RCCOLA

Për veriun s’bën të bisedohet as me Serbinë, as me strukturat paralele

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – “Forumi 2015” u rekomandon institucioneve të Kosovës që në asnjë mënyrë të mos diskutojnë me Serbinë për çështjen e veriut, dhe se ato nuk duhet t’u ofrojnë serbëve në veri asgjë më shumë se Pakon e Ahtisaarit.

Në raportin “Mëngjesi një ditë pas: Jeta pa mbikëqyrje”, i cili është bërë publik të hënën dhe do të prezantohet sot në një konferencë shtypi, hartuesit vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet të nisë një dialog me përfaqësuesit legjitimë në veri të vendit. Në rekomandimet që jepen në kohën kur institucionet e Kosovës po përmbyllin fazën e pavarësisë së mbikëqyrur, thuhet se “do të ishte e pajustifikueshme dhe e gabuar që çështja e veriut të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd”.

Liderët e Kosovës kishin mohuar se do të zhvillojnë dialog politik me Serbinë, mirëpo ditëve të fundit ata kanë shprehur gatishmëri për të hyrë në dialog me Beogradin zyrtar. Ata kanë thënë se me Serbinë nuk do të diskutojnë çështje të brendshme të Kosovës. Opozita dhe shoqëria civile akuzojnë partitë në pushtet se nuk janë të përgatitura për dialog me palën serbe. Serbia duhet të ketë raporte të fqinjësisë së mirë me shtete përreth nëse dëshiron të marrë një datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Opozita akuzon koalicionin në pushtet se po ia lehtëson Serbisë rrugën e integrimit evropian.

Autorët e raportit të “Forumit 2015” mendojnë se zgjidhja e vetme për veriun është zotimi prej përfaqësuesve legjitimë të veriut, Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për përmbushjen e të gjitha aspekteve të decentralizimit. Madje rekomandojnë që Kosova ta ketë prioritet zbatimin e Planit Ahtisaari.

Raporti vë në pah se pengesa kryesore për zbatimin e plotë të procesit të decentralizimit matanë urës së lumit Ibër janë institucionet paralele serbe.

“Këto institucione paralele janë – siç përshkruhet në disa raporte të Qeverisë së Kosovës, të OKB-së dhe të NATO-s – institucione ilegale të financuara nga Qeveria e Serbisë dhe nga rrjetet lokale të krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Mobi Casa

Autorët e “Mëngjesi një ditë pas…..” – Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”, Lumir Abdixhiku nga instituti “Riinvest”, Dren Doli dhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike – theksojnë se Qeverisë së Kosovës i duhet ndihma e KFOR-it dhe EULEX-it për realizimin e Pakos së Ahtisaarit në tërë territorin e vendit.

“Forumi 2015” ka evidencuar se Kosova dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar kanë përmbushur shumicën e rekomandimeve të planit të ish-presidentit finlandez, i cili ishte bazë për shpalljen e pavarësisë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë kanë vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ia ka dalë ta shtrinte sovranitetin e vet në tërësi për shkak të “mungesës së vullnetit politik dhe financimit publik” të vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

Një sfidë tjetër për institucionet e Kosovës do të jetë edhe prania ushtarake ndërkombëtare pasi që legjitimiteti i KFOR-it ka buruar nga Rezoluta 1244 dhe Marrëveshja Ushtarake Teknike e Kumanovës, shkruajnë analistët e çështjeve politike dhe juridike. Ata rekomandojnë arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe NATO-s për legjitimimin e pranisë së Aleancës Veriatlantike në Kosovë. Së fundi, Kosova i ka bërë thirrje NATO-s të nënshkruajë me të një Marrëveshje të Statusit të Forcave (SOFA) pasi shumica e shteteve anëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Raporti i rekomandon KFOR-it që ta përgatisë FSK-në që ajo të jetë e aftë të marrë përgjegjësitë e sigurisë në kohën kur nuk do të ketë prani ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Gjithashtu i kërkohet KFOR-it t’ia heqë FSK-së ndalesën për blerjen e armëve të lehta dhe të rënda.

Ndërkaq misionit të EULEX-it i bëhet thirrje “të bazohet në një kornizë të re të bashkëpunimit, pasi EULEX-i duhet të luajë një rol domethënës në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqësorit dhe prokurorisë”.(koha)