Përsëri stina e dimrit na befason!
Nga Bashkim Hasani – Gjithmonë, këtë shprehje e përdor institucioni i komunës me rastin e reshjeve të borës dhe bllokimin e rrugëve dhe kaosin e shkaktuar si neglizhencë dhe papërgjegjësi profesionale, apo mos është më mirë me thënë hajt se qytetari i Vitisë e duron edhe këtë siklet ngase është mësuar edhe me keqpërdorime të detyrës zyrtare.
Zoti Kryetar i komunës së Vitisë, vetëm mos na thuaj që komuna nuk ka buxhet, apo, ende jemi në fazën e prokurimit dhe përzgjedhjes së kompanisë kontraktuese, me qëllim të mirëmbajtjes verore dhe dimërore të rrugëve në territorin e komunës së Vitisë. Unë e kuptoj, ashtu edhe është, por qytetari i Vitisë, e sidomos ai që jeton në fshatra malore ka nevojë emergjente që të ketë rrugën e pastruar, që të ketë mundësi të furnizohet me ushqim e ujë, që të ketë mundësi të bartë lirshëm familjarin e sëmurë me grip që tanimë dihet gati sa nuk është shpallur si epidemi …..
Sqarim për opinion
Në vitin kalendarik dhjetor 2015 e deri dhjetor 2016 Komuna ka kontraktuar kompaninë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e borës dhe jo vetëm. Tani në janar, po këtë qeveri si duket e ka zënë në befasi ngase ende nuk ka një kompani zyrtare të kontraktuar edhe pse e shpërblyer është po e njëjta kompani që ka pas kontratë me komunën për vitin paraprak. Prandaj ju lutem që të ndërmerrni masa urgjente duke e aktivizuar të gjithë mekanizmin emergjent, ngase edhe është situatë e tillë dhe normal të jepni sqarime dhe llogari para qytetarëve se pse gjithë kjo katrahurë dhe rrezik i përgjithshëm i qytetarëve në këto dy ditë dimri? (Ama veç mos u arsyeto me thënien se ende kemi reshje bore).
Ju, si institucioni i vetëm përgjegjës ende nuk keni një kompani të kontraktuar për të kryer detyrat, prandaj ju lutem shpjegoni qytetarëve për këtë papërgjegjësi profesionale dhe morale edhe pse ka gati 30 ditë që të gjitha institucionet metereologjike reklamojnë që do të kemi një dimër të vështirë dhe me reshje të shumta.
Bashkim Hasani, anëtar i kryesisë së AAK-së dega në Viti

