UBT

Përplasja me shtetin

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Shala- Askush nuk ka dhe nuk mund të ketë justifikim në këtë shoqëri, që të konfrontohet me shtetin e Kosovës dhe ta mëdyshë atë, në emër të një lufte kundër një Qeverie, apo edhe kundër politikës kosovare në përgjithësi.

E pashpresë. Por jo edhe serioze.

Në këtë mënyrë, thuhet, oficerët francezë gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Parë Botërore, përgjigjeshin në pyetjet e autoriteteve më të larta franceze se çfarë është gjendja në frontin e madh me Armatën gjermane.

Dihet që thuaja e tëra kjo Luftë u zhvillua në istikamet e mëdha që ishin hapur midis armatave të dy palëve të përfshira në këtë front.

Gjendja ishte vazhdueshëm e keqe, fronti nuk lëvizte dot as në njërën dhe as në tjetrën anë, ushtarët vdisnin me qindra dhe me mijëra, prej luftës dhe prej sëmundjeve.

Por nocioni i seriozitetit këtu, në perceptimin e oficerëve, kishte të bëjë me fitoren, apo humbjen. Nga kjo luftë nuk dilej ndryshe.

Dihet çfarë ndodhi më 1918 dhe 1919. Dhe çka prodhoi më pas mënyra se si u bë paqja.

Për shumëkë në Kosovën e vitit 2012, gjendja e politikës kosovare, mund të përshkruhet pikërisht në të njëjtën mënyrë: Ajo është e pashpresë, por jo edhe serioze. Por tendencat apo drejtimet e kësaj politike janë fare të qarta: Përplasja është caku të cilit ka mësyrë kjo politike. Dhe për më shumë, ky cak ka një përkrahje të gjerë prej mediave dhe prej shoqërisë civile. Me përjashtime fare të rralla.

Mendja dhe maturia politike në këtë shoqërinë kosovare janë në zhdukje e sipër. Si qëndrojnë punët aktualisht.

Bashkëpunimi politik, solidariteti social, funksioni i duhur i tri shtyllave të pushtetit, fuqizimi i demokracisë, para se të gjithash, përmes zgjedhjeve të lira, sundimi i ligjit, janë parimet kryesore që e mbajnë një shoqëri në kursin e duhur.

Kur vetëm njëri prej këtyre elementeve nuk funksionon si duhet, atëherë ndodhë shpërndarja e problemeve në gjithë shoqërinë, ndodhë akumulimi i zemërimit, i cili mund të shpërthejë, si të gjendet ndonjë ‘fitil’ (apo shkas adekuat), i cili do ta mundësojë atë.

Nuk ka shtet dhe as shoqëri pa probleme, sikurse që nuk ka as familje pa telashe. Gabim shumë i madh është që ato të injorohen, apo të sillemi, kudo, prej familjes deri tek shteti, thuajse ato nuk ekzistojnë. Gabimi fatal është të mos përpiqemi t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim ato.

Alfabeti i politikës në demokraci, kudo në Botë, është mësymja që të gjitha problemet e mundshme, veçmas ato që kërkojnë një lloj të pajtimit të gjerë në politikë dhe në shoqëri, të zgjidhen me një dialog politik, i cili pastaj, sjell rëndom marrëveshjen politike.

Tek ne, si qëndrojnë punët tani, koncepti themelor mbizotërues është ai i konfrontimit total politik, e jo i kooperimit, ai i kacafytjes me çdo kusht, me apo pa argumente, e ajo ai i gjetjes së mënyrave për kryerjen e përbashkët të detyrave me të cilat është ngarkuar shteti i Kosovës, e jo një Qeveri.

Fundamenti

Ndër ne, në këtë politikën kosovare, ka gjithnjë e më pak biseda me zë normal për çfarëdo teme, e lëre më për temat të cilat janë pjesë e përditshmërisë sonë, dhe të cilat nuk do të hiqen prej agjendës politike të këtij vendi. Ta zëmë, Veriu i Kosovës ose do të integrohet (më në fund), ose do të humbet (një herë e përgjithmonë). Nuk ka më mundësi për farë mesi asnjanës, ku njeh Veriun vetëm si pjesë formale të Republikës së Kosovës. Ta zëmë, raportet e Kosovës me Serbinë, ose do të njohin një kërcim para drejt një normalizimi që duhet të konkludohet me njohjen reciproke, ose ato do të shënojnë një prapakthim të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. As këtu më nuk ka gjasa të mbahen në këmbë gjendja e sotme e cila është krejtësisht e paqëndrueshme.

A jemi në gjendje të kuptojmë se çfarë bëhet fjalë këtu, në përballjen me këto sprova?

Përgjigjen e dimë, shumë prej nesh.

Sekretarja e Shtetit, Hillay Clinton, e cila në mandatin e saj për herë të dytë këto ditë qëndroi në Prishtinë, në fjalën e saj drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dha shembullin e saj, të konkurrimit për t’u nominuar kandidate demokrate për postin e Presidentit të Amerikës, dhe të pranimit për të qenë pjesë përbërëse e Administratës së Presidentit Obama.

U bëmë bashkë, tha Clinton, sepse edhe Presidenti Obama, edhe unë e duam Amerikën, atdheun tonë.

Fare thjeshtë dhe shumë saktë.

Kur kthehesh në Kosovë dhe provosh disi ta aplikosh këtë mësim të Sekretares Clinton, reagimi i parë që të ndodhë, realisht, është dëshpërimi.

Atdhedashuria tek ne në masë të madhe është shndërruar në luftë politike të pakompromis, duke njohur istikamet e mëdha, qasjen e konfrontimit të pakursyer politik, me pretendimet për ta shpallë monopolin mbi dashurinë për atdheun, apo, për ta zhbërë fare këtë dashuri, thjeshtë, duke mos e njohur Kosovën ai Atdhe, por duke e shpallë Kosovën si një stacion kalimtar të trenit, një shtëpi të përkohshme strehimi, derisa të ndodhë shuarja e këtij shteti dhe bashkimi me një shtet tjetër.

Për më shumë, të tillët, janë krenar që duan ta prishin shtetin e Kosovës. Dhe mburren që punojnë ditë e natë për këtë cak politik.

Askush nuk ka dhe nuk mund të ketë justifikim në këtë shoqëri, pa marrë parasysh edhe meritat (eventuale) që i ka në të kaluarën tonë që njeh emëruesin e përbashkët në trajtë të tragjedive individuale dhe asaj të mbarë një populli, që të konfrontohet me shtetin e Kosovës dhe ta mëdyshë atë, në emër të një lufte kundër një Qeverie, apo edhe kundër një politike kosovare në përgjithësi.

Kjo, megjithatë, po ndodhë në Kosovë dhe po merr hov, gjithnjë e më shumë madje.

Nëse vazhdon kështu, nuk do të vonoj dhe fjalia përshkruese për gjendjen në politikën dhe shoqërinë kosovare do të jetë: E pashpresë. Dhe shumë serioze.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)