Pesë gjilanas akuzohen për dhunimin e një vajze nga Prizreni

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Aktakuza e ngritur nga prokurori Agron Uka i ngarkon Xhavit Hasimin, Eridon Ajvazin, Fitim Ajvazin , Ilir Ajvazin dhe Nazif Isufin për veprën penale të dhunimit, meqë në mënyrë sistematike e kanë detyruar të dëmtuarën B.I. nga Prizreni për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke e rrahur e maltretuar vazhdimisht. Në aktakuzë është dhënë rrëfimi rrëqethës i të dëmtuarës.

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan po mbahet një proces gjyqësor shumë interesantë. Pas ngritjes së aktakuzës pesë gjilanas tani ndodhen para trupit gjykues që po e kryeson Hasan Sadiku, për të dëshmuar për ditën kritike 28 maj 2012 deri më 31 maj 2012.

Sipas aktakuzës që e ka ngritur prokurori Agron Uka të akuzuarit Xhavit Hasimi, Eridon Ajvazi, Fitim Ajvazi , Ilir Ajvazi dhe Nazif Isufi dyshohen për veprën penale të dhunimit meqë në mënyrë sistematike e kanë detyruar të dëmtuarën B.I. nga Prizreni për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke e rrahur e maltretuar vazhdimisht. Në aktakuzë është dhënë rrëfimi rrëqethës i të dëmtuarës.

Aktakuza saktëson se të dyshuarit e kanë rrahur të dëmtuarën kurse dhunimi është përcjellur me lëndime trupore pa vullnetin e saj. I akuzuari Xhavit Hasimi me veturën e tij e kishte sjellur të dëmtuarën B.I. nga Prishtina në Gjilan , ku fillimisht e dërgon në restorant “Eltoni” duke pasur marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj, ku më pas e dërgon edhe tek shtëpia e të dyshuarit Ilir Ajvazi, ku aty bashkërisht me të pandehurit tjerë kryejnë marrëdhënie seksuale me përdorim të forcës . Situata të ngjashme të pandehurit kanë kryer edhe në restorant “Ferizi Petrol”.

Fidanishtja

Të pandehurit ndërkaq e kanë mohuar veprën duke thënë se gjithçka është bërë me dëshirë dhe jo me dhunë. Por ndryshe ka dëshmuar e dëmtuara B.I. Ajo në dëshminë e saj trishtuese ka folur për të gjitha detajet.

Sipas saj të pandehurit Xhavit dhe Nazif e kanë sjellur nga Prishtina në Gjilan duke e futur në një pyll. “Aty më kanë thënë se nëse dëshiron të fitosh bukën e gojës atëherë duhet të bësh marrëdhënie seksuale, duke e shitur trupin dhe njëkohësisht më kanë detyruar që të këndojë në veturë edhe këngë serbe. Shpesh të akuzuarit më kanë thirr me emrin Daniella e Dragana për të fshehur para të tjerëve identitetin tim, kurse me të akuzuarit kam pasur marrëdhënie seksuale kundër vullnetit tim, duke e përdorur forcën dhe kanosjen për çka edhe kam krijuar një gjendje të rëndë traumatike” ka thënë e dëmtuara në dëshminë e saj.

Ndryshe të gjithë të pandehurit ndodhen në burg nga data 30.06.2012. Ky proces gjyqësor për shkak të natyrës së veprës penale edhe është mbajtur larg publikut kurse me dëshminë e avokatëve mbrojtës pritet të jepen fjalët përfundimtare./rajonipress/