RCCOLA

Përmes konferencës online qytetarët e Kosovës u informuan për rolin e të ushqyerit shëndetshëm

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Mbi 100 mijë qytetarë anë e mbarë Kosovës kanë përcjell video-konferencën online të UBT-së me temë: “Roli i të ushqyerit shëndetshëm aplikimi i masave të mira higjenike në parandalimin e pandemive”, konferencë e cila është mbajtur në Televizionin “UBT”.

Video-konferenca njëherësh është shfaqur live edhe në Radio “Campus”, me frekuencë 100.7 FM, si dhe në faqet zyrtare të UBT-së në Facebook, Instagram dhe Youtube, ku pati mijëra ndjekës dhe dëgjues që ndoqën këshillat e profesionistëve të ushqimit.

Kjo konferencë online mblodhi forumin nga Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, të cilët përgjatë 2 orëve dhanë rekomandime se si të ushqehemi shëndetshëm dhe për masat higjienike që duhet ndërmarrë në kohë pandemie.

Hapjen e konferencës live e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili ka theksuar se UBT është institucioni i vetëm arsimor që ndërmerr iniciativa të tilla, konkretisht organizimin e debateve, konferencave mbi temat aktuale, me fokus të veçantë për pandeminë COVID-19.

Sipas rektorit Hajrizi, ekspertët nga fusha e shkencave të ushqimit dhe të bioteknologjisë kanë rol të rëndësishëm sepse na ndihmojnë në dhënien e ekspertizave profesionale lidhur me të ushqyerit shëndetshëm dhe aplikimin e masave higjienike në kohën e pandemisë, virus me të cilin po përballet e gjithë bota.

Duke folur për mikroorganizmat dhe aktivitetin e tyre në ushqime, profesori në UBT, Hyzer Rizani, theksoi se ato janë mfajt të përhapura dhe të cilat mund t’i gjejmë kudo në tokë, ujë, ajër, ushqim, në trupin e kafshëve por edhe në trupin e njeriut.

Prandaj, sipas tij ka rol mjaft të rëndësishëm të ushqyerit shëndetshëm.

“Nga numri i përgjithshëm i mikroorganizmave 87% të tyre kanë rol të dobishëm, kurse ne sot po përballemi me atë 3% i cili është i rrezikshëm për shëndetin tonë”, theksoi Rizani.

Mobi Casa

Duke folur për rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm, profesoresha Eglantina Kraja, theksoi se një dietë e ekuilibruar mirë përmirëson cilësinë e jetës, kurse sipas saj, kequshqyerja ndikon drejtpërdrejtë në praninë e infeksionit.

Kraja ka rekomanduar që të përdorim sa më shumë fruta dhe perime të freskëta, qumësht me yndyrë jo të lartë, ushqim të gatuar në shtëpi dhe sa më pak ushqim të gatshëm, të ulet përdorimi i kripës, sheqerit dhe i yndyrës, të ulim masën ushqimore ditore pasi që mund të shkaktohet sëmundje të obezitetit, sëmundje kardio vaskulare si dhe hipertensioni.

Ajo, po ashtu rekomandoi që të qëndrojmë të hidratuar dhe të shmangim pijet alkoolike.

Tutje, profesori Mufail Salihaj potencoi se helmimi i ushqimeve vjen kryesisht nga burime biologjike dhe kimike. Sipas tij, ushqimet më të prekura nga këto lloj helmesh janë ushqimet e përpunuara si, djathërat, sallamet, qumështi, mishi dhe vezët, shpeshëherë edhe perimet e përpunuara pastaj frutat e thata, etj. “Natyrisht kequshqyerja ndikon drejtpërdrejtë në sistemin tonë imunitar, gjë që si pasojë individin e bën më të dobët karshi luftimit të virusit.”, theksoi ai.

Duke folur për sigurinë në produktet ushqimore, profesor Mergim Mestani potencoi se në ligjet mbi standardin e ushqimit jepet theks i veçantë për aplikimin e higjienës dhe aplikimin e praktikave të mira të prodhimit.

Ai shtoi se ndërmarrësit janë të obliguar nga rregulloret vendore dhe ndërkombëtare që t’i plotësojnë tri kritere bazike: furnizimi i konsumatorëve me prodhime ushqimore që kanë vlera dhe cilësi të lartë, obligohen që prodhimet më pak të qëndrueshme t’i kthejnë në prodhime të qëndrueshme, si dhe të furnizojnë konsumatorin në mënyrë të vazhdueshme pavarësisht nga gjendja apo problematikat aktuale.

Konferenca është përkrahur në çdo aspekt nga Media Group në UBT, ku bashkërisht punuan me Grupin e IT-ve, që kjo konferencë të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim të ofrimit të qytetareve informacione për rolin e ushqimit të shëndetshëm në kohë pandemie.

Konferencën e ndoqën shumë njerëz dhe patën mundësinë të parashtronin pyetjet e tyre, për të cilat dhanë përgjigje e rekomandime ekspertët e pranishëm në konferencë, teksa komentues të shumtë dhanë komente pozitive për tematikën e qëlluar dhe trajtimin e saj në mënyrë profesionale./rajonipress/