Fundamenti

Pesë kandidatë për rektor

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Ibrahim Gashi, Isa Elezaj, Naser Zabeli, Berim Ramosaj dhe Abdullah Zejnullahu, janë pesë kandidatët që do të paraqiten në interpelancën për rektor të hënën.

Këshilli i ri Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës (UP), i konstituar të premten, ka përcaktuar agjendën e zgjedhjes së rektorit pasi ka marrë emrat e kandidatëve që Komisioni profesional i formuar nga Rektorati për shqyrtim të dokumentacionit të kandidatëve për rektor, i ka rekomanduar KD-së.

Por, dy nga shtatë kandidatë për rektor, janë diskualifikuar nga gara. Fadil Maloku dhe Valon Murtezaj nuk janë zgjedhur për të marrë pjesë në interpelancë dhe në arsyetimin që i ka dhënë komisioni Këshillit Drejtues theksohet se këta dy kandidatë kanë pasur mangësi në dokumentacionet e tyre, shkruan gazeta Zëri.

ARKATANA

Komisioni ka vlerësuar se Maloku dhe Murtezaj nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e kompletuar të kërkuar sipas konkursit me rastin e aplikimit.

Anëtari i KD-së nga radhët e Universitetit, Ajvaz Berisha ka deklaruar se këshilli pas konstituimit ka marrë edhe pesë emrat e kandidatëve për rektor që i janë rekomanduar nga komisioni. Ibrahim Gashi, Isa Elezaj, Naser Zabeli, Berim Ramosaj dhe Abdullah Zejnullahu janë pesë kandidatët, që Berisha ka konfirmuar për gazetën se do të paraqiten në interpelancë të hënën prej orës 09:00.

Ndërsa, ka bërë të ditur se dy nga shtatë kandidatët që kanë aplikuar janë hequr nga gara pasi komisioni e ka vënë në dijeni Këshillin se nuk e kanë dokumentacionin e kompletuar. Burime të gazetës brenda këtij komisioni në kushte anonimiteti kanë thënë se të diskualifikuarit janë profesor Fadil Maloku dhe Valon Murtezaj.(express)