Për familjet serbe në Shillovë ndërtohen dy shtëpi

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Qeveria,presidenca,komuna dhe zyra për kthim kanë ndihmuar dhe investuar në ndërtimin e dy shtëpive për nevojat e dy familjeve skamnore në Shillovë.

Të enjten me një ceremoni solemne ka nisur ndërtimi i dy shtëpive në Shillovë të Gjilanit, për nevojat e familjeve serbe. Qeveria,presidenca,komuna dhe zyra për kthim kanë ndihmuar dhe investuar në ndërtimin e dy shtëpive për nevojat e dy familjeve skamnore në Shillovë.

Në përurimin e këtyre dy shtëpive që kanë kushtuar mbi 40 mijë euro kanë marrë pjesë edhe Serxhan Popoviq nga zyra e kryeministrit për kthim dhe komunitete,Omer Daku nënkryetar i Gjilanit, Millan Stojanoviq nënkryetar për komunitete.

Omer Daku duke hedhur gurëthemelin tha se ndërtimi i këtyre dy shtëpive që po bëhet me participimin institucioneve kryesore shtetërore dëshmon për përkushtimin e madh që kanë ato për të përkrahur,ndihmuar dhe fuqizuar jetën e të gjithë komuniteteve në Gjilan.

Daku tha se ky përurim që po bëjmë sot është një storie e mirë dhe shembull se vërtet të gjithë komunitetet mund të jenë të lumtur.

UBT

Edhe Serxhan Popoviq nga zyra e kryeministrit tha se këto dy shtëpi janë model dhe realitet se në Kosovë mund të jetohet e punohet bashkërisht. “Ndërtimi i këtyre dy shtëpive tregon përkushtimin dhe seriozitetin e institucioneve kosovare për të ndihmuar familjet skamnore edhe nga radhët e komunitetit serb,por edhe të gjitha komuniteteve tjera” tha Popoviq.

Galip Hyseni përfaqësues i komunitetit rom që ishte i pranishëm në këtë ceremoni tha se ndihet shumë i gëzuar që më në fund po ndodhin këto investime.”Edhe tek komuniteti rom duhet të vazhdohet me këto investime. Realisht komuniteti rom është lënë anash sepse askënd nuk e kemi në qeveri” u shpreh Hyseni.

Millovan Stojanoviq nënkryetar për komunitete në Kuvendin e Gjilanit tha se ndihet shumë i gëzuar që në fshatin e tij po investon Qeveria e Kosovës.”E falënderoj nga zemra Hashim Thaçin e Atifete Jahjagën që e kanë përkrahur projektin tim dhe të fshatit tim. Tani pas asfaltimit të rrugës,dhe realizimit të disa projekteve Shillova ndihet më e lumtur” tha ai.

Ndryshe ndërtimi i këtyre dy shtëpive ka kushtuar mbi 40 mijë euro dhe u dedikohet familjeve që jetojnë brenda në Kosovë dhe që janë me gjendje të rëndë materiale./rajonipress/