UBT

Përse foli Jakup Krasniqi

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Armand Shkullaku- Mes Jakup Krasniqit që do të heshtte si të tjerët duke konsumuar copën e tortës së pushtetit dhe Jakup Krasniqit që bërtet kur mendon se po i rrezikohet ajo, duhet të zgjedhim këtë të dytin.

Për Jakup Krasniqin nga këtej e tutje nuk do të tregohen më barsoleta për raportet e tij të vështira me elektronikën. Raporte të tjera, shumë më të vështira se të parat, e kanë vënë në qendër të vëmendjes kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka detyruar kryeministrin e Kosovës dhe mazhorancën të bojktojnë Kuvendin, ka akuzuar qeverinë për lidhje me mafian dhe krimin e organizuar në disa privatizime dhe ka pranuar se institucioni më i lartë i vendit, të cilin ai e drejton, ka dalë nga vota të vjedhura. Këto nuk janë sulmet më të rënda që i janë bërë mazhorancës, por të lëshuara nga Krasniqi, figurë historike dhe kryesore në Partinë Demokratike të Kosovës, ato hapin një debat të madh. Ky debat, që ndeshet shpesh në vendet në tranzicion apo në sistemet me demokraci problematike, lidhet me nevojën që ka shoqëria për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe atë që quhet moral politik. Rasti Krasniqi është tipik për një situatë të tillë.

Vetëm kundërshtarët e betuar të kryeministrit dhe ndonjë militant emocional do të donin të besonin se kryetari i Kuvendit të Kosovës derdhi lumin e akuzave kundër partisë e qeverisë së tij, i prekur nga dëmtimi i interesave të vendit.

Këtu nuk duhen shumë radhë për të përsëritur argumentin e njohur në të tilla raste: Ku ishe ti Adam? Pra ku ishte Jakup Krasniqi kur vidheshin votat, kur jepej Ferronikeli, kur emëroheshin zyrtarët e AKM apo kur mafia e politika ndërhynin në proceset e privatizimit? Pse Krasniqi pranon të jetë kryetar i një Kuvendi pa legjitimitet të plotë e sekretar i përgjithshëm i partisë në pushtet? A po flet Krasniqi tani që i janë lëkundur pozitat në PDK, që Thaçi e ka lënë në hije bashkë me nënkryetarin Limaj e që në të ardhmen mund të mbetet pa asnjë post zyrtar?

Shumë pyetje mund ta nxjerrin zhveshur moralin politik të Jakup Krasniqit, nuk është ndonjë punë e vështirë. Ish zëdhënësi i UÇK rezulton demagog, siç e cilëson edhe kolegu Arben Idrizi, madje edhe hileqar, tinzar apo thjesht një naiv i lënduar që nuk arriti të bëhej president e që nesër nuk e di se me çfarë mund të merrej tjetër nëse Thaçi nuk e fut në rrethin e besnikëve të tij. E për të gjitha këto arsye meskine ai një ditë shpërtheu.

Mobi Casa

Por a duhet të nisë e të mbyllet këtu gjithë diskutimi për rastin Krasniqi.

Pikërisht duke qenë pjesë e sistemit dhe duke ngritur dyshimin e madh se nëse do të ishte i kënaqur nga hisja e pushtetit Jakup Krasniqi nuk do të fliste, shpërthimi i tij duhet konsideruar përtej moralit politik. Në shoqëri ku pushteti dhe paraja tentojnë t’u mbyllin gojën të gjithëve apo t’i bëjnë të gjithë pjesë të një sistemi korruptiv, më i rëndësishëm shndërrohet vetë denoncimi se sa morali i atij që e lëshon atë. Mes rrezikut që të gjithë të mbyllin sytë e të heshtin për të përfituar copën e tyre nga pushteti, edhe fjala e një të pakënaquri thjesht nga vogëlsia e copës së tij, e ka një vlerë. Ajo, në mos e lufton fenomenin, së paku e nxjerr atë ashtu siç është, brutal e të shëmtuar, në sytë e publikut. Në vende ku tentohet të blihet gjithçka, votat, media, opozita, drejtësia e deri dhe qytetarët, nevoja për të thënë një të vërtetë prevalon mbi personin që e mbart atë.

Në Kosovë të gjithë po e shohin se si sistemi korruptiv dita ditës po e zgjeron shtrirjen e tij. Se si një pjesë e opozitës nuk ndihet për skandalet e qeverisë sepse edhe vetë është e përfshirë në to, se si individë nga pushteti dhe opozita kanë biznese të përbashkëta, se si një një parti e fortë opozitare mezi pret të futet në qeveri, se si me dy- tre reklama detyrohen mediat të heshtin apo se si me projekte e emërime po neutralizohet dhe shoqëria civile. Në të tilla kushte çdo kundërshtim, pavarësisht prej cilit vjen, është i dobishëm.

Do të ishte mirë që të kishim politikanë që nuk pranojnë padrejtësitë, që ngrenë zërin kur vidhen votat e abuzohet me pushtetin, që kanë moral e japin dorëheqje duke u bërë shembull për pjesën tjetër të shoqërisë. Por kjo rracë tek ne po shkon drejt zhdukjes së plotë. Jakup Krasniqi që nuk pranon postin e kreut të Kuvendit, që jep dorëheqjen nga sekretar i PDK, që nuk pranon përfitime e privilegje për vete, nuk ekziston. Mes Jakup Krasniqit që do të heshtte si të tjerët duke konsumuar copën e tortës së pushtetit dhe Jakup Krasniqit që bërtet kur mendon se po i rrezikohet ajo, duhet të zgjedhim këtë të dytin.