Fundamenti

Për kompanitë publike kushtëzimi i dobishëm , për të tjerët joligjor

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në një debat të organizuar nga OJQ Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN), me temën “Kushtëzimi i qytetarëve të Komunës së Gjilanit për pagesën e taksave komunale me qëllim të regjistrimit të automjeteve” është thënë se kushtëzimi për kompanitë publike “Hidromorava” dhe “Eco-higjiena” është i dobishëm, kurse avokati i popullit ka thënë se është joligjor dhe cenon të drejtat e njeriut.

Ka pasur sërish përplasje rreth vendimit të Kuvendit Komunal për kushtëzimin e qytetarëve për të paguar dy kompanitë publike “Eco-higjiena” dhe “Hidromorava”. Në këtë debat më i zëshmi dhe më aktivi për shkak të pozitës ka qenë Bajram Isufi drejtor ekzekutiv në “Eco- higjiena”.

Bajram Isufi ka thënë se kushtëzimi është i dobishëm për kompaninë “Eco -higjiena” sepse ne nuk po i godasim qytetarët e ndërgjegjshëm, por ata që po u ikin pagesave. “Shërbimi tek ne është i lirë dhe nuk është i shtrenjtë. Madje tanimë janë liruar nga pagesa kategoritë sociale, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve. Ne jemi kompani vetëfinancuese dhe varemi prej qytetarëve” ka sqaruar Isufi.

Isufi ka bërë publik edhe një detaj interesant. “Kemi shumë biznese që nuk paguajnë dhe shumica e partive politike kanë borxhe të Higjiena. Fatkeqësisht shtresa e lartë nuk i paguajnë mbeturinat, derisa rreth 3000 biznese aktive prej tyre 1200 janë të regjistruara në Eco-higjiena, ku edhe aty një pjesë nuk paguajnë” tha Isufi.

Fundamenti

Edhe Ismajl Kurteshi nga VV tha se partneriteti publiko privat ishte i paligjshëm dhe ky proces sipas tij është bërë kryekëput për interesa të ngushta të Qemajl Mustafës , e më së pakut është bërë në dobi të qytetarëve.

Por, Kadrush Syla, zyrtar ligjor, në zyrën e Avokati të Popullit në Gjilan, ka thënë se vendimi është i papranueshëm sepse është joligjor dhe cenon të drejtat dhe liritë e njeriut.

Syla ka thënë se Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi i të gjithë qytetarëve me ofrimin e shërbimeve komunale, për shkak se disa qytetarë nuk kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj kompanive publike, sidomos të ujësjellësit e të largimit të mbeturinave, nuk mund të arsyetohet ligjërisht./rajonipress/