Eko Higjiena

Platforma e Thaçit shkel mbi dëmet miliardëshe

/ 16 minuta lexim
Eco Higjiena

Analistët politikë, por edhe qytetarët, janë shumë të shqetësuar për faktin se si ndodhi që në platformën e dialogut me Serbinë nuk përmenden askund dëmet e luftës, ndërsa kërkesa për hetimin e krimeve është e vonuar dhe lënë anash dështimin e drejtësisë kosovare për të trajtuar paditë e qytetarëve dhe bizneseve të ushtruar në gjykatat e Republikës së Kosovës kundër Serbisë edhe sot fashiste dhe armike.

Zeqa: Hashim Thaçi, Qeveria dhe Ekipi negociator nuk e kanë guximin që të kërkojnë nga Serbia të paguajë dhe të kompensojë dëmet e luftës

“Kjo tregon qartë se kuislingu Hashim Thaçi, ngjashëm me ish-Rrahman Morinën e ndjerë të viteve të 80/90-ta, jo vetëm që pajtohet me çdo gjë që bën Serbia, por ka vendosur që këtij shteti okupator t`ia falë edhe të gjitha llojet e dëmeve të luftës, bashkë me tërë klasën politike kosovare tërësisht të inkriminuar dhe të nënshtruar ndaj Serbisë ende fashiste e grabitqare, së cilës sikur mos t’i mjaftonin të gjitha këto po përpiqet që t`ia falë asaj edhe veriun e Kosovës”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Analistët politikë, por edhe qytetarët, janë shumë të shqetësuar për faktin se si ndodhi që në platformën e dialogut me Serbinë nuk përmenden askund dëmet e luftës, ndërsa kërkesa për hetimin e krimeve është e vonuar dhe lënë anash dështimin e drejtësisë kosovare për të trajtuar paditë e qytetarëve dhe bizneseve të ushtruar në gjykatat e Republikës së Kosovës kundër Serbisë edhe sot fashiste dhe armike.

Duke e parë si të tillë, është krijuar bindja që kjo platformë për dialogun është shumë e mangët dhe përpiqet t`i qetë hi syve qytetarëve, duke i mashtruar e gënjyer, sepse sipas tyre ky ekip negociator, si edhe qeveria, e sidomos presidenti Thaçi, as nuk kanë guximin që të kërkojnë nga Serbia të paguajë e kompensojë dëmet e luftës! Sidoqoftë, shpresa e vetme mbetet tek diskutimi në Kuvend dhe plotësimi i këtij dokumenti nga seanca plenare, ku duhet të jetë pikërisht futja në agjendë kompensimi i të gjitha dëmeve të luftës pjesë e debatit dhe insistimit të partive politike pa dallim.

Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se në platformën e dialogut ku nuk përmenden askund dëmet e luftës, përderisa kërkesa për hetimin e krimeve është tepër e vonuar dhe lë anash dështimin e drejtësisë kosovare për të trajtuar paditë e qytetarëve dhe bizneseve të ushtruara në gjykatat e Republikës së Kosovës kundër Serbisë edhe sot fashiste dhe armike të shqiptarëve, nuk mund të presim gjë tjetër përpos humbjes dhe dështimit fatal të Kosovës në ato bisedime.

Zeqa: Nuk ka llogaridhënie për krimet gjenocidiale

Zeqa thekson se kjo platformë për dialogun është konfuze dhe shumë e mangët, përmes së cilës po përpiqet t`i qitet hi syve qytetarëve, duke i mashtruar e gënjyer, siç është më së keqi, kinse kjo platformë e sjell zgjidhjen përfundimtare dhe të përhershme me Serbinë pa e dëmtuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. “Ashtu sikurse Hashim Thaçi, Qeveria dhe ekipi negociator nuk e kanë guximin që të kërkojnë nga Serbia të paguajë dhe kompensojë dëmet e luftës. Për më keq se kaq, Hashim Thaçi dhe ekipi negociator që po shkojnë në Bruksel nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Sikur të ishte që përfaqësojnë qytetarët, para çfarëdo bisede me Serbinë, ata do duhej t’i kërkonin asaj që të paguajë të gjitha llojet e dëmeve të luftës si dhe kërkuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për krimet gjenocidiale ndaj popullatës civile në Kosovë”, u shpreh ai.“Në anën tjetër, edhe sistemi i nënshtruar e i kapur dhe i instaluar i gjykatave në Kosovë i hodhi poshtë mbi 25000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës si “të palejuara”. Kësisoj kjo klasë politike kosovare tërësisht e inkriminuar dhe e nënshtruar ndaj Serbisë fashiste e grabitqare po ia fal asaj të gjitha krimet dhe dëmet e luftës njëkohësisht”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Qarri: Presidenti, si Rrahman Morina

Sipas analistit politik Gani Qarri, fatkeqësisht, siç duket, as në platformën e dialogut me Serbinë nuk do të zërë vend as të përmenden askund dëmet e luftës, përderisa edhe kërkesa për hetimin e krimeve është e vonuar dhe lënë anash nga vetë drejtësia kosovare.

