Fundamenti

Përkujtohet me një Akademi përkujtimore atdhetari Sejdi Kryeziu

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politik, ka organizuar të mërkurën një Akademi Përkujtimore për atdhetarin e paepur të kauzës kombëtare, Sejdi Kryeziu.

Akademia Përkujtimore u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “ Isa Kastrati” në Dardanë, ku të pranishëm ishin veprimtarë të shumtë dhe bashkëmendimtarë të atdhetarit Sejdi Kryeziu, Hydajet Hyseni, Selatin Novosella, Emin Krasniqi, Zenun Pajaziti etj., ndër ta edhe profesor Hazir Shala, i cili evokoi kujtimin për Sejdi Kryeziun, duke ngritur larte veprimtarinë atdhetare të tij.

Shala, kërkoi nga të pranishmit që veprimtarë si Sejdi Kryeziu, të afirmohen dhe të respektohen në shkallë të lartë, sepse ata kanë merita të mëdha që sot ne gëzojmë lirinë. Ai shprehu fuqishëm dëshirën e atdhetarëve, që një ditë të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar si kurë më parë. “Shumë organizma botërorë janë të bashkuar:Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian etj, e pse të mos jemi edhe ne të bashkuar”, tha në fund të fjalës së tij profesori Hazir Shala, i cili u duartrokit nga pjesëmarrësit e Akademisë… Me një fjalë rasti, Akademinë kushtuar Sejdi Kryeziut, ka përshëndetur Kryetari i Komunës së Dardanës, Shaip Surdulli, i cili çmoi lartë veprimtarinë atdhetare të Sejdi Kryeziut.

Surdulli, para pjesëmarrësve të Akademisë, premtoi se me një procedurë zyrtare të komunës, emri i atdhetarit Sejdi Kryeziu, do ta mbajë ndonjë rrugë apo shkollë e komunës së Dardanës.

Mobi Casa

Për biografinë dhe aktivitetin atdhetar të Sejdi Kryeziut, ka folur Shefik Sadiku, Kryetar i Shoqatës së ish luftëtarëve të UÇK-së për komunën e Dardanës. Me një fjalë rasti ka përshëndetur tubimin edhe profesori Baftiar Kryeziu, i cili tha së “Sejdi Kryeziu ishte zë i heshtur por jo i harruar”.

Ai më pas paraqiti aktivitetin e një atdhetari i cili ishte organizator i demonstrative shqiptare që nga viti 1968, ku më pas arrestohet nga UDB-ja për veprimtarinë atdhetare të tij. Kryeziu kishte bashkëpunëtorë të ngushtë Metush Krasniqin, Qemajl Kallaba dhe shokët tjerë të komunës së Dardanës dhe më gjerë. Për shkak të ndjekjes, shpërngulet në Maqedoni, ku edhe atje nuk rri duarkryq, por angazhohet për të organizuar në Tetovë, demonstrata për kauzën kombëtare. Sejdi Kryeziu, vdes në vitin 1997.

Në emër të familjes së atdhetarit Kryeziu, përshëndeti mbesa e tij, Ermira Kryeziu, e cila falënderoi organizatorët e Akademisë kushtuar gjyshit të saj, Sejdi Kryeziu. Në fund Akademia u përmbyll me disa pika muzikore dhe dy poezi kushtuar atdhetarit Sejdi Kryeziu njofton bashkëpunëtori jonë Rexhë Hasani./rajonipress/