Poezi e frymëzuar nga ngjarjet e rëndësishme të kohës sonë…

Gjilan – Sabit Rrustemi nuk është emër i panjohur për lexuesin shqiptar. Ai është ndër krijuesit e dëshmuar që ka treguar e po tregon edhet tani pjekurinë e tij prej krijuesi letrar. Ai lindet më 3 prill të vitit 1959 në fshatin Terzijaj, vend afër lokalitetit të Zhegrës, Malësia e Karadakut.
Si shkollar i shkollës fillore e më vonë si gjimnazist filloi të botojë shkrime më të ndryshme letrare. Më 1977 botoi poezinë e parë në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë. Në vitin 1981, është shkrimtar i vetëm i Kosovës që është burgosur për shkak të botimit të tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, tregim ky i të botuar në revistën “Fjala” më 1 prill (1981), mu në ditën kur demonstratat e shqiptarëve për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën dhe meset tjera të Kosovës.
Autori, për këtë tregim është dënuar me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare nëpër gazeta e revista tona që dilnin atë kohë në Kosovë. Tek në vitin 1990, ai boton përmbledhjen e parë me poezi “Ku i la lisat era”. Dhe, jo vetëm kjo. Ai gjer më tani ka botuar këto vepra letrare: “Besoj në një diell”, “Pika e zezë”, “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës” (1994), “Natyrë me vaj” (album poetik), “Maska e mysafirëve” – tregime, (1997), “Variacione për lirinë” (1997), “Paqja e brishtë” (2007), “Ëndrra që puthet” (2001), “Shiu i buzëve tua” (2009), “Nën qerpikun tënd” (2009), “Zjarmi e kthjelltë” (2012) etj. Ai, ditë më parë botoi veprën më të re poetike me titull “Në fytyrën e një gjethi”.
Është kjo vepër poetike që në vete ka vlera të mirëfillta letrare, të cilat nuk janë sajime e hijezime nga të tjerët, por janë poezi që dalin fuqishëm dhe janë krijime origjinale artistike. Kjo e bën autorin të jetë jo nën hijen e poezisë së krijuar, por mbetet është krijues që posedon vlera të larta kulmore të krijimeve tona poetike. Sabit Rrustemi nuk shkruan sa për të shënuar hë për hë poezi. Poezia e tij është një lloj “këngë” e cila lë gjurmë kohe dhe nuk harrohet dot… Ajo të tërheq dhe ka magjinë e saj magjepse. Është poetikë e dalur nga fuqia e brendshme e poetit. Kjo e vlen për krijuesin, i cili e zgjedh qasjen e krijimtarisë së tij letrare.
Pra, poezia e S. Rrustemit është një vlerë e rrallë arti. Të tërheq dhe të bën për vete. Nuk është e “thatë”, por meritore dhe e “pjekur” si art i këndimit. Poezia e Sabit Rrustemi është monument dhe ajo i afrohet kulmeve të vlerave artistike tek ne. Pse po e themi këtë? E para se, ai nuk shkruan sa për të thënë poezi apo radhitje vargjesh, por ai shkruan kur ka shtytje dhe kur i lind momenti i frymëzimit. E dyta, është se, në poezinë e këtij autori sheh “rrëfime” ngjarjesh të përjetuara, të cilat, këto ngjarje poeti i ka përjetësuar në vargje artistike. Kjo është poetika e tij e çiltër dhe në vete artikulon jo vetëm dramca historike jete, por edhe pjesëza të filozofisë së jetës.
Ku ka art të mirëfilltë, ka edhe filozofi të jetës. Andaj, duke lexuar veprën “Në fytyrën e një gjethi” të autorit Sabit Rrustemit, sikur në fund u ndala dhe morra frymë për disa minuta që ta shijoj artin poetik. Jo pse u lodha e u “tradhtova” nga ato poezi “magjepse” e shumë joshëse poetike, por më kthyen në një kohë jo aq të largët, të cilën e kemi përjetuar gati të gjithë ne kosovarët, luftën e fundit 1999.
