ARKATANA

Pesë këshilla për kryeministrin

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Nuk mund të jetë fushatë e frytshme vetëm me premtime, përderisa nuk jepet llogari edhe për dështimet gjatë dy mandateve.

Nuk ka asgjë të keqe pse kryeministri Hashim Thaçi e ka shkelë ”në të pestën” dhe çdo ditë e viziton së paku një biznes. Ai dëshiron që prej “dorës së parë” të njoftohet me problemet me të cilat ballafaqohet biznesi, sado që kjo është fushatë para fushatës zgjedhore. Karakteristikë e krejt vizitave janë premtimet e mëdha dhe kumtimi i lajmit se në mandatin e ardhshëm (nëse e fiton), prioritet do të jetë ekonomia dhe ngritja e mirëqenies sociale. Por, a ka diçka të re në fjalorin e kryeministrit, krahasuar me fushatat e mëhershme?

Sa i përket shifrave për ecuritë makroekonomike në vend, gjithçka është e dështuar në krahasim me atë që na është premtuar. Rritja e BPV-së është larg asaj që ka nevojë vendi. Nga norma e rritjes 4,4 për qind sa ishte në vitin 2011, ajo ka rënë në 3,1 për qind; deficiti tregtar është ngrirë të rreth 2,2 miliardë euro; papunësia as që është duke u trajtuar sipas seriozitetit që ka ky problem, meqenëse shifrat që dalin nga anketat e ndryshme deformojnë pasqyrën për gjendjen reale dhe duket se më shumë kanë qëllime elektorale; investimet e huaja direkte janë në rënie të madhe – nga 407 milionë euro në vitin 2007, vjet ranë në 258 milionë euro; borxhi i përgjithshëm i qeverisë ka arritur në 507 milionë euro, nga 250 milionë euro, sa ishte në fillim të mandatit të saj; bazuar në vizionin që po e prezanton kryeministri, ka mundësi që ai borxhi, kryesisht ai i brendshëm, të hyjë në një fazë të rrezikshme.

Dhe të gjitha këto bëjnë të qartë se nuk është përmbushur asnjëri prej premtimeve, të cilat janë të inkorporuar edhe në dokumentet strategjike të Qeverisë së Kosovës, që kryesisht kanë të bëjnë me ruajtjen e qëndrueshmërisë makrofiskale; investimet, mjedisin investues dhe përkrahjen e sektorit privat; zhvillimi i infrastrukturës publike; rivitalizimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Kësaj nuk po ia shtojmë edhe premtimin për energji elektrike 24:0, futjen e internetit në secilën shkollë, apo normën e zhvillimit dhe të punësimit të përmendura në “planin Banjsko”.

Ecuritë e këtilla japin mjaft indikacione për një platformë krejtësisht tjetër, e cila duhet të mbështetet në evitimin gabimeve të bëra dhe reduktimin e listës së premtimeve vetëm në atë që mund të bëhet.

E para: Racionalizimi i premtimeve. Mënyra se si po premtohet shpërndarja e parasë publike, ajo e premtimit të ndihmave për gjithçka, po kalojnë në rrafshin e mosbesimit, sado që jemi popull që besojnë edhe në gënjeshtër, vetëm ajo le të ushqejë shpresat tona;

FIDANISHTJA

E dyta: Reduktimi i vizitave në biznese. Secila vizitë e paralajmëruar te bizneset kryesisht përcillet me komentet:” Kryeministri po shkon ta thotë edhe një premtim, e jo që të merret aq shumë me problemet e biznesit”. Pra, vizitat të realizohen vetëm atëherë kur ato kanë përmbajtje, në mënyrë që të mos shndërrohen në çështje rutinore;

E treta: Përcjellja e mesazhit për shfrytëzimin me nikoqirllëk të parasë publike. Mënyra se si po flet kryeministri për pagat, pensionet, subvencionet, si edhe beneficionet e tjera nga buxheti i shtetit, krijon përshtypjen se ai fare nuk brengoset për efektet që krijon mënyra e tillë e shpenzimit. Së pari, do të kemi një qeveri shpenzuese, e jo me potenciale që paraja publike të sigurohet përmes normës së zhvillimit ekonomik dhe luftimit të informalitetit.

E dyta: Ajo si vizion do të ketë shpërndarjen e parasë pa kritere të caktuara, e jo orientimin saj sipas nevojave reale që ka vendi.

E katërta: Të zbërthehet mënyra e sigurimit të parasë për Fondin për punësim dhe zhvillim: Nuk janë pak 1,5 miliardë euro, për një vend ku BPV-ja mezi kalon shumën prej pesë miliardë eurosh. Por, konfuzioni, madje edhe frika lindin nga fakti se nuk po thuhet qartë se prej nga do të vijnë paratë për punësim dhe zhvillim. Matematikisht kjo duket shumë e qartë: Aq është shuma e mjeteve të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, si edhe nga kursimet për pensione. Mirëpo, a duhet që këto para 100 për qind të derdhen në këtë fond? Për ato të privatizimit, nëse mundet, qeveria le t’i merr menjëherë, mirëpo jo edhe të kursimeve pensionale. Nga Trusti e pranueshme do të ishte të tërhiqen deri në 30 për qind të parave, meqenëse, këtu, në mënyrë rigoroze duhet të respektohet kriteri i shpërndarjes së rrezikut.

E pesta: Zbërthimi i enigmës së quajtura “zona të lira ekonomike”. Krejt Prizreni, Gjakova e Mitrovica janë shpallur zona të lira ekonomike. Kjo qëndron vetëm në një letër, të quajtur vendim i Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, asgjë më shumë nuk dihet: a nënkupton kjo e tërë komuna do të ketë këtë status, apo vetëm një pjesë e saj; si do të funksionojnë ato; ku do të merren paratë për infrastrukturë; A kanë komunat prona për zona të këtilla, apo do t’i uzurpojnë ato….?

( Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)