Fundamenti

Për tmerrin që s’e shohim

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Rasti mizor mbi të moshuarën e sëmurë dhe të pafuqishme në Pejë është vetëm një ndër kushedi sa të tillë që çdo ditë mund të ndodhin nëpër çerdhe e shkolla, shtëpi, spitale dhe institucione të tjera. Tmerre që ndodhin brenda katër mureve, por që nuk i sheh askush, në një shoqëri ku dhuna është normalizuar.

Një grua e moshuar dhe e sëmurë, që torturohet nga katër infermiere, në një shtëpi përkujdesjeje për këtë kategori. Jo vetëm që torturohej, por pjesëmarrëset në krim argëtoheshin me atë që bënin. Pra, kënaqeshin teksa e shihnin njërën nga koleget se si e godiste pa mëshirë gruan e pafuqishme dhe të paaftë për të reaguar. Vetë nëna, motra dhe bija të dikujt, atyre iu dukej argëtuese të maltretojnë pacienten, së cilës do të duhej t’i shërbenin dhe për përkujdesjen ndaj së cilës familjarët kishin paguar një shumë jo të vogël parash.

Videoja skandaloze u shpërnda gjithandej dhe akti neveritës u dënua e gjykua me të drejtë. Shoqëria u çua në këmbë që të reagojë për një vepër të tmerrshme, që kishte ndodhur brenda mureve të një institucioni që do të duhej t’iu shërbente të moshuarve, por që rastësisht kishte arritur të shfaqet në publik. Por, sa e sa raste të tjera mund të kenë ndodhur ose ndodhin në qendra dhe institucione të ndryshme, të cilat nuk dalin jashtë dhe për të cilat publiku nuk është në dijeni?

Prokurori i rastit që ndodhi në Pejë tha se ka indikacione që në të njëjtën qendër mund të kenë ngjarë edhe raste të tjera të ngjashme. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një qendër, tmerri brenda së cilës u bë publik. Vetëm mund të supozohet se sa raste të tilla ose të ngjashme mund të ndodhin çdo ditë.

Familjarë paguajnë mjekë e infermierë në qendra të moshuarish, që të përkujdesen për prindërit e të afërmit e tyre. Është vështirë e besueshme që dikujt t’i vijë ndërmend ose të dyshojë se në këto hapësira dikush mund t’i torturojë të moshuarit vetëm pse i teket të “argëtohet” me mizorinë dhe sadizmin e vet.

RCCOLA

Ushtrimi i dhunës si mjet “edukimi” është i përhapur gjithkah. Para pak kohe është publikuar një video e dhunës mbi fëmijë në një çerdhe. Ngjashëm ka pasur mllef dhe histeri reagimesh. Por, kush del të thotë se gjendja është më e mirë tash? Kush e konfirmon një gjë të tillë? Kush siguron se nuk përdoret dhunë nëpër shkolla? Për dhunën në familje mjafton të shihen komunikatat e policisë, në të cilat pasqyrohen vetëm rastet e raportuara. Për sa e sa të tjera nuk njoftohet policia, duke mbetur të heshtura brenda mureve të shtëpisë, thua se nuk kanë ndodhur asnjëherë.

Rasti i Pejës shpërfaq një të vërtetë të dhimbshme dhe është vetëm një sinjal për një problem të madh strukturor, shoqëror. Është veç një tregues për diçka që e dimë të gjithë e nuk flasim, për diçka që na është kthyer në normalitet.

Natyrisht, infermieret që kanë torturuar të moshuarën duhet të marrin dënimin e merituar. Por, përtej kësaj, problemi është serioz dhe kërkon zgjidhje. Që nga kopshtet, në shkolla fillore e të mesme, që nga familja në institucione duhet punuar seriozisht që të ndërrojë mendësia karshi dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve. Problemet janë zingjirore dhe në masë të madhe fajtor mbetet arsimimi i dobët, edukimi i dobët.

Rasti i Pejës do të harrohet brenda pak ditësh, sepse me siguri do të ndodh një tjetër skandal. Por, çështja është nëse institucionet dhe shoqëria në përgjithësi marrin mësime nga këto ndodhi të tmerrshme. Çështja është nëse punohet sa e si duhet në parandalimin e të tillave.


Të shohësh të xhiruar ushtrimin e dhunës mbi këdoqoftë, e aq më shumë mbi një të sëmurë të moshuar, është normale që secili e secila të ndihet keq. Por keqardhja nuk zgjat shumë, andaj e rëndësishme është të shihet çfarë masash do të ndërmerren në të tilla raste – qoftë sa i përket mbikëqyrjes institucionale, qoftë punës së organeve të drejtësisë. Dhe, fort e rëndësishme, që krimet e tilla dhe autorë të tyre të ekspozohen në çdo kohë dhe nga gjithkush. Që tmerri të mos mbetet i ndrydhur brenda mureve.