ARKATANA

Për gratë e dhunuara në luftë

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Arben Idrizi – Në vend të kallashëve dhe shpatave, kafshërisë burrërore muskulore, në sheshin ku e kemi nderuar humanisten Nëna Terezë, duhet të jetë monumenti i grave të dhunuara në luftë, bashkë me atë të viktimave të tjera civile, pavarësisht përkatësisë etnike. Për të dëshmuar humanizëm dhe qytetërim. Asgjë më shumë, asgjë më pak.

Dhuna seksuale në luftë nuk ndodh, siç mund të besohet në kuptim të parë, thjesht për shfryrje dhe argëtim (edhe pse ndonjëherë, nga individë të marrë në veçanti, mund të perceptohet si dhe realizohet pikërisht për një qëllim të tillë). Ajo është, fjalë për fjalë, një armë lufte, dmth një mjet i luftës. Figurativisht, në këtë kuptim, është e barabartë me një bombë atomike. Është, dua ta theksoj këtë, goditja më e rëndë ndaj kundërshtarit. Sepse, kur ndodh kjo, pasojat janë shumë më të shpejta, më kohëgjata dhe më rënduese; do të thotë, më torturuese. Vrasja e kundërshtarit, sidomos atij me armë në dorë, është krejt e parëndësishme në krahasim me këtë. Bile-bile, ndoshta mund të konsiderohet si një akt vetëdëmtues. Ngase vrasja e luftëtarit, edhe pse ka për qëllim shfarosjen dhe dominimin e të tillëve, çon drejt shenjtërimit, mitizimit, hyjnizimit të tij nga të vetët. Pra, bën që shoqëria e tij të marrë frymëzim, guxim, motiv, kurajë nga vdekja e tij. Ndërsa “vdekja” e gruas, pra dhunimi i saj seksual, çon drejt udhëkryqesh, fut në labirinte pa kurrfarë filli të kuq. Familja, rrethi, shoqëria, atdheu në tërësinë e tij, nuk do të gjejnë fuqi ta pranojnë aktin, aq më pak subjektin. Viktima kështu do të linçohet, do të mohohet. Do të shndërrohet në një qenie tash të lënë anash nga të vetët, të keqpërdorur, të keqtrajtuar, të zhvlerësuar, të asgjësuar. Nuk do të vlejë më pothuajse as sa një leckë.

Nga ana tjetër, qëllimi i vendit që e ka ushtruar dhunën seksuale si mjet lufte, do të arrijë edhe rezultate të tjera, tash edhe mbi vetë shoqërinë, vendin e pushtuar. Do të arrijë ta minojë ose edhe ta hedhë poshtë pretendimin e pastërtisë së gjakut, racës. Do të krijohen familje me raporte të komplikuara. Do të ketë pasoja psikologjike dhe shëndetësore (infektimi i qëllimshëm i viktimave me sëmundje seksuale të përhapshme dhe vdekjeprurëse, abortet dhe pasojat, dëmtimet e tjera).

Krejt këto janë, nëse jo më, atëherë po aq të rënda sa vrasja e atyre heronjve me armë në duar, shtatoret e të cilëve i gjejmë ngado të shkojmë, dhe të cilët, nga ana e vet, po ashtu, janë ose mund të ishin dhunues; dhunues të palës tjetër po aq sa edhe të palës së vet. Ka dëshmi për raste të shumta të dhunimit seksual nga komandantët dhe heronjtë tonë të luftës.

Për plagët e armëve të marra, viktimat, luftëtarët, edhe lavdërohen. Keqtrajtimi, burgosja, torturimi edhe rrëfehet me krenari dhe përdoren për qëllime përfitimi në fund.

Sigurisht, dhunimet seksuale nuk kufizohen vetëm te njëra gjini. Taciti, për shembull, dokumeton se si gjeneralët romakë shfrytëzonin seksualisht djemtë e rinj të popujve të pushtuar.

Nuk ka bërë përjashtim nga kjo as lufta në Kosovë.

