RCCOLA

Perimet e stinës, produktet që nuk duhen ndarë nga tavolina

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Perimet janë burimi kryesor i vitaminës C dhe E, acideve organike, kripërave minerale e lëndëve që u japin atyre shije të këndshme.

Lakra, brokoli, angjinare, marule dhe spinaq. Nga “shporta e artë” e natyrës, këto perime konsiderohen si ushqimet më të përshtatshme për të luftuar të ftohtin. Por, për të ruajtur vlerat e tyre ushqyese dhe terapeutike, duhen konsumuar të freskëta dhe “të gjalla”. Perimet zënë një vend të rëndësishëm në dietën ushqimore të njeriut, pasi janë të pasura me vitamina e kripëra minerale dhe ndihmojnë në tretjen e ushqimeve. Ato janë burimi kryesor i vitaminës C dhe E, acideve organike, kripërave minerale e lëndëve që u japin atyre shije të këndshme. Kripërat minerale që ato përmbajnë, sikurse janë kripërat e kalciumit, fosforit dhe hekurit, janë të domosdoshme për veprimtarinë jetësore, ndërsa lëndët që i japin shijen, ngjyrën dhe aromën, nxisin oreksin dhe ndihmojnë në përvetësimin e proteinave të mishit e peshkut. Po ashtu, celuloza që ato kanë ndihmon në pastrimin e stomakut, zorrëve dhe nxjerrjen jashtë të lëndëve të dëmshme për organizmin, si kolesterinën e tepërt dhe produktet e tjera jo të shëndetshme.

Për të gjitha cilësitë dhe vlerat e mira që kanë perimet, duhet të konsumohen çdo ditë në mënyra dhe sasi të ndryshme. Për më tepër, kërkimet e reja tregojnë se përfshirja e rregullt e perimeve në dietën ushqimore mund të ndihmojë në parandalimin e shumë sëmundjeve dhe kjo për arsye se këto ushqime janë të pasura me vitaminë E dhe C. Por në studimin e botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, jepen të dhënat më të qarta të një lidhjeje midis këtyre vitaminave dhe shumë sëmundjeve të ashtuquajtura dimërore. Studimi u krye për të parë nëse marrja e ushqimeve antioksiduese mund të pakësojë rrezikun e prekjes nga to. Le ta nisim nga lakra. Është një mbrojtëse e mirë e sistemit imunitar, që ruan rrugët e frymëmarrjes, parandalon gastritin, ulcerën, kolitin ulceroz. Për më tepër, lufton lodhjen dhe ndihmon për një lëkurë të shëndetshme. Dhe sikur të mos mjaftonte, rrit mbrojtjen organike dhe ka veti të larta ushqyese. Pa harruar këtu fuqinë antioksiduese për shkak të vitaminave në sasi të mëdha. Një sasi e vogël lakre e grirë përmban 22 kalori dhe shumë përbërës të domosdoshëm ushqimorë që kryesohet nga një përbërës kimik, i cili ul prodhimin e enzimave në trup, ndalon dëmtimin e qelizave, shkatërron radikalet e lira dhe ul rrezikun e prekjes nga kanceri.

Megjithatë, që elementet ushqyese të mos humbasin, është e nevojshme që perimet të jenë të freskëta dhe të gatuhen shpejt, sepse vitaminat nuk e duan as dritën dhe as temperaturat e larta (sipër 60 gardë celsius, vitaminat B dhe C shkatërrohen). Po ashtu, nëse arrijmë t’i rezistojnë tërheqjes së domateve dhe patëllxhanëve të rritur pa asnjë minutë diell, do të zbulojmë se sallata me lakër kokë është në gjendje të na japë më shumë se gjysmën e nevojës sonë të përditshme për vitaminë C dhe në të njëjtën kohë largon substancat kimike helmuese që gjenden te mishi dhe sallamet. Një tjetër alternativë e mirë ngelet padyshim edhe sallata me bazë lakrën e kuqe, marulen, brokolin dhe spinaqin. Të gjitha këto jeshillëqe që nuk duhen ndarë asnjëherë nga tavolina, mund të shoqëroheshin shumë mirë me farat e kungullit, susamit dhe lulëkuqes. Pastaj nëse i shtojmë një mollë të athët të grirë në feta, pak arra të grira, limon dhe vaj ulliri, asnjë nuk mund t’iu rezistojë. Kështu dashur pa dashur kemi krijuar një thesar të vërtetë vitaminash. Nëse dëshironi mund ta shoqëroni me feta buke të zezë, të lyera me djathë kaçkavall të shkrirë.

Lakra e zezë

Pjesëtare e familjes së “lakrave pa kokë”, një thesar i vërtetë vitamine C dhe hekuri. Konsumohet “e gjallë” nëpër sallata, pasi kështu ruan më mirë edhe vetitë e saj.

Sallatat

Acid folik, likopeni, alfa dhe beta karotinë, vitaminë E dhe C: këto dhe shumë përbërës të tjerë mund të gjenden në organizmin e personave që vaktet e të ngrënit i shoqërojnë me sallatë. Në fakt, është cilësuar pak si surprizë ky zbulim. Ai që ka treguar për virtytet e sallatës ka qenë një studim i publikuar në “Journal of the American Dietetic Association”, ku ekspertët e “School of Public Health” në Los Angelos kanë analizuar të dhënat e më shumë se 17.500 personave të mbajtur në një data-base të një studimi mbi ushqyerjen dhe u tregua për herë të parë se gjaku i personave që hanë sallata është i pasur me vitamina dhe antioksidues të domosdoshëm për një jetë të shëndetshme. Në veçanti, vitamina C arrin mesatarisht në kuotën 165 për qind te gratë dhe 119 për qind te burrat, në krahasim me ata që nuk përdorin sallata. Po sipas studimeve, mjafton edhe një sasi e vogël në ditë për të arritur dozat optimale të shumë mikroushqyesve me efekte pozitive në organizëm.

Uji Dea

Angjinare

Ka veti tretëse, pastruese dhe mbi të gjitha është shumë e pasur me hekur. Rritet në mënyrë spontane në zonat e ngrohta. Quhet ndryshe edhe karçof. Varietetet ndahen në varësi të ngjyrës dhe gjembave.

Lulelakra

Ka vetëm një gjë negative: aromën e pakëndshme kur gatuhet. Për ta evituar, mjafton që të shtojmë një lugë miell të bardhë dhe pak lëng limoni në ujin e zierjes. Nëse janë të vogla dhe të freskëta, janë shumë të shijshme edhe “të gjalla” me vaj ulliri dhe limon.

Prasi

Një perime tjetër me një numër të pafund vetish pozitive për shëndetin, ku përmendim ato diureike, tonifikuese dhe pastruese. Protagonist i padiskutueshëm i supave, apo sallatave, që mund të konsumohet edhe “i gjallë”, ku pjesa e bardhë është më “e çmuara”. Në të gjitha rastet, prasi rekomandohet të përdoret i freskët. ndërsa farat e shtypura të tij, të ziera në verë të bardhë, këshillohen kundër rërës në veshka dhe kundër dhembjeve therëse.

Brokoli

Brokoli është i pasur me kalcium, hekur, fosfor, kalium dhe vitaminë C. Përmban gjithashtu edhe vitaminë B1 dhe B2 dhe janë një burim i mirë fibrash ushqyese.