Përkujtohet në Viti poeti dhe publicisti Ramadan Musliu, në gjashtëvjetorin e vdekjes
Viti – Në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta të poetit dhe publicistit të njohur Ramadan Musliu, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varri i tij, në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Në këtë përkujtim morën pjesë edhe personalitete të tjera, poetë, dashamirës të fjalës së shkruar, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve që mban emrin e Ramadan Musliut.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, sot nga ora 10:30, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” organizon manifestimin tradicional të orës letrare “Metamorfoza e vjeshtës”.
Gjatë këtij manifestimi pritet të promovohet edhe libri “Poetika e transformimit në poezinë e Ramadan Musliut”, i autorit Sarë Gjergji.
Aktivitetet synojnë të nderojnë dhe të mbajnë gjallë kujtimin për Ramadan Musliun, duke vlerësuar kontributin e tij në letërsinë dhe publicistikën shqiptare./rajonipress/