“E, nëse edhe me këtë rast nuk përmenden dhe nuk aktualizohet problemi i dëmeve të luftës, të lëna në harresë nga Hashim Thaçi që nga fillimi i bisedimeve, kjo platformë për dialogun është shumë e mangët dhe përpiqet vetëm t`u qesë hi syve qytetarëve, duke i mashtruar e gënjyer përsëri ata. Një akt i tillë dëshmon se edhe ky ekip negociator, njëjtë si qeveria dhe sidomos presidenti Thaçi, as nuk kanë guximin që të kërkojnë nga Serbia të paguajë e të kompensojë dëmet miliardëshe të luftës të shkaktuara me qëllim nga soldateska pushtuese serbe në Kosovë”, u shpreh ai.“Futja në agjendën e kthimit të të pagjeturve përgjegjësia për krimet e shkaktuara dhe kompensimi i të gjitha dëmeve të luftës duhet të jetë pikënisja dhe prioriteti i rifilllimit të çfarëdo bisedimi me shtetin pushtues serb”, potencoi Qarri për “Kosova Sot”.

“Vetë sistemi i nënshtruar dhe i kapur i gjykatave nga politika e kriminalizuar në Kosovë ka hedhur poshtë mbi 25000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës, duke u refuzuar si të palejuara me një urdhër gojor (verbal) të Hashim Thaçit derisa ai dialogonte nga 2011-ta për çështje të ashtuquajtura teknike me Serbinë. Ndaj përsëritja e veprimeve të deritanishme, me të drejtë, shtron pyetjen e madhe para popullit të Kosovës se për çka në të vërtetë përfaqësuesit e shtetit po shkojnë në Bruksel, nëse nuk përfaqësojnë qytetarët duke kërkuar që para çfarëdo bisedash me këtë shtet okupator Serbia të obligohet që të paguajë të gjitha llojet e dëmeve të luftës shtazarake të shkaktuar qëllimshëm dhe në mënyrë të organizuar shtetërore me ushtrinë dhe policinë e saj okupuese në vendin tonë.

Përndryshe kjo tregon qartë se kuislingu Hashim Thaçi, ngjashëm me ish-Rrahman Morinën e ndjerë të viteve te 80/90-ta, jo vetëm që pajtohet me çdo gjë që bën Serbia, por ka vendosur që këtij shteti okupator t`ia falë edhe të gjitha llojet e dëmeve të luftës, bashkë me tërë klasën politike kosovare tërësisht të inkriminuar dhe të nënshtruar ndaj Serbisë ende fashiste e grabitqare, së cilës sikur mos të mjaftonin të gjitha këto po përpiqet që t`ia falë edhe veriun e Kosovës”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Thaçi dhe Rama, mbështetës të ndarjes

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për “Kosova Sot” se çështja e realizimit të marrëveshjes me palën serbe është futur në një gjendje ku për fat të keq ka dalë si çështje themelore, por pa u përgatitur dhe pa i definuar mirë të gjitha çështjet që duhet të hapen dhe për të cilat duhet kërkuar zgjidhja.“Natyrisht se Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për paqe dhe marrëdhënie të mira.

Por, nuk kanë nevojë për atë që territori i Kosovës dhe shtetësia e saj të bëhen temë e diskutimit me një shtet okupator dhe që ka pasur dhe ka akoma pretendime territoriale. Kuptohet se duhet të bisedohet, por pyetja shtrohet se kur? Mendoj që bisedimet kanë efekt vetëm kur pala që ka shkaktuar dhunë dhe terror e gjenocid e lë rrugën e tillë, kur pala që i ka kryer krimet kërkon falje publike dhe e merr përgjegjësinë për dhunë. Deri më tash Serbia asnjë prej këtyre nuk e ka bërë. Nuk ka pra as bazë logjike dhe bazë politike e juridike për bisedime. Bazë e tërë kësaj është njohja, jo bisedimet për të shkuar gjoja tek njohja”, u shpreh ai. Sipas tij, Republika e Kosovës ka dalë në treg nga Thaçi. “Në diskutim është ndarja dhe copëtimi i vendit. Delegacionet kanë shkuar shumë larg. Bisedime ka pasur edhe për përcaktime se kush çka merr dhe si. Kjo e ka vështirësuar gjendjen. Si z. Thaçi, ashtu edhe z. Rama kanë dalë qartë për ndryshim të kufijve.

