Hidromorava

Për Kosovën, 28 Nëntori është festa më e rëndësishme kombëtare

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Për nder të 28 Nëntorit, shkrimtari, kritiku dhe publicisti, Mehmet Kraja ka folur për rëndësinë e kësaj feste për kosovarët, duke e vlerësuar si manifestim identitar, dhe njëkohësisht si refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin.

Sipas tij, mos zyrtarizimi i kësaj feste nga ana e Kuvendit të Kosovës nuk e pengon popullin që ta konsiderojë këtë festë si të më të rëndësishmen kombëtare.

I pyetur se si i vlerëson përpjekjet e shqiptarëve që të festojnë bashkarisht ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Kraja ka thënë se “megjithëqë shpesh janë manifestime jashtësore, afishe politike për një përdorim, unë i miratoj ato. Më pëlqen kur shqiptarët bëhen bashkë, pavarësisht se në këtë përbashkim mund të ketë shumë gënjeshtër, mund të ketë improvizim, mund të ketë lojë politike, mund të ketë edhe profiterizëm”.

ARKATANA

“E dini si, ndonjëherë, edhe duke improvizuar, mëson ta praktikosh një ritual, i cili, ndonëse rutinë, me kohë, mund të bëhet pjesë e vetëdijes… Vetëm se, duke u sjellë me refuzim ndaj një patriotizmi folklorik dhe shpesh manipulativ, ne u hyjmë në hak atyre që ndaj atdheut dhe kombit ushqejnë ndjenja të sinqerta patriotike. Të tillë doemos që ka edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Askund në botë patriotët nuk konsiderohen njerëz primitivë, anakronikë etj. Dashuria për kombin dhe atdheun është ndjenjë jashtëzakonisht fisnike, e tillë që ende ushqen me virtyte të larta miliona njerëz në mbarë rruzullin tokësor. Patriotizmi nuk është primitivizëm, ai shndërrohet në diçka të shëmtuar, sa herë që degjeneron ose manipulohet. Dua të them me këtë rast, se unë përkulem me pietet të thellë si ndaj atyre që janë flijuar për kombin dhe atdheun, ashtu edhe ndaj atyre që me 28 Nëntorin i lidh një sentiment, sepse, fundja, unë i takoj asaj gjenerate, e cila ka besuar fuqimisht në sentimente të këtilla”, ka thënë Kraja në intervistën për KultPlus.

Ndërsa 28 Nëntori vazhdon të jetë festë jo zyrtare në Kosovë, Kraja mendon se Kosova ka kohë që e konsideron 28 Nëntorin festën më të rëndësishme kombëtare .
“E bënë apo nuk e bënë zyrtare, Kosova ka kohë që e konsideron 28 Nëntorin festën më të rëndësishme kombëtare. Në këtë pikë një vendim i Kuvendit të Kosovë nuk do të ndryshonte gjë, vetëm se me zyrtarizimin formal të kësaj feste Kuvendi i Kosovës do ta nderonte veten. Njerëzit në Kosovë, me ose pa vendim të Kuvendit të Kosovës, do ta festojnë 28 Nëntorin, ata ndihen emocionalisht të lidhur me të, jo vetëm pse kjo festë ka një traditë në Kosovë, ka edhe domethënien, ka simbolikën, por më shumë për faktin se për kosovarin 28 Nëntori është manifestim identitar, njëkohësisht është edhe refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin. Kosova ka dhe do të ketë edhe festat e saj shtetërore, por ato asnjëherë nuk do të bien në kolizion me festën kombëtare të 28 Nëntorit, kjo nuk është kundërshti e brendshme, është më shumë një unitet i natyrshëm dhe harmonik i proceseve historike dhe politike, të zhvilluara në mënyrë jotipike”, ka thënë ndër tjera Kraja në intervistën për KultPlus.

Ai ka folur edhe për hendeqet e krijuara në mes Kosovës dhe Shqipërisë, në pikën e bashkëpunimit kulturor, i cili ai vlerëson të jenë degjeneruar keqas, sikurse që ka folur edhe për marrëdhëniet jo të mira në mes akademive të këtyre dy vendeve.