Përgjimet që zbuluan pjesëmarrësit kosovarë në Siri
Ekzon Latifi, 21 vjeçar nga Gjilani, është njëri nga 32 personat që tashmë ndaj tyre është ngritur aktakuza.
Latifi u arrestua nga Policia e Kosovës, me 11 gusht të vitit të kaluar, së bashku me 40 të tjerë, nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste”.
Ai u zu pasi që iu përgjua telefoni, përgjime këto që nxjerrin një bisedë të Egzon Latifit me babin e tij.
“O baba im, o vallahi nuk është puna që unë s’po dua me ardh, po çështja është që së pari duhet t’i zbatoj urdhrat e Allahut e pastaj të prindërve, Allahu na ndihmoftë”, janë fjalët që dëgjohen në mesazhin telefonik që 21-vjeçari ia kishte kthyer babait të tij, kur ky i fundit i kërkonte të kthehej nga Siria.
Latifi kishte shkuar në Siri më 2 shtator të vitit 2013.
Pas disa javësh atje, në një qendër trajnimi në afërsi të Alepos, ai ishte kthyer në Kosovë. /zeri/


