Hidromorava

Për investime, djep i Turiqsë

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Ministri i Financave i Turqisë, Mehmet Shimshek e konsideron Kosovën si djep të investimeve turke. Të hënën, Kosova nënshkroi edhe një marrëveshje me Turqinë për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo u mundëson biznesmenëve turq të investojnë këtu si në shtetin e vet.

Pas shumë marrëveshjeve dhe lehtësimeve për të bërë biznes, Turqia e Kosova nënshkruan edhe një marrëveshje. Marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Kjo i mundëson Turqisë të ushtrojë biznes pothuajse si në shtetin e saj.

Për këtë edhe ministri i Financave i Turqisë, Mehmet Shimshek tha se Kosova është djep i investimeve turke. Ministri Shimshek u takua me ministrin Bedri Hamza dhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se takimi ka simbolikën e vet, pasi që po zhvillohet në një ditë shumë të rëndësishme për Kosovën, në ditën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar se është kontribuues i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Sipas saj, edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë mbesin sfida për tejkalimin e të cilave Kosova ka nevojë për mbështetjen e mëtutjeshme të miqve të saj, e sidomos të Turqisë, e cila me dekada ka përkrahur Kosovën në të gjitha momentet kyçe, duke ofruar ndihmë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike e ushtarake.

Ministri i Financave i Turqisë, Mehmet Şimşek përgëzoi presidenten Jahjaga për të arriturat në Kosovë, për ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit dhe për krijimin e shtetit funksional shumetnik.

Kosova, djep i investimeve turke

Gjatë ditës së hënë, ministri i Financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Shimshek dhe ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza nënshkruan marrëveshjen e satë me radhë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Marrëveshja e fundit u bë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri Hamza falënderoi ministrin turk për kontributin e shtetit të tij për Kosovën në të gjitha segmentet. Turqia, tha Hamza, është ndër partnerët kryesorë të Kosovës, në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike dhe se bashkëpunimi në mes të këtyre dy vendeve është i shkëlqyeshëm.

Tha edhe se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim tërheqjen e investitorëve dhe lehtësimin e punës së bizneseve të të dy shteteve.

Mobi Casa

“Kjo është vizitë në një ditë të shënuar për Kosovën, ku edhe solemnisht po përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Nënshkruam edhe një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për bashkëpunimin tonë, thellimin e bashkëpunimit tonë, që është marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë, që ka për qëllim tërheqjen investitorëve, lehtësimin e punës së bizneseve të të dy shteteve”, tha Hamza.

Kjo, sipas tij, nuk është marrëveshja e fundit.

“Ne i kemi filluar negociatat edhe për një marrëveshje të re shumë të rëndësishme dhe presim që në një afat kohor optimal ta finalizojmë suksesshëm, siç është marrëveshja për tregti të lirë”.

Në anën tjetër, ministri i Financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Shimshek tha se kjo ditë historike për Kosovën po kurorëzohet edhe me një marrëveshje shumë të rëndësishme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.

Ai tha se rritja ekonomike e Kosovës, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti i Kosovës nuk janë të rëndësishme vetëm për Kosovën, por janë të rëndësishme për gjithë Ballkanin dhe rajonin.

Shimshek po ashtu tha se Turqia ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe se përkrahja e saj do të vazhdojë dhe në të ardhmen.

“Marrëveshja që e kemi nënshkruar sot, është një marrëveshje e rëndësishme, meqë do të lehtësojë punën e investitorëve dhe realisht do të rrisë ekonominë”, tha Shimshek.

Turqia, tha ministri turk, i stimulon firmat dhe biznesmenët turq që të vijnë në Kosovë dhe Kosovën ta shohin si një djep të investimeve për Evropën.

“Në saje të reformave të cilat janë bërë nga ministria, Kosova është shndërruar në një qendër të tërheqjes së vëmendjes së investitorëve”.

Marrëveshja e eliminimit të tatimit të dyfishtë dhe marrëveshja të cilën planifikojmë ta nënshkruajmë mbi sigurimin e tregut të lirë, sipas Shimshekut, do të jenë marrëveshje të cilat do të kontribuojnë pa masë në zhvillimin ekonomik.

Shimshek, po ashtu tha se Kosova dhe Turqia kanë lidhje shumë të rëndësishme, të bazuara mbi historinë dhe kulturën tonë të përbashkët. Ai po ashtu përgëzoi popullin e Kosovës për të arriturat pas shpalljes së pavarësisë.(express)