KKVITI

Kjo ka krijuar probleme dhe fërkime të ashpra. Dalja në këtë pozitë, pa treguar se çka jepet dhe çka merret, por vetëm duke e lënë kombin në mjegull, ka bërë që të kemi konflikte. Iu takon këtyre dy njerëzve, për mua shumë kontradiktorë dhe konfliktuozë, të tregojnë se si duket marrëveshja! Cili është plani i tyre! Çka realizohet etj!?, ka theksuar Kelmendi. “Në anën tjetër, delegacioni nuk është adekuat. Është një delegacion i interesave dhe shumë afër i shantazhuar. Të dy bashkë kryetarët nuk janë të përgatitur për punët e tilla. Ata nuk kanë njohuri dhe as karizëm për të bërë marrëveshje. Ndërsa, z. Thaçi po qesh, duke thënë se kemi delegacion”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

Nënshtrimi i drejtësisë kosovare

Sipas Ragip Guraziut, tema e dëmeve dhe krimeve të luftës po mbetet jashtë platformës për bisedime, pasi është krijuar një sistem i nënshtruar i kapur dhe i instaluar kriminalist, i cili që në fillim ka bërë një platformë të cunguar, prandaj ka rrezik të humbet beteja diplomatike në bisedime.“Me një shtet siç është Serbia, pra shtet shovinist, nuk duhet nënshtruar dhe me këtë platformë shumë të cunguar zor se do t’ia dalim, apo nuk do mundemi dot ta fitojmë betejën historike kundrejt Serbisë, që çdo hap po e menaxhon me kujdes.

Një gjë është e vërtetë, se në platformën e dialogut me Serbinë, sikur po shihet, nuk përmenden askund dëmet e luftës, ndërsa kërkesa për hetimin e krimeve është e vonuar dhe lënë anash dështimin e drejtësisë kosovare për të trajtuar paditë e qytetarëve dhe bizneseve të ushtruara në gjykatat e Republikës së Kosovës kundër”, u shpreh ai. “Pa i futur dëmet dhe krimet e luftës, kjo platformë për dialogun është shumë e mangët dhe përpiqet t’u qetë hi syve qytetarëve, duke i mashtruar e gënjyer. Kjo ndodh kështu për faktin se tani më botërisht po shihet që Thaçi as këta të delegacionit shtetëror nuk kanë guximin që të kërkojnë nga Serbia të paguajë e të kompensojë dëmet e luftës. Ata duhet ta dinë fare mirë që krimet nuk duhet të falen, por që Serbia duhet të paguajë të gjitha llojet e dëmeve të luftës së tyre shtazarake, derisa duhet insistohet edhe nga Kuvendi që të jetë pikërisht futja në agjendë kompensimi i të gjitha dëmeve të luftës pjesë e bisedimeve me prioritet”, vijoi më tej Guraziu.

“Kosova ka humbur shumë deri më tani, qytetarët dhe bizneset nga mënyra e ndërhyrje politikë në drejtësi, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se si i hodhi poshtë ky sistem i nënshtruar, i instaluar i gjykatave në Kosovë, mbi 25000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës, e që janë refuzuar duke “u hedhur poshtë si të palejuara” me një urdhër gojor, verbal të Hashim Thaçit, derisa po dialogonte nga 2011 e deri më sot, kinse për çështje teknike me Serbinë”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Salihaj: Dokumenti i zbrazët

