RCCOLA

Përbindëshi Muhaxheri

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Lavdim Hamidi – Akti makabër i Lavdrim Muhaxherit teksa ekzekuton një fëmijë në Siri, pamje këto tmerruese, që duke u mburrur i kishte postuar në rrjetin social “Facebook”, i kanë dhënë një “shqelm të rëndë” imazhit të Kosovës.

Ky pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, e cila e ka vëmendjen e botës për aktet e tmerrshme terroriste ndaj civilëve, fatkeqësisht vjen nga Kosova. Ndonëse vetë e ka shqyer pasaportën e Kosovës, kjo nuk mjafton për ata që duan ta shfrytëzojnë këtë akt mizor kundër Kosovës, për ta shpallur “çerdhe të terroristëve”.

Pas Muhaxherit edhe shumë të tjerë kanë shkuar në Siri me ideologjinë, e cila asnjëherë nuk ka qenë e njohur për Kosovën: të vrasësh në emër të fesë. Rreziku potencial për Kosovën janë shokët e Lavdrim Muhaxherit, ata të cilët hyjnë e dalin nga vendi kur të duan.

Kosova është ambient i përkryer për shtrirjen e kësaj ideologjie dhe rekrutimin e të rinjve. Mjafton t’i hedhësh një sy statistikave marramendëse të papunësisë dhe varfërisë. Gatishmëria për të bërë akte të tilla nuk ka nisur dhe as nuk përfundon me Muhaxherin, sepse atij nuk i mungojnë përkrahësit.

Kujtoj disa muaj më parë kur disa të rinj në Prishtinë rrahën dy shtetas amerikanë, derisa grupe të tilla Muhaxherësh, u zbuluan derisa ishin duke përgatitur sulme terroriste në Parkun e Gërmisë.

Shtrirja e ekstremizmit nuk është duke u bërë vetëm ndaj jomuslimanëve, sepse jo pak imamë liberalë në Kosovë kanë pësuar keq nga këto grupe.

Imami Osman Musliu nga Drenasi, është rrahur dhe i është thyer dora brenda xhamisë vetëm pse ka ligjëruar kundër këtyre sekteve islame. Musli Verbanit, imam në Kaçanik, i është djegur vetura vetëm pse pati dalë kundër grupeve vehabiste. Njohësi i çështjeve islame, Xhabir Hamiti, është rrahur pasi që publikisht ka dalë kundër këtyre rrymave dhe shumë raste të tjera, të cilat na dëshmojnë se kjo nuk është “luftë për fe, por për pushtet”.

Fundamenti

Ndërkohë që Siria i hapi rrugën sojit të Lavdrimit, i cili bashkë me kasapët e tjerë shqiptarë të organizatës terroriste ISIS, po i nxjerrin faqen e zezë Kosovës.

Fotografitë, ku Lavdrimi si xhelat i vardisej një fëmije me hanxhar në dorë, nuk korrespondojnë as me imazhin imagjinativ të Frankenshtajnit, por janë mesazh i qartë për ata të rinj që po u shpërlahet truri se për çfarë luftohet në Siri. Dhe përfundimisht, nëse ai dhe shokët e tij janë shqiptarë dhe myslimanë, atëherë ne të tjerët nuk jemi!

E ky akt barbar, i cili ka zënë faqet e mediave ndërkombëtare, erdhi në ditën kur pritej të publikohej raporti i prokurorit amerikan, Clint Williamson, me të cilin u kryqëzuan eprorët e UÇK-së se në mënyrë individuale kanë kryer krime lufte.
Pas kësaj tronditjeje publike kombëtare nga krimi i “komandant Muhaxherit”, institucionet e sigurisë së Kosovës duhet të jenë edhe më të vëmendshme në lidhje me kërcënimet në rritje nga ekstremizmi dhe radikalizmi fetar, në mënyrë që të luftohen të gjithë përbindëshat si ai.

Është koha e fundit që Kosova ta dëshmojë para botës se në asnjë mënyrë nuk do të bëhet eksportuese e terrorizmit global dhe as s’do të jetë çerdhe e terroristëve, por me masat që i merr ta parandalojë dhe të luftojë këto dukuri negative. Pak veprime të çoroditura, si ky i fundit në Siri, i nevojiten Kosovës të shkojë drejt humnerës.

Për një rrugë të tillë, që shteti më i ri në Evropë të shkojë drejt greminës, ka lobuar gjatë Serbia, duke u dërguar në vazhdimësi mesazhe shteteve perëndimore se “na keni bombarduar për Kosovën, që është vend i islamistëve terroristë”.

E atë që nuk arritën ta bëjnë armiqtë e Kosovës, që nuk u ka kushtuar pak para, po e bëjmë vetë ne nëpërmjet çetës së përbindëshave shqiptarë në Siri e Irak, të cilat udhëhiqen nga Lavdrim Muhaxheri me shokë dhe jo pak përkrahës të tyre në Kosovë.