Eko Higjiena

Për librin e panjohur të Mehmet Shehut

/ 3 minuta lexim

Para vetëvrasjes , Mehmet Shehu kishte shkruar një libër për ekonominë botërore. Enver Hoxha e kritikoi rëndë përmbajtjen, për shkak të ideve properëndimore, antisocialiste etj., andaj libri nuk u botua kurrë. Por si protagonist i kohës, historiani Pëllumb Xhufi kujtoi diçka për këtë libër në gazetën ‘Panorama’.

Historiani i njohur shqiptar analizon për gazetën ‘Panorama’ ish-kryeministrin shqiptar Mehmet Shehun(1954-1981), por edhe vetë sistemin komunist dhe personazhet kryesore të tij.

Në fakt, Xhufi bën një krahasim të gjerë të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, duke argumentuar se dallimet mes tyre kishin nisur shumë më herët.

“Ka shenja se Mehmet Shehu ka dashur njëlloj hapjeje ndaj perëndimit. Praktikisht, edhe ka pasur njëlloj hapjeje”, thotë Xhufi.

Sipas tij, Shehu shpeshherë përsëriste frazën për të cilën thoshte se është e Leninit: “Komunizëm është idealizmi sovjetik, plus pragmatizmi amerikan”. Xhufi thekson se Shehu, si një njeri i zgjuar, e kuptonte se ekonomia në socializëm, sidomos në formën spartane që aplikohej në Shqipëri, s’mund të ecte përpara. Rrjedhimisht, Xhufi aludon se ish-kryeministri shqiptar ishte edhe kundër prishjes së raporteve me Kinën në vitet ’76-’77.

Uji Dea

“Normalisht, Shehu u solidarizua me vijën e partisë dhe të Hoxhës, por unë dyshoj se një hap të tillë s’e ka ndier, dhe s’e ka miratuar në vetvete”, pohon Xhufi.

Duke komentuar fundin e ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, Xhufi shprehet se Mehmet Shehu kishte shkaqet e tij për t’u ndier i fyer nga disa “rishtarë” të Byrosë Politike – pa mend e pa kontribute, që iu turrën si çakej me t’u dhënë shenjë Enver Hoxha.

“Mehmet Shehu nuk ishte një njeri kokulur. Ishte i zgjuar, i ditur, trim si askush, andaj s’mund të lejonte të bëhej pre e disa njerëzve të parëndësishëm. Në rrethanat e një linçimi moral e politik, ku e mbërtheu Hoxha dhe Byroja Politike e rishtarëve pa personalitet e pa dinjitet, një njeri i tillë ka vetëm dy rrugë: ose të përulet, ose të ikë. Ai preferoi ikjen.

Nuk do të mund ta mendoja kurrë një veprim ndryshe të Shehut. Iku për t’i shpëtuar poshtërimit. Vetëvrasja ishte e vetmja formë që mund t’i jepte zë protestës së tij. Sigurisht, ishte një gjest i fuqishëm, por edhe shumë njerëzor”, thotë, mes tjerash, Xhufi në intervistën për ‘Panorama’.