RCCOLA

Përsëri bashkë në takim

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është duke vazhduar.

Kështu ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, në një njoftim për media.

“Pas një serie të takimeve bilaterale me të dyja delegacionet Përfaqësuesja e Lartë Ashton është tani duke takuar Kryeministrin Dacic dhe Kryeministrin Thaçi me ekipet e tyre” ka thënë Kocijancic.

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit janë duke biseduar për më shumë se 10 orë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të mund të arrijnë marrëveshje gjatë këtij raundi.

Çka i tha Thaçi Vucic’it ?

(E plotësuar) Gazeta Express ka mësuar më shumë rreth përplasjes që ka pasur pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës, në raundin e tetë të bisedimeve.

Mësohet se fjalosja ka ndodhur ndërmjet Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrit të parë serb Aleksandar Vucic.

Një burim i gazetës kështu e ka përshkruar situatën.

“Takimi është ndërprerë kur ka filluar përplasja e Kryeministrit Thaçi me radikalin Vucic. Vucic i ka thënë Thaçit se Serbia ka Kushtetutën e saj dhe Kosova është në Kushtetutën e saj.

Kryeministri Thaçi ka reaguar duke thënë se “mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj . Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse jo mund të dilni” ka transmetuar një burim i gazetës fjalët e Kryeministrit.

Sipas burimeve pas kësaj, Ashton ka realizuar takime të ndara me ekipet negociatore, të cilat ende janë duke vazhduar.

Vazhdojnë pas përplasjeve

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë vazhduar bisedimet në Bruksel, pak pasi negociatorët kanë biseduar me tone të larta, në takimin e ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic nuk ka raportuar për ndonjë progres gjatë ditës por vetëm ka thënë se takimet po vazhdojnë.

Përplasen negociatorët

Burime të gazetës Express kanë bërë të ditur se takimi i përbashkët, në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka rezultuar me përplasje të ashpra ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Mësohet se gjatë bisedimeve, Thaçi në njërën anë, dhe Dacic e Vucic në anën tjetër, kanë ngritur zërin ndaj njëri – tjetrit.

“Pas kësaj situate Baronesha Ashton ka kërkuar një pauzë dhe aktualisht negociatorët ndodhen në pauzë”, ka thënë një burim i gazetës.

Shefi i zyrës serbe për Kosovë Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në Bruksel, ka thënë se aktualisht atje po zhvillohen negociatat më të vështira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai po ashtu ka theksuar se ky raund nuk është përfundimtar për Serbinë.

Kocijancic: Po punojmë me krejt fuqitë që të kemi marrëveshje

Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd ndodhet në një fazë kyçe dhe se po punohet që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje.

E pyetur nëse Brukseli i ka dorëzuar palëve ndonjë draft me propozime që duhet të nënshkruajnë në fund, Kocijancic ka thënë se nuk mund të konfirmojë këtë.

“Jo. këto janë negociata. Ata po bisedojnë për çështje konkrete. BE është vetëm ndërmjetës. Nuk mund të konfirmojë ekzistimin e ndonjë dokumenti,vetëm mund të them se po punojmë me krejt fuqinë që të kemi marrëveshje për çështjet që janë në tavolinë” ka thënë Kocijancic.

Ajo nuk ka mundur të thotë nëse do të ketë edhe ndonjë takim të ri ndërmjet palëve.

Fillon takimi i perbashket

Hidromorava

Catherine Ashton ka filluar takimin e përbashkët me dy kryeministrat Thaçi dhe Dacic në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ashton takon delegacionin kosovar

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, ka njoftuar se Baronesha Ashton tashmë ka përfunduar takimin me palën serbe, ndërsa ka filluar takimin bilateral me delegacionin kosovar të kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi.

Nis raundi i tetë

Në Bruksel ka filluar raundi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç ka njoftuar zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, Baronesha aktualisht është duke zhvilluar një takim bilateral me palën serbe. Më pas Ashton do të takohet me delegacionin e Kosovës.

Thaçi: Ditë historike për Kosovën dhe rajonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane”.

“Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.

Në një prononcim në gjuhën angleze, kryeministri i Kosovës, ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi, para takimit me Baroneshën Ashton.

Sot raundi i tetë i bisedimeve

Në Bruksel sot fillon raundi i tetë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Dacic, në takimin që do të zhvillojnë bashkërisht me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Takimet pritet të nisin në orët e mesditës.

Një ditë më parë, para nisjes në Bruksel, Thaçi, ka thënë se delegacioni i tij shkon në Bruksel me synimin për të arritur marrëveshje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Thaçi ka siguruar se nëse arrihet marrëveshja, zbatimi i saj do të nisë menjëherë.

“Kosova ka planin e vet veprues, të konsultuar me faktorin ndërkombëtar. Do të krijohen kushte për lëvizje të lirë në gjithë territorin dhe këtu nënkuptohet hapja e të gjitha rrugëve për qarkullim”, ka thënë Thaçi.

Ai edhe njëherë ka theksuar se çdo hap do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin Ahtisaari.

Gjithashtu të hënën, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka bërë të ditur se në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vucic.

Kjo, sipas Nikolicit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.

Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, porse “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Dacic, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, e që në Beograd asociacioni njihet me emrin “bashkësi”.

Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.