Plogështia para përplasjes
Nga Blerim Shala – Shtyrja dhe zvarritja janë tiparet kryesore të ‘Planit’ ekonomik të Kosovës. Me këtë qasje, ne jemi gjithnjë e më afër përplasjes me realitetin. Atëherë, do të merremi me vetveten, sikurse që bën një i mbijetuar i një aksidenti të rëndë në trafik.
Janë një mori arsyesh, shumica prej të cilave tashmë janë trajtuar, qoftë me sensin e maturisë, qoftë me atë rrëmbimin emocional i cili nuk e ka ndërmend të shmanget prej debateve të të gjitha llojeve ndër ne, të cilat shpijnë te konkludimi pozitiv për domosdoshmërinë e zgjidhjes së temës së Veriut dhe për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.
Njëra prej këtyre arsyeve e cila nuk përmendet shpesh del në trajtë të qëndrimit të prerë: në atë rast, ne do të mund të merremi me vetveten.
Këtë ne, nuk e bëjmë dot pa hequr qafe çështjen e Veriut dhe të marrëdhënieve me Serbinë.
Konflikti si relacion themelor politik, si karshi Serbisë, por realisht, edhe brenda skenës politike vendore, destabilizimi i vazhdueshëm si nocion i sigurisë, mungesa e investimeve nga jashtë, si pasojë e këtyre dy gjendjeve të mëparme, përqendrimi politik dhe mediatik i cili mbase është i pashmangshëm në këto raste, të gjitha këto së bashku na dëftojnë që ne, si vend dhe si shoqëri, jemi peng të rrëfimit të papërfunduar të Veriut.
Qëndrueshmëria afatgjatë e brendshme dhe e jashtme e Republikës së Kosovës varet drejtpërdrejtë nga rrumbullakësimi i këtij kallëzimi.
E tëra, natyrisht, nuk është dhe nuk do të duhej të ishte kurrfarë justifikimi që ne kemi telashe të mëdha me sundimin e ligjit në gjithë Kosovën (e jo vetëm në Veri), që korrupsionin e kemi bërë sistem të qeverisjes, që kemi hyrë në një periudhë të një plogështie të gjithanshme politike dhe shoqërore. Paradoksalisht, po mos të ishte çekani zhurmëmadh i BE-së i cili na bën me dije që e kemi ngatërruar disi busullën e orientimit tonë si vend në temën e madhe të sundimit të ligjit, ne me gjasë, nuk do të preokupoheshim sa duhet me ‘shëndetin’ tonë institucional, i cili na shfaqet me një mori ‘sëmundjesh’ të rënda.
Sikur të kishim një cilësi më të lartë në përballjen me këto sprova, sikur të ishim më të organizuar si shtet, do të ishte më lehtë për ta integruar Veriun e Kosovës, veçmas kur dihet që integriteti territorial i Kosovës është garantuar prej instancave më relevante ndërkombëtare.
Por gjërat në politikë janë të ndërlidhura. Nuk ka si të jetë ndryshe, kudoqoftë, në SHBA, në Gjermani, apo në Kosovë. Ekziston varshmëria e drejtpërdrejtë, si në organet e organizimit të një njeriu, midis sundimit të ligjit, integrimit të mirëfilltë të të gjitha pjesëve të një shteti, qëndrueshmërisë politike, dhe zhvillimeve në ekonominë e një vendi. Dhe këtu, ekonomia është më e ndjeshme, më e varura prej këtyre zhvillimeve të tjera në vend dhe jashtë tij, madje. Në këtë kontekst, Kosova nuk ka si të mos i vuajë pasojat e krizës së vazhdueshme financiare në Evropë, pos tjerash, sepse qindra miliona Euro vinë prej familjarëve tonë që jetojnë dhe punojnë në shtetet evro-perëndimore. Por, mbi të gjitha, këtu te ne, në politikën dhe ekonominë kosovare, ne po dëmtohemi me mungesën e një strategjie të qartë se si ta zhvillojmë ekonominë tonë, çfarë kornizash ligjore të adaptojmë për të joshur investimet nga jashtë, si të krijojmë një ambient shumë më të favorshëm që të ndodhë infuzioni në trajtë të parasë që do të vjen nga jashtë për të krijuar vende të reja të punës, dhe për ta rritë prodhimin e përgjithshëm.
Për më keq, ne nuk dukemi që jemi fort të alarmuar me paralajmërimet që flasin, edhe përmes parashikimit të fundit të FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtarë), që këtë vit, Kosova do ta ketë një rritje 3%, që për një shtet të zhvilluar evropian sot ka cilësorin e mrekullisë, por tek ne, në Kosovë, kjo përqindje s’është gjë tjetër pos konfirmimin i një teposhtëzeje të rrezikshme ekonomike.
Nuk ka se si të krahasohet Kosova me shtetet në Evropë, për më keq, as në rajon, as me Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat janë shumë para nesh.
Po kuptohet qysh tash, tek ata që kanë sy dhe vesh, natyrisht, për të pranuar lajme të kësisojta gjithsesi shqetësuese, që vonesat e njëpasnjëshme në vendimmarrjen për projektet e mëdha ekonomike të vendit, apo edhe për privatizimin e ndërmarrjeve publike, na kanë sjellë në një situatë të palakmueshme, e cila kasnecon probleme të rënda ekonomike dhe sociale.
Janë dy shembuj konkret që janë ‘zëdhënës’ të kësaj vonese dhe të pasojave me të cilat do të ballafaqohemi.
“Kosova e Re”, apo ish-Kosova C, po të shkonin punët si duhet në vitin 2007, po të përmbyllej atëherë pra procesi i ofertimit dhe i vendimmarrjes për ndërtimin (atëherë) të 2100 MW të energjisë, pikërisht në këtë vit, apo në variantin e keq, në vitin 2014, do të niste të prodhonte rrymë për Kosovën dhe gjithsesi, edhe për rajonin. Atëbotë në garë për ta fituar të drejtën për ndërtimin e këtyre kapaciteteve të reja energjetike, ishin gjigantët evropianë dhe amerikanë, dhe përmendeshin shifrat miliardëshe të investimeve në Kosovë.
Jemi në vitin 2013, çfarë është bërë në ndërkohë është që janë mbajtë nja dhjetë-pesëmbëdhjetë konferenca vendore dhe ndërkombëtare, i është ndërruar emri projektit, janë zvogëluar kapacitetet e kërkuar në 600 MW, gjë që realisht, nuk është zgjidhje as për nevojat e brendshme të Kosovës, e lëre më për ta mundësuar shndërrimin e Kosovës në një eksportues të rrymës.
PTK, po të privatizohej menjëherë pasi që Kosova u bë shtet, do ta mbërrinte çmimin i cili do të ishte së paku dyfish më i lartë se sa ai që është vënë si cak tash e dy vjet, prej 300 milionë Euro, i cili, siç po duket, bazuar edhe në hezitimin e kompanive dhe konsorciumeve për ta ofruar çmimin e tyre për privatizimin e PTK-së, është më shumë dëshira e jona se sa synim i arritshëm.
Ndërsa pa privatizimin e PTK-së, nuk ka ndërtim të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, që shihet si një forcë lëvizëse për ta mbajtur gjallë edhe këtë zhvillim modest ekonomik.
Shtyrja dhe zvarritja janë tiparet kryesore të ‘Planit’ ekonomik të Kosovës.
Me këtë qasje, ne jemi gjithnjë e më afër përplasjes me realitetin. Atëherë, do të merremi me vetveten, sikurse që bën një i mbijetuar i një aksidenti të rëndë në trafik.