Sidoqoftë, fuqia më e madhe e një vendi është gruaja. Pa të, është i destinuar të shuhet. Për këtë, lufta kryesore dhe më mizore bëhet kundër saj. Nëse ka një traditë shoqërore, kombëtare, e prirë që vetë ta fshehë krimin e dhunës seksuale të pësuar dhe bile edhe ta persekutojë viktimën, që duhej ta mbronte, atëherë qëllimet e armikut do të jenë arritur shumë më lehtë. Këtë e kemi bërë ne, e kemi ndihmuar pushtuesin të mos ndihet përgjegjës për krimin monstruoz. E kemi heshtur atë krim. E kemi persekutuar dhe poshtëruar çnjerëzisht viktimën, gruan që e ka pësuar.

Dhuna seksuale ka filluar të konsiderohet krim lufte vetëm së voni. Statuti i Romës tashmë e definon si krim kundër njerëzimit.

Pra, mendoj se dhunimi seksual është krimi më i rëndë që na ka ndodhur. Viktimat e këtij krimi meritojnë vëmendjen, kujdesin, nderimin dhe shpërblimin më të madh. Është krim për të cilin nuk ka falje, është krim për të cilin duhet të marrim sot përgjegjësinë që na takon, të shprehur edhe përmes dhembshurisë dhe bashkëndjenjës.

***

Literatura historike, dokumentare dhe ajo artistike ka regjistruar raste të panumërta të dhunës seksuale në kohë të ndryshme.

Do të shkëpus një pjesë nga libri i gazetares Anna Politkovskaja, ‘Çeçenia, turpi rus’, ngase më duket bukur ilustruese edhe për rastin tonë.

«Nëse një ruse, ukrainase ose armene është në gjendje t’i mbijetojë një dhune mishërore, të mësojë përsëri të jetojë e bile edhe të buzëqeshë pas një traume aq të dhimbshme dhe rënduese, për një çeçene dhunimi nënkupton pothuajse vdekjen. Aq më tepër nëse ka dëshmitarë, ose njerëzit e familjes e kanë marrë vesh ndodhinë. Pak rëndësi ka se gruaja nuk ka faj, ajo që ka rëndësi është se është dhunuar. Kështu e do tradita, përveç ndonjë përjashtimi të rrallë, por nuk flitet për këtë dhe është pikërisht kjo heshtje që i bën të mundshme përdhunimet. […] Këto janë traditat lokale. Nëse ngjarja do të kishte ndjekur një rrugë normale juridike, vajzat çeçene do të kishin vdekur pa mëdyshje nga dora e njerëzve të familjeve të tyre. […] Në Çeçeni dhunimi ose mëshira ndaj një gruaje varet kryesisht nga cilësitë personale dhe nga dëshirat e njeriut në uniformë. Ushtarët e dinë persosshmërisht se dhunimi nuk do të ketë pasoja gjyqësore dhe se pra nuk rrezikojnë asgjë. Nga na tjetër, pjesa më e madhe e ushtarëve që kryejnë shërbimin në Çeçeni nuk besojnë të kenë ndonjë përgjegjësi ndaj grave çeçene: në sytë e tyre janë “asgjë” dhe rrjedhimisht me to “gjithçka është e lejueshme”».

Mobi Casa

***

Ndonjëherë, vendet e rrezikuara nga përdhunimet seksuale, edhe vetë po ashtu kryese të llahtarshme përdhunimesh, duke e parë se vendi i tyre po pushtohej, kanë bërë një “zgjidhje” të pabesueshme të problemit. Do të sjell këtu një pasazh nga libri ‘Lufta e Dytë Botërore’ i Antony Beevor.

