Mobi Casa

Përkujtohen dëshmorët në Rahovicë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Kamenice – Banorët e Rahovicës, Leshtarit, Strezocit dhe rrethinës sot përkujtuan 15 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të Kombit Arsim e Shemsi Isufi, Ramadan Kastrati e Basri Canolli, rënies burrërore të plakut Ahmet Mehmeti dhe shpërnguljes së 500 banorëve të kësaj zone nga ana e forcave paramilitare serbe. Edhe përkundër kohës me shi qindra banorë të kësaj ane ishin tubuar në nderim të dëshmorëve të kombit. Afrim Emini ka evokuar kujtime nga 18 prilli i vitit 1999 dhe ka përshkruar rënien e dëshmorëve e merr pastaj dëbimin e banorëve nga shtëpitë e tyre dhe strehimin që gjetën në Kopërnicë.

Kryetari i Komunës Begzad Sinani në fjalën e tij para banorëve tha: “Na bashkoi sot edhe njëherë përvjetori i rënies heroike të dëshmorëve të kombit : Arsim Isufi , Shemsi Isufi, Ramadan Kastrati dhe Basri Canolli, rënies burrërore të plakut Ahmet Mehmeti si dhe shpërnguljes me dhunë të banorëve të fshatrave Leshtar, Strezoc, Rahovicë dhe Gregjenik nga policia, ushtria dhe paramilitarët serb. Baza e vlerave të Kosovës qëndron në gjakun e derdhur për liri.

Ky gjak përbën krenarinë tonë, sepse është themeli i Kosovës së lirë e të pavarur, ai përbën njëkohësisht obligimin tonë për ndërtimin dhe forcimin e atdheut ashtu siç e ëndërronin dëshmorët, ashtu siç na lanë amanetin e fundit.

Në saje të këtij gjaku populli i Kosovës sot jeton i lirë dhe dinjitoz, fëmijët e saj rriten të gëzuar e pa frikën nga terrori barbar. Dëshmorët i falën lumturinë brezave, por siguruan edhe për veten e tyre lumturinë e amshueshme të shkallës më të përsosur.

Mbi themelet e këtij gjaku ne po ndërtojmë shtetin modern e demokratik të Kosovës, atdheun e lirë e të përbashkët të të gjithë qytetarëve të tij të barabartë.

Eco Higjiena

Në jetën tonë të përditshme politike e shoqërore edhe mund të mos merremi vesh më së miri, edhe mund të grindemi, por në çështjet fondamentale të shtetit e të ardhmes sonë të përbashkët, busulla e sigurt orientuese janë varret e dëshmorëve tanë të lavdishëm dhe idealet e tyre të pavdekshme.

Virtytet e tyre janë pasuria më e çmueshme morale, edukative e shpirtërore e këtij populli. Por lavdia e çdo virtyti qëndron në zbatimin e tij, prandaj ne i mbajmë gjallë dëshmorët jo vetëm në kujtimin tonë të përjetshëm, por edhe duke i konkretizuar vlerat e tyre që na i lanë trashëgim.” tha kryetari Sinani.

Në emër të këshillit lokal mysafirët dhe të pranishmit i përshëndeti kryetari i këshillit Astrit Demolli, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve Agim Isufi, vëllau i dëshmorit Arsim Isufi.

Për të pranishmit u shfaq edhe program artistik me poezi, këngë e valle. Po në shënim të këtij përvjetori u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh në varret e lapidarët e dëshmorëve Arsim e Shemsi Isufi, Ramdan Kastrati e Basri Canolli./rajonipress/