Për rektorin
Nga Arben Idrizi – Është e dhimbshme dhe e trishtueshme ta shohim rektorin të vetëm, në atë përballje aspak të dinjitetshme me njerëz që vetëm me arsimin s’kanë asgjë të përbashkët.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka ndarë mendjen që qysh nga ky vit të mos lejohet regjistrimi asnjë personi pa provim pranues. Në këtë mënyrë, duke e arritur këtë qëllim, rektori do t’i jepte fund një praktike disavjeçare, e cila lejonte regjistrimin pa provim pranues të mijëra vetave, fëmijë të dëshmorëve, duke u thirrur në të një memorandum të nënshkruar nga ish-rektori Mujë Rugova dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta.
***
Duke dëgjuar deklaratat e fundit publike të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahut, të krijohet përshtypja sikur ai është marrë peng nga një grup kriminelësh të pështirë, të cilët, për të mos lënë të kuptohet se është i rrëmbyer, duke e ditur se në fund ai do të bëjë bash siç do të duan dhe do t’i thonë ata vetë, e lënë të duket para kamerës paksa i fortë dhe rebel, e lejojnë të “kërcënojë” se do të japë dorëheqje po qe se vazhdon ai avaz i vjetër i regjistrimeve pa provim pranues dhe, për pasojë, i keqpërdorimeve të shumta.
Në të vërtetë, rektori është marrë peng nga një bandë që drejtojnë shoqatat e dala nga lufta dhe, për më tepër, nga banda institucionale e drejtuar nga ministri i Arsimit, Ramë Buja.
Privilegji që i bëhet atij grupi personash, është një nga vërejtjet kryesore, është shkelje e të drejtës së barazisë. Të qenit fëmijë dëshmori nuk është meritë, as gjendje që automatikisht kërkon privilegjin e të qenit i pranuar pa provim në shkallën superiore të arsimimit, të cilën rektori po kërkon t’ua heqë. Është një gjendje që, natyrisht, kërkon privilegje të tjera, materiale, të cilat rektori nuk ua ka mohuar.
Vërejtja tjetër, është se duke lejuar këtë praktikë, në të vërtetë ne bëjmë që të persona të caktuar, të thirrur në arbitraritetin e atij privilegji, në vend se të studiojnë, të vazhdojnë të përfitojnë pa të drejtë, deri te diplomimi, e më pas te punësimi. Pra, të përfitojnë në mënyrë joligjore dhe jomorale e në fund fare edhe në kurriz të personave të tjerë, të cilët atë që e kanë arritur, e kanë arritur me meritë dhe rrjedhimisht presin të respektohet e arritura e tyre.
***
Rektori, së fundi, ka deklaruar se i ka mbetur vetëm edhe një hallkë e vetme shpëtimi: Këshilli Drejtues i UP-së. Nëse edhe ata nuk i japin të drejtë, atëherë do të japë dorëheqje.
Të japë dorëheqje ende pa e nisur mirë ta ushtrojë detyrën. Ende pa e dhënë as edhe shembullin e vetëm të një zyrtari që arrin të bëjë të duhurën, duke arsyetuar shpresat e pafundme.
Unë po besoj se Këshilli Drejtues do të ketë pak më shumë sens se sa bandat e atyre shoqatave dhe ministrisë së Arsimit.
Fatkeqësisht, rektori, në iniciativën e tij, duket se ka shumë pak përkrahje edhe nga vetë institucioni nga vjen.
Sepse është e dhimbshme dhe e trishtueshme ta shohim atë të vetëm, në atë përballje aspak të dinjitetshme me njerëz që vetëm me arsimin s’kanë asgjë të përbashkët. Është krejtësisht prej gangsterësh dhe kriminelësh të urdhërohet dhe të detyrohet një institucion i lartë arsimor të veprojë sipas tekave të dhe për interesat e tyre. E tekat e interesat e këtyre grupeve i ndjekin dhe mbrojnë tamam edhe vetë grupet politike, të ngjashëm në mendësi.
***
Rektori Zejnullahu nuk do të duhej të dorëzohej. Edhe pse e dimë mirë do ta ketë tmerrësisht të vështirë nëse është i vetëm. E s’do të duhej të dorëzohej sidomos në një çështje të tillë parimi. Për t’i dëshmuar një herë e mirë se edhe në këtë vend të shkretë ka persona të caktuar që kanë vullnetin e mirë, dhe mund, të bëjnë ndryshimin.