Duke i lexuar poezitë e kësaj vepre, u enda varg pas vargu duke parë atë bukuri arti që të magjeps me ato “rrëfime” të natyrshme dhe që janë dramca kohe e jete të përjetuara nga autori i veprës. Që në fillim të veprës, edhe Sabit Rrustemi, poet, e pohon se vepra e tij është ditar poetik mes dy nëntorëve, ku kjo kohë e nëntorëve tanë është i rëndësishëm, shumë herë u shënuan me gjak e me ngjarje të lanë gjurmë tek populli shqiptar.
Por, mesi i dy nëntorëve ishte momenti i autorit që ti shpalos ato dramca të përjetuara të tij, që lidhen me 35-vjetorin e krijimtarisë së tij letrare dhe që kjo datë koincidon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ngjarje e rrallë për popullin shiptar, në përgjithësi. Pra, vepra në fjalë u kurorëzua në këtë përvjetor, e cila “tuboi” ato perla të artit letrar të Sabit Rrustemit, i cili është ndër vjeshtorët e shquar të poezisë tek ne.
Ky poet i ardhur nga Malësia e Karadakut, sikur kjo natyrë e ashpër e natyrës së bukur e frymëzoi për ato përroje, lugje, rrugë, peizazhe të bukura, që kjo pjesë e Kosovës e kishte edhe Rrugën e Mbretit që lidhte ngjarje të kohës gjer tek pavarësia e shtetit shqiptar. Në vepër përmenden shumë tonponime, Çepuri, Guri i Zi, Rruga e Mbretit, por edhe emra të përveçëm njerëzish, të cilët, në një mënyrë a tjetër, kanë mbetur në histori për trimëri e për veprimtari të rrallë atdhetare. Poezia e Sabit Rrustemit është një këngë përjetuese jete.
Ajo nuk përfolët sa e si do të duhej, por ajo “këndohet” tek secili njeri. Pse jo? Bie fjalë, të bërat e atdhetarit llashticas, Ramadan Fejzës për një kohë fort të rëndësishme që pak kush ka rrezikuar vetën dhe familjen, është një vepër e madhe kombëtare. Ky burrë dheu, më 28 Nëntor të vitit 1968, kur represioni serb nuk kishte të ndalur mbi njerëzit atdhetarë, e ngriti flamurin në një plep të lartë aty afër shtëpisë së tij, ku, si thotë poeti “ai vetë e ngriti për diell, ku tha, o burra “ma bëni hallall/ e zoti ua pagoftë këtë ditë/ e timen dhimbtë/ me Kosovën Republikë/ në Një Shqipëri” (f. 7).
Ky atdhetar, që sot mungon, nuk iu frikësua regjimit të asaj kohe dhe, ku “për ato tri ditë roje/ me pushkën e gjatë nën pallto/ se mos po ia prek kush/ atë shenjë të shenjtë të gjakut” (Flamurin kombëtar). E autor ia thotë këngës së tij poetike: “E unë/ unë po kënaqem sot/ vetëm me bëmat e tij/ që u bënë më shumë se histori” (f.8). Duke i lexuar poezitë e këtij vëllimi poetik, sikur ndjejmë dramca rrëqethëse, por edhe krenare të historisë sonë. Gati secila poezie tij ngërthen në vete grimca të historisë sonë, ku autori i kësaj vepre poetike nuk i lë pa i “kënduar” në vargje, të cilat jo vetëm që tingëllon e artikulojnë bukur, por ç’është me rëndësi të madhe, ato shënojnë kohën e rëndë të popullit shqiptar, i cili ka vuajtur nga një regjim barbar serb.
Poeti, duke përjetuar jetën e përcjellur nga UDB-a, e cili çdo ditë zbulonte nëpërmjet lakejve “ngjarje” që zhvillonin aktivitet atdhetar, në zemër të çdo flamurtari që kishte atdhedashurie shtonte “Shqiptar në qoftë/ mos u zbuloftë”!. Ja kjo ishte poetika e artit, e cila në vete ndrydhte dashurinë e secilit atdhetar për ta parë atdheun e lirë, e këtë liri e ndrynte thellë në vete edhe poeti në fjalë, i cili, në një poezi shtonte: “Ti je kudo/ aty ku jemi ne/ lutesh dhe tash/ për një uratë të re/ paqja të mbretërojë mbi dhe/ me ne e në ne” (f.15).
