RCCOLA

Plumba burrit në organet gjenitale: Më rrihte gjithnjë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nuk ka mundur të durojë më dhunën sistematike që bashkëshorti i saj, babai i dy fëmijëve ushtronte çdo ditë mbi të. Krimi në familje ka tronditur sërish, këtë herë qytetin e Durrësit. 30-vjeçarja Leonora Zaçellari ka zbrazur një karikator të tërë mbi burrin e saj Përparimin, 36 vjeç, por vetëm 2 plumba e kanë kapur në trup. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen 17, në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, bënë me dije se shkak për krimin është bërë dhuna sistematike që 36- vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Pas krimit, ka qenë vetë gruaja që ka njoftuar policinë dhe është vetëdorëzuar. Ndërkohë, 36- vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e dy plumbave që ka marrë.

Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese dykatëshe të familjes Zaçellari me origjinë nga Korça, të mbërritur në Durrës 12 vjet më parë. Mësohet se Përparimi ka debatuar me bashkëshorten e tij, Leonorën, e cila sapo ishte kthyer nga puna, ku punonte si rrobaqepëse prej disa vitesh. Grindja ka degjeneruar në dhunë, dhe 36-vjeçari e ka tërhequr prej flokësh dhe e ka goditur me grushte e me sende të tjera në kokë e në trup bashkëshorten. 30- vjeçarja ka rrëmbyer armën e krimit, tip pistoletë, dhe ka qëlluar plot 6 herë në drejtim të bashkëshortit. Përparimi ka marrë 2 plumba në trup, një në krah dhe tjetrin në organet gjenitale. Vetëm plumbat kanë mundur ta ndalin 36-vjeçarin që të mos e godiste më gruan. Fatmirësisht, dy fëmijët e çiftit kanë qenë duke luajtur në oborr dhe kanë dëgjuar vetëm ulërimat e nënës dhe krismat e pistoletës.

Menjëherë pasi ka qëlluar mbi bashkëshortin, 30-vjeçarja ka marrë në telefon policinë e Durrësit, në numrin 129, dhe u ka treguar ngjarjen. Blutë kanë mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas, ndërsa autorja është vetëdorëzuar, së bashku me armën tip pistoletë e cila mbahej në banesë pa leje. 36-vjeçari është dërguar menjëherë në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për nxjerrjen e plumbave, ndërsa mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Pas ngjarjes, vajza e mitur e çiftit, 8 vjeçe, është dërguar tek të afërmit, ndërsa djali 13-vjeçar, ka shoqëruar nënën e tij në polici.

Mobi Casa

Policia bëri me dije se në vendngjarje janë sekuestruar 6 gëzhoja, si dhe arma e krimit. Hetuesit kanë marrë në pyetje 30- vjeçaren, e cila ka deklaruar se, gjithçka ndodhi si pasojë e dhunës nga i shoqi dhe se kishte qëlluar për vetëmbrojtje. Policia ka marrë në pyetje prindërit e Përparimit, të cilët banojnë në katin e parë të ndërtesës.

Babai i Përparimit, Hysen Zaçellari tha për “Gazetën Shqiptare” se nuk ka pasur dijeni për konflikte mes të birit dhe nuses. “As djali dhe as nusja nuk janë kriminelë, por njerëz të ndershëm. Sherre e debate mund t’i ndodhin kujtdo në familje, nuk e di pse ndodhi kjo gjë”, – shprehet Hyseni Zaçellari, babai i Përparimit. Fqinjët e familjes Zaçellari shprehen se debate dhe sherre ka në çdo familje, por asnjëherë nuk e kishin menduar se mund të shkonte deri në këtë pikë.

Një banore tregon se Leonora punonte prej vitesh në një rrobaqepësi, ndërsa i shoqi ishte i papunë. “Përparimi ka punuar në ndërtim, por kishte kohë pa punë. Rrinte nëpër kafene këto muajt e fundit dhe pinte shumë. Ajo e shkreta punonte, dhe ai i kërkonte lekët e rrogës për çdo muaj. Janë katër vetë e mbaheshin vetëm me rrogën e saj”, tregojnë fqinjët.