«Më 30 gusht forcat amerikane zbarkuan në Yokohama për ta filluar pushtimin e Japonisë. Në dhjetë ditët në vijim u verifikuan 1336 raste dhunimi në Yokohama dhe në regjionin përqark Kanagawës. Edhe ushtarët australianë, më sa duket, qenë përgjegjës për shumë raste dhune mishërore. Autoritetet japoneze i kishin pritur të gjitha këto. Më 21 gusht, nëntë ditë para arritjes së trupave aleate, qeveria e kishte thirrur një mbledhje të ministrave për ta themeluar një Asociacion për zbavitje dhe qejf, që kishte për qëllim t’u ofronte gra komforti pushtuesve. Shefat e policisë dhe funksionarët lokalë u ngarkuan ta organizonin një rrjet kombëtar bordelesh ushtarake, në të cilat do të punonin prostitutat profesionale, por edhe geishat dhe vajzat e tjera. Qëllimi ishte të reduktohej përqindja e dhunimeve. Bordeli i parë qe hapur në një lagje periferike të Tokios, më 27 gusht, dhe më pas qindra të tjera, nga të cilët njëri i drejtuar nga e dashnorja e gjeneralit Shiro Ishii, shefi i Njësisë 731. Brenda vitit qenë rekrutuar, në shkallë të ndryshme detyrimi, rreth 20.000 gra të reja për t’i kënaqur fitimtarët».

Eufemizmi “gra komforti” u përdor për herë të parë për 200.000 gratë, në pjesën më të madhe koreane, kineze dhe filipinase, që qenë detyruar të prostituoheshin në bordelet ushtarake japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Para pak kohësh autoritetet japoneze refuzuan ta aprovonin ngritjen e një monumenti, në San Francisko, që do t’i nderonte këto gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Për më tepër, sot, autoritetet japoneze janë duke e menduar tërheqjen e kërkimfaljes grave të komforit koreane, të cilën e kishin bërë vite më parë.

Ndërkohë, me një kërkim të shkurtër në internet, mund të gjeni faqe të tëra që tregojnë krimet, përfshirë eksperimentet me njerëz, të kryera nga Njësia 731, e Shiro Ishiisë.

***

Qytetarë të pafundmë mashtrojnë të kenë qenë pjesëtarë të UÇK-së vetëm e vetëm që tani ta përfitojnë ndihmën materiale që ndahet për veteranët dhe kategoritë e tjera përkatëse. Gënjejnë, mashtrojnë, zhvatin, fyejnë, linçojnë, përçmojnë, përbuzin. Dhe ia dalin. Përfitojnë gjithçka, gjithkund. Në arsim, shëndetësi, shërbime të ndryshme.

Ndërsa viktimat e mëdha të luftës, gratë e dhunuara, nuk mund ta gëzojnë të drejtën e tyre të pensionit. Të drejtën e të qenit viktimë. Të drejtën e të njohurit të dhimbjes së tyre dhe në dhimbjen e tyre.

Legjislativi kosovar me vite të tëra ka refuzuar të nxjerrë një ligj që do t’i përfshinte gratë e dhunuara në kategorinë e viktimave civile të luftës. Para pak vitesh, kur po kërkohej të dërgohej në Kuvend projektligji, ishte fyer, njollosur e kërcënuar rëndë një deputete.

20.000 gra të dhunuara në një vend, me më pak se dy milionë banorë, në një konflikt që nuk ka zgjatur më shumë se një vit, është një ndër krimet më të përbindshme të para dhe dëgjuara ndonjëherë. Këtë krim, ne nuk kemi dashur ta dëshmojmë. Këtë krim, ne nuk kemi dashur ta dokumentojmë. Këtë krim, ne nuk kemi dashur ta dënojmë. Prandaj, është tash krimi ynë që do ta bartim mbi supe.

Për fund, dua të them këtë:

Në vend të kallashëve dhe shpatave, kafshërisë burrërore muskulore, në sheshin ku e kemi nderuar humanisten Nëna Terezë, duhet të jetë monumenti i grave të dhunuara në luftë, bashkë me atë të viktimave të tjera civile, pavarësisht përkatësisë etnike. Për të dëshmuar humanizëm dhe qytetërim. Asgjë më shumë, asgjë më pak.