Përurohet rruga Shipashnicë-Desivojcë-Tërstenë, investim 3 milionë euro për zhvillimin e Kamenicës
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Dimal Basha, kanë përuruar rrugën Shipashnicë–Desivojcë–Tërstenë, një projekt infrastrukturor me gjatësi rreth 10 kilometra dhe vlerë investimi prej afro 3 milionë eurosh.
Sipas Rahimajt, ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen e fshatrave të kësaj zone, duke krijuar njëkohësisht kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Komunës së Kamenicës.
Ai e cilësoi projektin si një investim me rëndësi të veçantë për banorët e zonës, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e institucioneve qendrore në realizimin e tij.
“Faleminderit Kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Dimal Basha për projektet dhe bashkëpunimin në të mirë të Kamenicës”, ka shkruar Rahimaj në një postim në rrjetet sociale.
Përurimi i kësaj rruge konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës lokale, me synim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në këtë pjesë të komunës./rajonipress/


