Përmbyllen “Ditët e Agimit 2026” në Zhegër, nderohet trashëgimia e Agim Ramadani
Gjilan – Është përmbyllur manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2026”, i organizuar në Zhegër nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit”. Aktivitetet disa ditore mblodhën përfaqësues institucionalë, figura politike dhe qytetarë të shumtë për të përkujtuar jetën dhe veprën e komandantit Agim Ramadani.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Gjilanit dhe subjekte të ndryshme politike, duke e kthyer Zhegrën në një qendër të rëndësishme të kujtesës dhe reflektimit kombëtar.
Alban Hyseni theksoi se përmbyllja e këtij manifestimi përkon me një datë të veçantë, duke kujtuar se, po të ishte gjallë, komandanti i njohur si Katana do të festonte 63-vjetorin e lindjes. Ai vlerësoi figurën e Agim Ramadani jo vetëm si luftëtar, por edhe si poet dhe artist që, sipas tij, “e shkroi lirinë me vargje para se ta vuloste me gjak”.
“Sot në Zhegrën tonë u bashkuam për të përmbyllur ‘Ditët e Agimit’, duke kujtuar një figurë që i dha dritë maleve tona dhe frymëzim brezave,” tha Hyseni, duke shtuar se aktivitetet kulturore, sportive dhe artistike i dhanë jetë qytetit dhe zonës përreth.
Në këtë ngjarje foli edhe Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se Zhegra mbetet vendi ku nisi rrugëtimi i një figure që u bë simbol për gjithë vendin. “Sot e nderojmë jetën dhe veprën e tij, këtu mes njerëzve të tij,” u shpreh ai.
Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme përkujtimore dhe kulturore në rajon, duke ruajtur gjallë kujtesën për sakrificën dhe idealin e lirisë./rajonipress/(foto Lumi Press).


