Uji Dea

Po të pyetej Pali…

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Po të pyetej Pal Lekaj jo vetëm që do ta kishte dëbuar nga Kosova ambasadorin zviceran, por askush nuk do të kishte marrë vesh për skandalin e 53 milionë eurove, as për korrupsionin e nepotizmin. Po të pyetej ai dhe të tjerë si ai, të gjithë do të duhej heshtur. Do të duhej lënë vetëm këta të zhvatin e të përfitojnë sa të munden, pa e pasur drojën se dikush të paktën do t’i pyesë: a po ju vjen marre?

Njerëz të PDK’së e AAK’së i çoi peshë një deklaratë e ambasadorit zviceran në Kosovë, i cili gjatë një aktiviteti në Skënderaj e tha një të vërtetë. Thjesht, ua solli ndërmend njerëzve që qeverisin se, përderisa shteti i tij po vazhdonte të investonte në Kosovë, ata po vazhdonin t’iu japin para veteranëve mashtrues. Logjika e ambasadorit ishte e shëndoshë: pse të mos investohen në ujësjellës e të mira tjera për qytetarët milionat që shteti i paguan për të ashtuquajtur veteranë lufte?

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, u përpoqë që t’i kundërpërgjigjet në sy ambasadorit, duke i thënë se nga ai rajon vinin një numër i madh luftëtarësh e veteranësh të vërtetë, në mesin e të cilëve edhe Hashim Thaçi. Por kjo absolutisht nuk e cenon thelbin e së vërtetës që ambasadori e nxori në pah.

Megjithatë, më i ashpër me diplomatin zviceran u tregua nënkryetari i AAK’së, respektivisht ministri Pal Lekaj. Ai në në emisionin “Pressing” të Televizionit 7 tha se po të pyetej ai, ambasadori do të ishte larguar nga Kosova.

“Publikisht, para qytetarëve, është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marr vendime, sot ia kisha çu letrën e largimit”, tha Lekaj.

Pra, sipas ministrit, përfaqësuesit e shteteve që kanë investuar e investojnë miliona në Kosovë nuk paskan të drejtë të ankohen për invesimet e tyre, ndërkohë që milionat e Kosovës shkojnë në xhepa të mashtruesve.

Lekaj, madje, shfaqi kritika edhe për ambasadorët tjerë, që ngrenë zërin kundër korrupsionit. Tha se ata ishin bërë si fëmijë dhe nuk kishin përgjegjësi për ato që flasin.

Ta kemi të qartë: këto kritika po vijnë prej njërit ndër anëtarët e institucioneve që mënyrë qeverisjeje i kanë veprimet korruptive, ndërhyrjet politike në zgjedhje e emërime e nepotizmin.

* * *

Uji Dea

Po të pyetej Pal Lekaj e të tjerë si ai, ambasadorë të huaj nuk do të kishin ardhur fare në Kosovë. Në këtë mënyrë, qeveria dhe institucionet tjera do t’i kishin duart e lira për të bërë çfarë të duan, pa drojën se mund të marrin kritika nga ata që kanë pjesë në shtetndërtimin e Kosovës.

Po të pyetej Pali e të tjerë si ai, veprimet korruptive e nepotiste do të ishin edhe më të shprehura, të gjithë anëtarët e partisë së tij do të gjenin punë në institucione e kompani publike.

Po të pyetej Pali e të tjerë si ai, të gjithë tenderët milionësh do t’iu jepeshin kompanive të lidhura me njerëz të politikës, të gjitha punësimet do të bëheshin në baza partiake, pa asnjë kundërshtim nga askush.

Madje, po të pyetej ai dhe të tjerë si ai, do të ishte mirë të mos ketë as media kritike, as zëra kritikë nga shoqëria civile. Në këtë mënyrë, askush nuk do ta merrte vesh as për punësimet në Telekom e të tjera kompani, as për skandalin e 53 milionë eurove të Bechtel&Enkas, as për 30 milionët e pistës së aeroportit, as për harxhimin e rezervave shtetërore, as për shpërndarjen e parave me vendime qeveritare, as për dallaveret me akcizën e duhanit e prodhuesit e ujit.

Po të pyetej Pali e të tjerë si ai askush nuk do të kërkonte përgjegjësi për premtimet e pambajtura rreth ndërtimit të rrugëve, liberalizimit të vizave e zhvillimit ekonomik. Po të pyeteshin këta nuk do të bëhej e madhe as se si ia rritën pagat vetes, as si e mbushën qeverinë me më shumë se njëqind ministra e zëvendësministra. Madje, po të pyetej Pali e të tjerë si ai askush më nuk do ta përmendte as demarkacionin me Malin e Zi dhe premtimet boshe për Kullën e Çakorrin.

* * *

Kritikat e ambasadorëve për skandale në Kosovë Pal Lekaj mund t’i konsiderojë ofendime, por që të gjitha janë në funksion të kundërshtimit të keqqeverisjes, sundimit të ligjit e mirëfunksionimit të institucioneve. Këta që qeverisin kanë të tjera prioritete: përfitime financiare, privilegje e pasurim, blerje votash me para publike nëpërmjet punësimeve nepotiste e rehatim familjarësh e militantësh.

Po të pyetej Pali e të tjerë ai ai, të gjithë do të duhej heshtur. Do të duhej lënë vetëm këta të zhvatin e të përfitojnë sa të munden, pa e pasur drojën se dikush të paktën do t’i pyesë: a po ju vjen marre? Pa e pasur drojën se dikush, si ambasadori zviceran, do t’ua kujtojë se në vend se të keqpërdorin miliona, do të duhej investuar ato në ndonjë ujësjellës. Për të mirën e qytetarëve.