Fundamenti

Peshku po kalbet nga koka

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Alban Selimi – Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, sa herë që po del përpara medieve, po ankohet në to. Kryetari i Partisë së Drejtësisë, së fundi u shpreh publikisht se “pavarësisht të gjitha interpretimeve dhe keqinterpretimeve sporadike, për fat të keq shumë herë mediale, qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë asnjëherë mundin e mjekëve të Kosovës”.

Agani i ka shpeshtuar ‘gjuajtjet me spica’ në adresë të medieve, kinse ato po e ‘keqinterpretojnë’. Por, ai asnjëherë nuk ka argumentuar se cili ka qenë lajmi i rremë i botuar për të, apo për shëndetësinë.

Reagimet është e vërtetë që s’kanë munguar. Por, cilat kanë qenë faktet e servuara nga ky dikaster i lënë anash. Qytetarët janë ata që më së miri vlerësojnë mundin e mjekëve, infermierëve dhe gjithë punëtorëve tjerë shëndetësorë. Por, ndonëse në sektorin që udhëheq Agani, ka njerëz që me të vërtetë janë të përkushtuar për punë të ndershme, këtë rast “peshku po kalbet nga koka”.

Është vetë ministri Ferid Agani ai që shumë shpesh shpreh pakënaqësi për punën e mjekëve, duke lënë të kuptohet se në Ministri të Shëndetësisë thuajse gjithçka është në rregull, por zinxhiri po këputet në sektor, atje ku janë të ‘papunët’, ‘të kriminalizuarit’…
Por, kjo në raste harrohet. Agani së fundi bëri lëvdata për mjekët që i udhëheq. E këtë rast fajtori ishin mediet që po bënin “keqinterpretime sporadike”.

Është gjendja në shëndetësi ajo që duhet ta rregullojë ministri Agani dhe Qeveria që udhëhiqet prej Hashim Thaçit. As mjekët e as infermierët nuk janë ata që e rregullojnë sistemin. Ata mund të bëjnë një punë të mirë në kushtet e këqija në të cilat punojnë dhe jetojnë. Sistemin e bën Qeveria.

Fundamenti

Lajmet që plasohen në media për shëndetësinë, të shumtën e rasteve nuk janë të këqija por janë rrëqethëse. Se janë prodhuar ilaçe në laboratorë ku ‘vlojnë’ mikroorganizmat e rrezikshëm, është lajm rrëqethës. Se ilaçet në Kosovë nuk janë të sigurta pasi nuk janë bërë kurrfarë testime mostrash pas arrestimeve në AKPM e di fort mirë edhe ministri Agani, i cili nuk mund ta pranojë këtë fakt dhe del e bën oscilime të një ritmi të njëjtë. ‘Ligji i shëndetësisë, Odat e mjekëve…”.
Infrastruktura spitalore në një shtet të ri në Evropë, fatkeqësisht i ngjason asaj të Xhibutit e Angolës.

Për një pjesë të thjeshtë që do të duhej të ishte rezervë në secilin xhep të mjekëve në radiologji me javë të tëra shpesh ndodh që nuk punojnë aparatura që janë blerë shtrenjtë me djersën e qytetarit. Dhe ky i fundit detyrohet të ikë në spitale private për ekzaminimin më të thjeshtë.
Nëse të rastisë të kesh një infarkt dhe mësyn spitalin e QKUK-së, më lehtë do të kalosh nëse do të biesh në dorën e ndonjë doktori matrapaz që është i lidhur me spitalet private, ku mundësitë për trajtim janë shumë më të mëdha, sesa nëse do të të trajtojë një mjek që është i ndershëm dhe nuk do të kursejë asgjë nga mundësitë që ka në sektorin publik për të trajtuar.
I pandershmi do ta përkujtojë që ta shesësh lopën, ta shesësh tokën, ta shesësh traktorin dhe gjithë pasurinë që ke, për të ikur në sektorin privat, ku ai merr provizione.

Kurse nëse je në dorën e të ndershmit janë kushtet ato që të kufizojnë për të shpëtuar nga vdekja.
Kështu ndodh edhe me ilaçet. Ministri po e thotë vetë që tregu farmaceutik është i kriminalizuar. Por, thuajse në secilën barnatore të Kosovës ka ilaçe në të zezën. Raportet e fundit të Inspektoratit Sanitar, treguan se ilaçet që ishin prodhuar në laboratorët ilegalë të një kompanie, ishin të ekspozuar në baktere jashtëzakonisht të rrezikshme. Dhe guximi intelektual për t’i thënë të keqes Jo, po mungon. Të gjithë i kanë futur veshët në ‘lesh’ dhe nuk duan as të dëgjojnë për skandalet që rrjedhin në shëndetësi. Fajtore mbesin mediet, që s’mund të gjejnë lajme të mira në këtë sektor. Por, lajmëtari s’ka faj, kur lajmi është i keq!

(Autori është Redaktor në gazetën Tribuna)