Përfundon takimi Kurti-Escobar-Lajçak – Këto janë tri kërkesat e SHBA-së dhe BE-së

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin 3 kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ndërmjetësi sllovak pas përfundimit të takimit me Kurtin ka thënë se është prezantuar propozimi prej tri pikave për të dalë nga situata.“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.
“E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”, ka thënë Lajçak.“Misioni ynë vetëm sa ka nisur”.Takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta me vonesë, pasi Kurti ndodhej në stadium për të parë një ndeshje futbollistike. Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.