Vetëm poetët e shfaqin dashurinë ndaj atdheun me zemër. Edhe Sabit Rrustemi, poet, në poezinë e tij “Se të kam atdhe”, e shpreh dashurinë e madhe që ka ndaj atdheut. Ai në poezinë në fjalë shton: “Në secilën pore të trupi tënd/ një gjurmë kam lënë/, ku atdheu është mbi të gjitha kur shton: “Se nën dhe e mbi dhe/ të kam vetëm ty/ imi atdhe” (f. 28). Kjo është fuqia e brendshme poetike, e cila gufon dhe ngulçon nga dashuria që ka ndaj atdheut. Këto janë artikulime të sinqerta që kanë dalë nga fuqia poetike krijuesit, i cili, tashmë ka bërë emër në letërsinë shqipe.
Sabit Rrustemi është njohës i mirë i artit letrar. Poezia e tij është një lloj dhimbje krenare, e cila në vete posedon artikulime të ngjarjeve të një kohe jo aq të kaluar, kohën që e përjetoi populli shqiptar. Këto frymëzime janë xixa stralli, janë “rrëfenjza” poetike, por që në vete ngërthejnë copa e pjesëza historike të trungut shqiptar.
Vepra e tij e fundit “Në fytyrën e një gjelli”, që është një ditar poetik i shkruar në mes dy nëntorërve, sikur është një program i dalë nga historia jonë, sidomos e përvjetorit të shumë të rëndësishëm, 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, Shqipërisë. Pse jo? Në poezinë “Xub Çeliku e pyet Vlorën”, poeti s’ka se si mos të frymëzohet nga ky malësor karadakas, i cili bëhet shpend mali e krahëlehtë dhe shpejt i kalon qiejt, ku “Me atë kumt në gji/ fluturon nëpër Shqipëri”, i cili, ec e ec nëpër stuhi dhe pas le malet nën borë e ato fusha të mbuluara më gjak, e thotë “gjallë jo vdekur të mbërrijë në Vlorë bac Idriz i ka thënë”.
Pra, ky malësor, Xuni, i etur ta shoh Shqipërinë në 100-vjetor, edhe në moshë të shtyrë, merr rrugën për në Vlorë, ku shton: “S’priti Xuni’ ti thotë dy herë/ u nis jugut porsi erë”. Arrin në Vlorën legjendare dhe e pyet Vlorën “kjo Shqipëri a u bë” (f.34). Këto ngjarjet e rëndësishme kohe, sikur poeti nuk i harron dhe atyre u kushton vargje dhe “këndon” me arti e bukur. Ai (poeti), me pietet ka kënduar për dëshmorët e kombit, por ka shkruar edhe për Prekazin legjendar, e poeti shton: “Prekazi kjo amë e lirisë”. Ai në fillim të vargjeve e himnizon këtë vend historik dhe e quan “libri Amë i lirisë është Prekazi”.
Pse jo? Në veprën, poeti ka kënduar 11 marsit 1981, datë kjo e paharruar për poetin, sepse, edhe vetë kishte marrë pjesë në këto ngjarje të vendimeve të mëdha. Poeti shton: “Kur dola jashtë/ një vrull i paparë rinie/ marshonte drejte qendrës/ (f.46). Pse jo? Sabit Rrustemi ka shkruar për dëbimin e popullatës nga trojet e tyre: “Te shkolla e re/ një kolonë të dëbuarisht/ na lë pa frymë/. Në këtë ikje, shumë prindër i kanë bartur fëmijët e tyre, por edhe prindërit që u gjenden të sëmurë. Poeti shton: “Një fëmijë/ mbi supet e një prindi/ këndonte e thërriste/ “A vritet pafajësia”! (f. 66). Poeti i ka kënduar njeriut të devotshëm e atdhetar, Fehmi Aganit, Jusuf Gërvallës, Rexhep Elmazit, Nekibe Kelmentit, Ahmet Krasniqit, për Kosharën legjendare etj. Është vepër poetike që ka vlera të duhura artistike./Tefik Selimi/rajonipress/