ARKATANA

Për një Kosovë evropiane

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Avni Zogiani – Çfarë mendimi ka Sami Lushtaku sot për vendimin e Kuvendit të Kosovës për vendosjen e reciprocitetit tregtar me Serbinë? E dimë çfarë mendimi ka pasur kur ai i telefonoi kryetarit të Grupit Parlamentar, Adem Grabovci, për ta qortuar, apo më mirë thënë, për ta sharë atë bishtëm-bisht, pse lejoi votimin e këtij vendimi në Parlament.

Natyrisht përveç se jam kurioz ta di mendimin e tij sot mbi vendimin e Parlamentit për të cilin po i jepte konsulenca patronizuese Grabovcit, asnjëherë nuk kam parë të jetë shtruar pyetja, pse ai si kryetar komune e kishte marrë kaq afër zemrës një vendim të tillë të Parlamentit kosovar?

Vendime të rëndësishme për vendin kanë rënë në supet e partisë së Lushtakut këtyre viteve. Ndërkohë që këto vendime janë shtuar, është shtuar edhe pakënaqësia ndaj tyre, por po ashtu janë shtuar edhe milionat e zyrtarëve të lartë të kësaj partie. Në njëfarë mënyre, PDK, prej kur ka ardhur në pushtet nuk ka pasur ndonjëherë qëndrim rreth çështjeve me rëndësi të veçantë, por ajo thjesht ka administruar atë që i është dhënë në dorë nga faktori ndërkombëtar.

Duke pasur parasysh që pasurimi i zyrtarëve të PDK-së ka qenë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me politikat që partia ka marrë përsipër të administrojë, zyrtarët e kësaj partie kanë ndjerë njëfarë konfidence në mosndëshkushmërinë që po e jetonin për një kohë të gjatë.

Mirëpo, e keqja e kësaj garancie ka qenë se, politika kosovare, e sidomos PDK, për një kohë të gjatë është ndjerë se funksionon në rrethana shantazhi. Siç po shihet, përditë e më shumë, zyrtarë të kësaj partie përfundojnë të akuzuar ose të burgosur nën dyshime për vepra të ndryshme kriminale.

Sot aq shumë është shtuar numri i zyrtarëve të PDK-së që kanë një rast në gjykatë saqë jepet përshtypja se kanë ngelur pa u përballur me ligjin vetëm kryetari i saj Hashim Thaçi dhe nënkryetari i parë i saj, Kadri Veseli. Dhe rrjedhimisht shtrohet pyetja se, nëse kaq shumë nga top-zyrtarët e PDK-së kanë qenë të dyshuar për përfshirje në krim, kur do t’iu vijë radha Thaçit e Veselit.

UBT

Në fund të fundit në shkallë të gjerë zyrtarët e PDK-së e posaçërisht familjarët e Thaçit kanë shfrytëzuar sektorin publik për një pasurim marramendës, kurse Veseli ka qenë shef i strukturës së ShIK-ut, prej së cilës sot shtatë zyrtarë gjinden në burg për krime serioze. Krerët e PDK-së, Thaçi e Veseli, në anën tjetër vetëm sa po e thellojnë simbiozën e partisë së tyre me krimin, duke qenë se në vazhdimësi kandidojnë zyrtarë të partisë që gjinden nën dyshime të bazuara për krime nga më të ndryshmet.

Shumë njerëz e kanë përceptuar këtë parti si tolerante ndaj fraksioneve e personave që mendojnë ndryshe. Në këtë parti vërtet ka njerëz me identitete të ndryshme politike. Që nga Hydajet Hyseni, që tenton të rezistojë politikat që i hedhen në tavolinë PDK-së nga ndërkombëtarët, e gjer tek Sami Lushtaku, që është shfaqur për një kohë të gjatë si gjenerali me kamxhikun në dorë për t’ia fringëlluar nga veshët çdokujt që e sheh si përgjegjës për vendimet e Parlamentit që nuk shkojnë në pajtim me kërkesat e ardhura nga Brukseli.

Kushdo që e ka dëgjuar përgjimin mes Grabovcit e Lushtakut e ka kuptuar se shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Grabovci, i gjendur përballë akuzave të Lushtakut për dështimin në parandalimin e vendosjes së reciprocitetit tregtar me Serbinë nga Parlamenti, mundohej t’ia fitonte zemrën Lushtakut duke thënë se është konsultuar me “bacin e madh” në Dragodan dhe me “zyrën e Parlamentit” Evropian në Prishtinë, që në të vërtet është zyra e Komisionit Evropian.

Pra, ndoshta komponenta më e rëndësishme evropiane e PDK-së ka qenë pikërisht Sami Lushtaku. Ai ka funksionuar në terren në përpjekjet e tij të paepura për plotësimin e kritereve evropiane ?. Natyrisht gjuha që ai përdori me Grabovcin në përgjimet telefonike ka qenë pak si tepër evropiane ? ?.

Deri këtu e evropianizuam Kosovën. Pra, mantra e PDK-së “Për një Kosovë evropiane” është realizuar me efektshmëri për aq kohë sa në terren ka punuar Sami Lushtaku. Mirëpo, çfarë të bëjmë sot? Kur një proces gjyqësor ndaj tij po vazhdon dhe tërë projekti evropian i PDK-së është i kërcënuar? Të mërkurën duket se PDK e ka gjetur këtë zgjidhje. Mbase, Sami Lushtaku nuk mund të vazhdojë misionin e tij evropianizues, por për ta vazhduar këtë mision ka shumë mundësi që të kujdeset i biri i tij, Mërgimi.

Ky i fundit është një nga themeluesit e “Paqes Studentore”, organizatë kjo që ftoi për represion në manifestimin e vjetëm të “Kosovo 2.0”, ku u sulmuan aktivistë të shoqërisë civile. Pra, ai mund të jetë kandidati i PDK-së për një Skënderaj evropian, pasi që rizgjedhja e kryetarit aktual duket se do të bëhet e pavlefshme sepse misionin për evropianizimin e Skënderajt dhe Kosovës nuk e vazhdon dot kryetari i saj aktual duke qenë i paraburgosur. Kështu, tharmi i Kosovës evropiane i vënë në Skënderaj ka shpresa që megjithatë të mos humbasë.