I zhgënjyer është me mënyrën se si po i qaset pala kosovare vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj. “Unë mbeta i habitur me platformën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ajo është tepër e zbrazët, pa përmbajtje dhe e mjegulluar. Kam përshtypjen se qëllimisht i ka lënë të gjitha çështjet e padefinuara, për t’ia lënë mundësinë Thaçit dhe këtij Ekipit negociator që të kenë mundësi të bëjnë lëshime dhe të bëjnë kompromise në dëm të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi duhet të dalin me qëndrime të qarta lidhur me të gjitha çështjet e hapura me Serbinë. Kjo marrëveshje pretendon se i mbyll të gjitha çështjet e hapura midis dy shteteve, por edhe midis dy popujve. Nëse është kështu, Kosova duhet t’i vërë në tavolinë të bisedimeve të gjithë krimet, spastrimin etnik, gjenocidin dhe dëmet që ua shkaktoi Serbia shqiptarëve historikisht. Po ashtu duhet të bisedohet statusi i sotëm i të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e jo vetëm i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në platformën aktuale nuk ka asgjë për të gjitha këto”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Badallaj: Në çdo vend ku mbaron lufta shteti që dëmtohet kërkon dëmet nga agresorët

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, është shumë real rreziku i faljes përfundimtare të krimeve dhe dëmeve të luftës nga politika e inkriminuar. “Kosova përpos humbjes në njerëz me mijëra, humbi pasuri të tundshme e të patundshme me miliarda nga shteti fashist serb. Në çdo vend ku mbaron lufta shteti që dëmtohet kërkon dëmet nga agresorët, por çudia e madhe ndodh në Kosovë, por këtu është një defekt, se për Kosovën bisedojnë dhe flasin hajnat, banditët dhe vagabondët që nuk janë përfaqësues të popullit.

Si mund të flasë ky grup hajnash me procedura dhe afera korruptive, me aktakuza të ngritura për hajni. Por, faji i madh bie më së shumti në Hashim Thaçin që ka biseduar me kriminelët serbë, prapa kurrizit të popullit, i papjekur, i papërgatitur, ku vite e vite ka shpenzuar kot së koti buxhetin e shtetit, djersën e taksapaguesve, nëpër hotelet më luksoze të botës dhe çka i solli Kosovës? Asgjë, ama asgjë! Përpos humbjes, shpenzimeve marramendëse dhe tradhtisë duke i premtuar Serbisë fashiste dhe në anën tjetër duke i mashtruar popullin e Kosovës me dallavere dhe kopalla sa për t´i hedhur pluhur syve. Kësaj platformë nuk mund t´i thuhet, sepse populli nuk ka fare besim në këto banda që janë dëshmuar se janë të padenja, hajna që vjedhin shtetin, janë dëshmuar se kanë bërë shumë lëshime kundër shtetit serb, shtetit fashist e kriminel”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Qytetarët të indinjuar

Qytetarët e anketuar nga gazeta akoma nuk janë të informuar sa duhet për përmbajtjen e platformës së dialogut me Serbinë, sado që e shohim me shqetësim rrezikun e mbetjes jashtë temës së dëmeve dhe krimeve të luftës. Qytetari Naim Boshnjaku tha për “Kosova Sot” se tema e dëmeve dhe krimeve të luftës do të duhej të ishte kapitulli i parë dhe kryesor me të cilin do të duhej filluar bisedimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me palën serbe.

“Kemi humbur shumë, kemi pësuar shumë dëme, kemi shumë të zhdukur, kanë ushtruar dhunë të të gjitha mundësive që kanë pasur, prandaj unë mendoj që në rendë të parë është dashur të nxirret në bisedime kjo temë, tema e kompensimit të dëmeve dhe krimeve të luftës e më pastaj tema e tjera. Kështu që unë mendoj që nëse ne tani këtë çështje e lëmë anash, ata edhe ashtu nuk e dëshirojnë ta hapin këtë temë, sepse atyre serbëve u konvenon të heshtet kjo gjë”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Kështu mendon edhe qytetari Selim Kida.“Në platformë e bisedimeve duhet të përfshihet dhe të paraqitet çdo detaj, kur është fjala për fillimin e hapjes së bisedimeve, pa përjashtuar këtu as dëmet dhe as krimet e luftës. Në këtë fazë dhe në këtë kohë kaq të ndjeshme nuk guxon të anashkalohet e të mos bëhet temë e bisedimeve diçka që është kaq e rëndësishme sikur që janë edhe krimet e dëmet e luftës, sepse në bisedimet me Serbinë nuk mund të ketë asnjë temë, e cila është më pak ose më shumë e rëndësishme. Edhe kur jemi tek kjo çështja e kufijve, ndryshimi apo korrigjimi, unë mendoj që në këtë kohë nuk duhet të lejohet as të pranohet ndryshimi për asnjë pikë, për asnjë metër andej apo këndej”, u shpreh ai. Sipas Kidës, dëmet duhet gjithsesi të kompensohen.

(Kosova Sot)