Për njerëzit normalë

Nga Imer Mushkolaj – Ky vend më së shumti ka nevojë për njerëz normalë. Politikanë normalë që na udhëheqin dhe qytetarë normalë që nuk ua falin keqqeverisjen dhe kërkojnë llogari.
Është ora gjashtë e mëngjesit dhe Simon Burns, Ministër i Transporteve i Britanisë së Madhe, pret trenin për të shkuar në punë. Udhëtimi zgjat 36 minuta dhe zakonisht ndodh që klasa e dytë të jetë e mbushur plot udhëtarë, kështu që i duhet të qëndrojë në këmbë. Lexon gazette dhe nuk e tërheq vëmendjen e askujt, sepse është njësoj si të gjithë të tjerët. Natyrisht paguhet më shumë, sepse e ka një pozitë të rëndësishme, në qeverinë e njërit ndër shtetet më të rëndësishme të botës.
Në fakt, deri kohën e fundit, Burns ka udhëtuar me veturë zyrtare. Por, kur mediat njoftuan se kostoja e shpenzimeve të saj shkonte 80 mijë paundë në vit, ai vendosi të bëjë gjënë më normale, që do ta bënte një njeri i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm – të mos udhëtojë më me veturë. Në këtë mënyrë ai jep shembullin e një zyrtari të lartë, i cili paguhet nga taksat e qytetarëve dhe ndërgjegjësohet për dëmin që i ka shkaktuar dhe do të mund t’ia shkaktonte edhe më tej shtetit të vet.
Britanikët janë ndjerë mirë me veprimin e Burns’it, por në pjesë të tjera të globit, ku të qenit në pushtet nuk nënkupton kurrfarë përgjegjësie, por vetëm privilegj dhe përfitime marramendëse, çudia mbizotëroi.
Edhe nga kolegë të tij në Kosovë, veprimi i ministrit britanik me siguri cilësohet budallaki. Mendësia e tyre provinciale nuk “ua rrokë” se si ka mundësi që një person aq i rëndësishëm të shkojë në punë me tren. Sepse, këta nuk dinë se si është të shkohet në punë me transport publik.
Këta janë mësuar që veturat zyrtare t’i presin, të ndezura, gjysmë ore e më shumë para banesave, derisa ata të vendosin t’iu hipin dhe të mbërrijnë në vendin e punës. Kështu veprojnë jo vetëm ministra, por edhe zëvendës e ndihmës të tyre. Shumë nga ta, arrogantë sa s’bën, kapardisen nëpër vetura duke “iu shitur” të rëndësishëm qytetarëve të rëndomtë, qytetarëve normalë.
Madje edhe kur mediat raportojnë për qindra-mijëra euro “të djegura” nga ta për karburant, dreka, darka, telefonata e udhëtime, nuk bezdisen fort. Logjika u thotë se nuk bëjnë gjë të keqe dhe se postet që mbajnë ua sigurojnë edhe imunitetin për t’i shkërdhyer si të duan paratë e shtetit. Të shtetit më të varfër të Europës.
Nuk është se kështu veprojnë vetëm zyrtarët qendrorë. Njësoj, ndoshta edhe më egër paranë publike e keqpërdorin zyrtarët komunalë, të cilët nuk çajnë kokën pse njerëzit që i udhëheqin jetojnë keq, ndërkohë që këta me kostum e kravatë, vetura zyrtare e salltanete tjera nuk ia dinë skajin sefasë.
* * *
Jakup Krasniqi, Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa s’po i besonin vetes, kur të mërkurën po u shërbenin ushqim nevojtarëve në Kishën Shën Ndou të Prishtinës, në një ceremoni të organizuar me rastin e ditëlindjes së Ipeshkvit të Kosovës.
Nuk e kishin bërë më herët këtë punë dhe dukej jonormale t’i shihje teksa shpërndanin ushqimin e përgatitur për ata që s’kanë bukë ta ngopin barkun. Ndonëse nuk do të duhej të kuptohej kështu.
Edhe Sejdiu e Krasniqi, ashtu si dhe kolegë e ish-kolegë të tyre nuk ia kanë nda jetës luksoze që ua kanë ofruar postet politike. Ata nuk i kemi parë, praktikisht, të rrojnë si njerëzit “normalë” të këtij vendi, larg të mirave që ofron politika.
E Isa Mustafën as që mund ta paramendojmë që të shkojë në punë me biçikletë, si kolegu i tij londinez Boris Johanson. Madje, të parin e kryeqytetit kosovar nuk e kemi parë ndonjëherë as të udhëtojë me transportin publik, të paktën për t’u bindur se ta shfrytëzosh atë nëpër “metropolin” e tij, është më tepër se torturuese.
Po të bashkëjetonin me hallet e qytetarëve, këta tipa që na udhëheqin do të silleshin ndryshe. Do ta jetonin jetën e vërtetë, e jo atë virtuale. Do ta provonin në kurriz se si është të qeverisesh nga njerëz që interesin e vet, e jo të qytetarëve e kanë prioritet. Do ta provonin se si është të jetosh në një vend, nga i cili para se të presësh që të ofrojë diçka, mendon se si të ikësh.
* * *
Ministri britanik i Transporteve, Simon Burns, me siguri nuk ka shpenzuar për makinën duke e keqpërdorur atë për udhëtime private. Në Kosovë është tjetër muhabet.
Makinat me targa 3Z mund t’i shohësh nëpër dasma e syneti, para shoping qendrave të rajonit e në bregdet. Turlifarë zyrtari abuzon me to sa t’ua do qejfi. Dhe mirë bëjnë.
Bëjnë mirë, sepse i kanë shefa ata që bëjnë të zeza edhe më të mëdha çdo ditë dhe nuk i japin askujt llogari.
Bëjnë mirë, sepse kanë ardhur në pushtet me votat tona – e ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga ta.
Bëjnë mirë, sepse në një vend jonormal, ata duken më normalët e mundshëm.
E njerëzit tamam normalë vuajnë shkaku i sjelljeve të tyre.
Sa larg Boris Johansonëve e Simon Burnsve jemi. Sa larg britanikëve, Europës.