RCCOLA

Podrimja iu bashkua Lumit

/ 5 minuta lexim

Autori i “Lum Lumit” dhe shumë veprave të tjera letrare, poeti Ali Podrimja i cili i këndoi dhimbjes personale dhe asaj kolektive është përcjellur sot për në banesën e fundit.

Familjarë, miq, shkrimtarë dhe qytetarë të Kosovës në Varrezat e Prishtinës, i dhanë lamtumirën e fundit, poetit Ali Podrimja, i ditë më parë vdiq në Francë, derisa po qëndronte në festivalin e poezisë “Zëri i Mesdheut” që zhvillohej në Lodev të Francës.

Të pranishmit në këtë ceremoni, humbjen e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja, e quajtën humbje të madhe për familjen, shqiptarët si dhe lexuesit e tij, të cilët u mësuan ta shohin fatin në vargjet e tij, të shërojnë dhimbjen me fjalët dhe ta fisnikërojnë shpirtin me humanizimin e poezive të poetit Ali Podrimja.

Akademiku Ali Aliu, akademik tha një popull që lind poet si Ali Podrimja është një popull me fat.

“Një popull që lind poet si Ali Podrimja, poet përmasash universale, është popull me fat. Për gjysme shekulli, ne shqiptarët u mësuam ta ndjejmë poezinë e Aliut, si një bashkëndërrim, bashkë rëndim si një zë tmerrësisht tronditës, të mprehtë, të qëndrueshëm, bartës të dhimbjes së të gjithëve, si një melodi e përsosur që gjithnjë është aty kur na duhet dhe na shoqëron pa e kërkuar.

Të mëdhenjtë si Ali Podrimja, që arrijnë në këtë prani të natyrshme të vetëve dijshme, në jetën e një kombi, kur ndahen nga ne nga kjo botë, humbja përjetohet si gjëmë, si një terr, si zbrazësi e pangushëllueshme. I tillë goditës na erdhi lajmi i kobshëm për Aliun”.

Ndërsa Bastri Çapriqi, drejtor i Pen Qendrës, tha se lajmi për vdekje e poetit të madh Ali Podrimja, ka dridhur shqiptarët kudo që janë, pasi që për një gjysmë shekulli lexuesit e poetit Podrimja u mësuan të shohin fatin në vargjet e tij, të shërojnë dhimbjen me fjalët e tij dhe ta fisnikërojnë shpirtin me humanizimin e poezive të poetit Podrimja.

Uji Dea

“Ali i dashur, jemi mbledhur sot nga të gjitha anët, me kokën ulur, të bëjmë nderimet e fundit për poetin e madh. Është shumë e vështirë të pajtohemi, se po largohet prej nesh, njeriu ynë i dashur, i cili për një gjysmë shekulli, mbajti gjallë shpresat e këtij populli, artikuloi si askush tjetër, idealet e tij liridashëse dhe i dha ritmin jetës dhe kulturës së këtij vendi. Ali i dashur, ke dridhur sot gjithë shqiptarët, gjithë koleget e tu shkrimtarë nga rajoni i Ballkanit dhe Evropa, janë shtangur gjithë lexuesit tu, anë e kënd botës, me lajmin e hidhur e të rëndë, se po largohet përgjithmonë bardi i vërtetë i poezisë shqipe”, pohoi Qapriqi.

Ndërsa, nipi i Ali Podrimjes , Genti Salihu, tha se e adhuronte gjyshin e tij fshehurazi. Ai foli për gjyshin Ali Podrimja , për tregimet dhe energjinë e tij të hatashme, e cila e përcolli gjatë tërë jetës.

“Gjyshi na sfidoi, t’i kthehemi zbulimit të vetës në radhë të parë, me vlerat dhe sinqeritetin e tij ndonjëherë si të fëmiut, gjyshi pati ndikim të madh tek të gjithë ne. Por ndikimi i tij nuk ishte fare ngulfatës. Përkundrazi, gjyshi jo vetëm që na dha hapësirë, të gjejmë vetveten , ai vazhdimisht na inkurajoi të bëhemi zot të fatit tonë. Shkoi tash gjyshi, por neve familjes për poezi nuk do të na mungoj. Sepse vepra e gjyshit mbetet tek të gjithë ne. Do të na mungoj aroma e tij, puthjet e tij të lagta, e telefonatat e tij të shpeshta e ndonjëherë dhe të bezdisshme. Por gjyshi shkoi, humbje e dhimbshme për ne shqiptarët, të cilët shprehën pashtershëm këto ditë admirimin dhe respektin për Ali Podrimjen”, pohoi Salihu.

Poeti Ali Podrimja, i cili po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” , në qytetin e Lodeve, kishte humbur kontaktet me zyrtarët dhe kolegët e festivalit që nga 17 korriku në mbrëmje. Ndërsa pas tri ditëve është gjetur trupi i pajetë i poetit të njohur shqiptar Ali Podrimja.

Ali Podrimja lindi me 1942 në Gjakovë ku edhe kaloi rininë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

Pas poemthit lirik ,Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist, një vit më pas, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).(express)