Poeti Ali Podrimja zhduket në Francë

Ka dy ditë që nuk dihet asgjë për vendndodhjen e poetit të njohur, Ali Podrimja, i cili kishte shkuar në Francë në një festival të poezisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj me autoritetet e shtetit francez po bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur vendndodhjen e tij.
Burime të KosovaTimes kanë thënë se familja e poeti Ali Podrimja ka kontaktuar më 18 korrik me ambasadën e Kosovës në Paris dhe e kanë njoftuar atë se nuk dinë gjë për fatin e tij.
Poeti Ali Podrimja kishte shkuar në festivalin e poezisë “Vox de la Mediterranii” në qytetin Lodeve në Francë.
Artan Behrami, këshilltarë i ministrit te Enver Hoxhaj thotë se ambasada e Kosovës në Paris ka kërkuar menjëherë nga autoritetet franceze që të ndërmerret gjithçka është e mundur për të identifikuar vendndodhjen e poetit,
“Ministri i punëve të jashtme Enver Hoxhaj i shqetësuar shumë për këtë ngjarje ka kontaktuar MPJ-në e Francës dhe ambasadorin francez në Kosovë, Jean Fraçois Fitou dhe ka kërkuar që të bëhet gjithçka për gjetjen e vendndodhjes së poetit Podrimja”, ka sqaruar Behrami
“Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë dhe francezë që gjenden në Francë e që kanë ndonjë informatë për vendndodhjen e poetit Ali Podrimja të njoftojnë ambasaden e Kosovës në Paris, autoritetet franceze apo MPJ-në e Kosovës”, ka thënë Behrami.
Burime të KosovaTimes kanë thënë se poeti Ali Podrimja vuan nga sëmundja e harresës dhe kjo mund të jetë arsyeja e që ai nuk ka kontaktuar deri më tani me familjen.(express)