Fundamenti

Pesë vitet e brishta të Kosovës dhe pritjet e diasporës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka organizuar pitje me rastin e përjetorit të pestë të shpalljes së Kosovës, shtet të pavarur.

Ueli Leuenberger ka qenë për shumë vite politikani më i familjarizuar me çështjen shqiptare dhe të Kosovës, në Zvicër. Si mbështetës i të gjitha zhvillimeve të rëndësishme në botën shqiptare të 20 viteve të fundit, Ueli ka meritën edhe për themelimin e Universitetit Shqiptar të Gjenevës, në vitin 1996. Më vonë, si deputet nacional dhe kryetar i Partisë së Gjelbër, ai ka vazhduar përkrahjen në kushte të reja, të Kosovës së çliruar dhe të pavarësuar.

Sot, kur janë mbushur 5 vjet nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur, Leuenberger, i ftuar në pritjen e Ambasadës së Kosovës në Bernë, e sheh të realizuar edhe një pjesë të misionit të tij politik.

“Jam i lumtur që Kosova tash 5 vite është shtet i pavarur, siç jam i kënaqur që Zvicra e ka njohur me kohë atë. Unë e di se Kosova ka shumë probleme dhe shpresoj që politika atje të punojë më shumë në rrafshin ekonomik, që rinia të ketë një ardhmëri, pastaj shumë punë për tu bërë ka edhe në luftimin e korrupsionit, në ngritjen e transparencës etj”, thotë Leuenberger. “Unë gëzohem edhe për vizitën që kryetarja e Parlamentit të Zvicrës me një delegacion, ku bëj pjesë edhe unë, do t`i bëjë Kosovës më 1 prill, gjë që e dëshmon një nivel të lartë bashkëpunimi në mes të dy shteteve”.

Por, deputeti zviceran shpreh shqetësimin se në Kosovë nuk ka sa duhet konsideratë për kontributin e diasporës. “Uroj që në të ardhmen të mendohet më shumë për rolin e madh që ka luajtur diaspora atje. Ka shumë punëtorë në Zvicër që kanë dhënë gjithçka për vendin dhe për familjet e tyre në vendlindje. Për këtë arsye kërkoj që qeveria të punojë më shumë për ta. Dëshiroj po ashtu që institucionet e atjeshme të bëjnë më shumë në lidhje me marrëveshjen për sigurime sociale (pensionet). Unë po luftoj këtu nga Zvicra që të zgjidhet ky problem por kërkohet që njerëzit nga Kosova, institucionet, të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim”, përfundon Leuenberger.

Në pritje, edhe ambasadori i Iranit

Jubileun e vogël të pavarësisë së shtetit më të ri të Evropës e kanë nderuar me praninë e tyre një numër i konsiderueshëm diplomatësh nga shumë vende të botës, të akredituar në Bernë. Po ashtu kanë qenë të pranishëm shumë aktivistë dhe përfaqësues shoqatash të komunitetit shqiptar në Zvicër, pastaj përfaqësues të klerit dhe të komunitetit të biznesit etj.

Uji Dea

Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, thotë për albinfo.ch se në mesin e shumë ambasadorëve dhe zyrtarëve tjerë të lartë diplomatikë ka pasur edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Veçanërisht prania në këtë pritje e ambasadorit të Iranit, sipas tij, ka qenë shumë domethënëse.

Në fjalimin e tij festiv, ambasadori Malaj ka bërë fjalë për të arriturat e shtetit të Kosovës brenda pesë viteve të ekzistimit. Ai ka vënë theksin në ngritjen e kapaciteteve shtetërore në Kosovë, në përparimin e të drejtave të minoriteteve atje, pastaj në stabilitetin politik, në dialogun me Serbinë etj. me këtë rast, përfaqësuesi më i lartë i Kosovës në Zvicër ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi dhe Zvicrën në veçanti për ndihmesën e çmuar që po i japin Kosovës.

Duhet ende punë, që njerëzit të ndjehen të lumtur në vendin e tyre

Për dom Marjan Markun, i cili për rreth dhjetë vite ka drejtuar një mision katolik shqiptar në Zvicër dhe që tash së fundi punon në një famulli të kishës në Zvicrën lindore, 5 vjet pavarësi nuk janë shumë për një shtet. “Por vetvetiu pavarësia ka ndikuar shumë te njerëzit. Kjo ka ndryshuar strukturën e të menduarit e njerëzve, duke ua ngulitur bindjen se ata janë në vendin e tyre dhe janë të pavarur nga të tjerët”, thotë Don Marjani. Ai pikërisht 5 vite më parë, më 17 shkurt 2008 kishte udhëhequr në qytetin Wil të St. Gallenit një meshë, në të cilën ishte e ftuar nderi ministrja e atëhershme e jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey. Znj. Rey me atë rast u kishte uruar shqiptarëve pavarësinë e Kosovës, e cila pak orë pas kësaj meshe edhe do të shpallej në Parlamentin kosovar në Prishtinë.

“Për këto pesë vite ka pasur ndryshime dhe hapje perspektivash për Kosovën por duhet punuar edhe shumë që mirëqenia njerëzore të ngrihet më lartë, që njerëzit të jenë më të lumtur në vendlindjen e tyre”, përfundon Don Marjan Marku.

Ndërsa Qamil Isufi, njeri i biznesit dhe aktivist i vjetër politik, tek bën bilancin e pesë viteve pavarësi fokusohet në sferën që e njeh më mirë, në ekonomi. “Ekonomia dhe biznesi në Kosovë kanë ngecur për shumë faje. Nuk ka një platformë zhvillimi ekonomik dhe kjo bën që Kosova mbi 90% të produkteve i importon dhe nuk eksporton as 10%. Në Kosovë nuk ka një zhvillim të ndërmarrjeve të vogla e të mesme që do të mundësonte zhvillimin ekonomik”, thotë Isufi.

Por, sipas tij duhet dalluar pritjet e papërmbushura ekonomike nga pesha që objektivisht ka 17 shkurti për Kosovën. “Kjo ditë që e ka bërë Kosovën shtet, është dita më e madhe, që e kanë ëndërruar të gjithë brezat deri më tash. Ajo është dhuratë e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar për këtë ditë. Prandaj mund të themi se ne jemi krenarë për arritjen e kësaj gjysmëpavarësie dhe se jemi në rrugë të mbarë që së paku brezat që vinë do ta çojnë në vend synimin përfundimtar të të gjithëve”.(albinfo)