ARKATANA

Pezull dhe peng

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerim Shala – Serbia është në Veri të Kosovës, por mentaliteti politik i krijuar në kohën e okupimit serb, sundon me gjithë Kosovën. Jemi larg të përqafuarit të mentalitetit bashkëkohor perëndimorë.

E zënë peng. Shumëfish e zënë peng. Kështu duket të jetë politika kosovare, por edhe shoqëria kosovare, pak javë para se të shënojmë pesë vjetorin e lindjes së Republikës së Kosovës, me 17 shkurt, 2008.

Së pari, Kosova vazhdon të jetë territorialisht e zënë peng nga Serbia, në Veri.

Nuk ka çfarë të thuhet për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti, kur një pjesë e territorit të tij kontrollohet efektivisht, duke përfshirë edhe forcat policore, nga një shtet tjetër.

Largimi i Serbisë nga Veriu i Kosovës, gjë që objektivisht është tema kryesore e bisedimeve të Brukselit, tok me integrimin e mëpasmë të kësaj pjese të Kosovës, do ta çlirojë Kosovën nga ky zaptim territorial, i cili shprehet edhe në format e tjera të zaptimit të rëndë: Atë politik dhe ekonomik.

Derisa Veriu është në gjendjen e këtillë, është lehtë e kuptueshme pse nuk kalon një ditë e lume në politikën kosovare pa folur për Veriun, për shkaqet dhe fajet, për gabimet dhe dështimet, për mundësitë që kjo temë të mbyllet një herë e përgjithmonë.

Politika kosovare del të jetë e kontaminuar thelbësisht me situatën në veri, dhe ajo nuk do të mnd të marr frymë si duhet, pa i dhënë fund çështjes së Veriut me integrimin e plotë të tij, sipas modelit të propozuar me Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe të kodifikuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, rrjeti i krimit ekonomik që ka lëshuar rrënjë në Veri të Kosovës, deri tash së paku, ka dëmtuar shumëfish ekonominë dhe financat e Kosovës.

Më në fund, me një Veri të kësisojt, është vështirë të pritet që investitorët e huaj do t’ia mësynë Kosovës për të bërë biznes. Për ta, kur e shikojnë dhe analizojnë Kosovën nga larg, mundësia e shpërthimit të një konflikti të ri në Veri, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e Kosovës, duket diç e afërt, diç e mundshme.

UBT

Edhe për shkak të Veriut, por edhe për një mori shkaqesh dhe arsyesh tjera, politika kosovare del që është e zaptuar nga historia e afërm dhe e largët e këtij vendi. Nuk e kemi gjetë dot rehatinë, edhe pas bërjes së shtetit të Kosovës, para pesë viteve, edhe pse me krijimin e Republikës së Kosovës, synimi ishte që të mbyllet çështja e Kosovës, e shqiptarëve të Kosovës një herë e mirë.

Kemi pësuar aq shumë në historinë tonë, kemi qenë aq herë humbës në të, jemi viktimizuar aq shpesh, saqë tash, kur rendi është me lënë prapa qasjen e të qenit humbës dhe viktimë e vazhdueshme në histori, ne vrapojmë me të shpejtë që sërish të shfaqemi si të tillë para vetes dhe para të tjerëve. Natyrisht, tani, midis të tjerash, apo, në fakt, më së shumti, këqyrim disi t’i qërojmë hesapet midis njeri-tjetrit, për të bërat dhe të pabërat tona. Llogaritë e tilla bëhen kur je ndarë keq, e jo kur ndahesh mirë, siç është rasti me ne. Kur dikush i shpëton një sëmundjeje të rëndë, vdekjeprurëse, ai nuk merret dot më me këtë sëmundje, por me jetën që e ka ri-fituar, duke i shpëtuar më të keqes. Kështu duhet të jetë edhe me popujt, edhe me vendet. Po kështu, së paku tash për tash, nuk është me ne.

Serbia është në Veri të Kosovës, por mentaliteti politik i krijuar në kohën e okupimit serb, sundon edhe me pjesët tjera të Kosovës. Jemi larg të përçuarit të një qasjeje, të botëkuptimit, të mentalitetit bashkëkohor perëndimorë. Kemi mbetur diku në mes, pezull. Tjetër është çka i themi njeri-tjetrit, apo çka deklarojmë për opinion. Gjendja reale në këtë shoqërinë tonë është ndryshe. Dhe për te nuk kemi as vullnet dhe as gatishmëri të flasim.

Zaptimi i radhës, edhe ky tepër i rëndë për shtetin e njomë të Kosovës, është ai që godet pamëshirshëm sundimin e ligjit, veçmas në atë segmentin e sundimit të korrupsionit me politikën kosovare.

Nuk ka sundim të ligjit me këtë shkallë të korrupsionit. Çka është më e keqja, nuk shihet që e kemi ndërmend të bëjmë diçka të prekshme, të matshme në fushën e sundimit të ligjit. Nuk ka diplomat perëndimorë që nuk u thotë hapur politikanëve kosovarë, qeveritarëve dhe opozitarëve, që nuk ka gjasa që Kosova të nisë fare rrugëtimin e mirëfilltë kah BE-ja me këtë shkallë të korrupsionit dhe me këto dështime të mëdha (për të cilat jemi dëshmitarë çdo ditë), në sundimin e ligjit. Por duket që kjo porosi ka hyrë në një vesh, ka dalë në tjetrin pa u kuptuar si duhet prej politikës kosovare. Kjo nuk është lojë. Kjo nuk është një deklaratë politike sa për të thënë. Ky është thelbi i një shteti, i cili do që të bëhet anëtar i familjes evropiane.

Një tjetër zaptim i politikës kosovare është ai i dëmtimit me themel të demokracisë kosovare, me zgjedhjet e organizuara mbrapsht të vitit 2010.

Edhe këtu porositë që janë marrë prej Washingtonit dhe Brukselit, por gjithashtu, edhe prej vetë qytetarëve të thjeshtë të Kosovës, janë shumë të prera: Nuk mund më Kosova të mbajë zgjedhjet e kësisojta. Nëse edhe një herë ndodhë ky krimi i organizuar ndaj votës së lirë (ky vlerësim nuk është i tepruar, përkundrazi), atëherë, do të mëdyshet shumë keq aftësia jonë, si shoqëri, për ta ndërtuar një demokraci të qëndrueshme në Kosovë. E demokracia, qysh nga fillet e shumëpartizmit në Kosovë, në dimrin e viteve 1989, 1990, ka qenë kodi i çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Çlirimi prej këtyre zaptimeve, është kusht për ta bërë Kosovën njëmend shtet të pavarur, dhe për ta kualifikuar atë për Paktin NATO dhe për BE.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.