është koha e pasburgut, realiteti i tmerrshëm i jetuar dhe i përjetuar në Kosovë gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar.
Poezia e Kosumit nuk rënkon për këtë realitet jetësor, por pjesën më të madhe të shtresës së të tij e ka në brendi të saj.

Pra, duke e pasur parasysh se një pjesë e madhe e poezive të Kosumit janë shkruar në kushte specifike, në rrethana shumë të ashpra, të pakëndshme dhe tepër rigide të jetës – në burg, kundrimi ndaj kësaj poezie do të duhej të ishte specifik dhe i shumanshëm. Koha në burg pothuajse është kohë ideale për të shkruar, po qe se të lejojnë kushtet. Sepse, pjesën më të madhe të kohës në burg, e ke të lirë (ja antiteza robëria – liria) dhe gjithë ajo kohë në atë hapësirë të çuditshme për t’u kaluar është shumë e përshtatshme për të gjetur një si fole mbretëresha e artit poezia. E ka gjetur edhe poezia e Kosumit në intelektin e tij, ndonëse jo rrallë nëpërmjet nocionit të robërisë, por që është absolutisht në funksion të identitetit.

Një frymë e përgjithshme poetike, një përfshirje përshkuese intelektuale, një kapje totale e përbërësve të përgjithshëm jetësorë, një universalizim i jetës shqiptare, janë elementet përthekuese të gjithë poezive Kosumit, me ide të shtruara dhe të realizuara artistikisht, estetikisht dhe në këtë dritë saktësisht. Sublime në robëri edhe kur shkruan për robërinë, sublime në liri, kur poezia e tij e bënë jetën të lirë dhe kur ndonjë varg i tij i kthehet robërisë për ta pushtuar, madhështia pushtuese e të cilit tashmë është vendosur./rajonipress/