Për çka po shqetësohet brezi kufitar, kush janë matrapazët që po e shkatërrojnë natyrën e bukur

Gjilan – Banorët e fshatit Stublinë përmes një letre publike drejtuar institucioneve lokale dhe qendrore kanë shprehur revoltën ndaj një vendimi që ka ndërmarrë Agjencioni Pyjor i Kosovës për të lejuar dhe ndarë dhjetarë hektar pyje – male në fshatin Stublinë për nevojat e bizneseve kriminale që janë të zhytura në kontrabandim dhe krim të organizuar. Banorët e Stublinës kërkojnë urgjentisht nga organet komunale dhe ato hetuese që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar degradimin e mëtutjeshëm nga individ të papërgjegjshëm, por që gjithnjë po e kanë përkrahjen përmes kontratave fiktive edhe nga Agjencioni Pyjor i Kosovës.
Në letrën e banorëve të Stublinës drejtuar Lutfi Hazirit, Agjencioni Pyjor i Kosovës, Prokuroria Themelore e Gjilani, Inspeksioni Komunal në Gjilan dhe Ministria e Ambientit kërkojnë vëmendjen e tyre për të parandaluar degradimin dhe shkatërrimin e mëtutjeshëm të natyrës së bukur që posedon kjo zonë.
Letra e plotë
Ne banorët e Stublinës, përmes kësaj letre publike shprehim revoltën tonë ndaj një vendimi që ka ndërmarrë Agjencioni Pyjor i Kosovës për të lejuar dhe ndarë dhjetarë hektar pyje – male në fshatin Stublinë për nevojat e bizneseve kriminale që janë të zhytura në kontrabandim dhe krim të organizuar.
Banorët e Stublinës kërkojnë urgjentisht nga organet komunale dhe ato hetuese që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar degradimin e mëtutjeshëm nga individ të papërgjegjshëm por që gjithnjë po e kanë përkrahjen përmes kontratave fiktive edhe nga Agjencioni Pyjor i Kosovës.
Vendimi i fundit që i lejon një personi nga fshati Dobërqan për të ndërtuar stallë të lopëve afër përmendores së Enver Ramadanit dhe lejon ose legalizon kontrabandimin e lopëve nga Serbia në Kosovë është e pafalshme.
Ky ndërtim i çfarëdo qoftë e shkatërron natyrën e virgjër që e ka Stublina, dëmton rëndë pamjen e bukur që e ka ruajtur me vite përmes natyrës fshati piktoresk Stublina.
Ne do e mbrojmë me çdo kusht dhe çmim natyrën e bukur dhe ambientin e pastër. Ndërtimet e tilla i japin natyrë dhe pamje krejt tjetër fare Stublinës dhe rrugës që është ndërtuar për nevojat e familjeve të brezit kufitar, dhe assesi për nevojat e kontrabanduesve apo njerëzve të krimit.
Jemi të bindur se kjo letër e jona dhe ky reagim i yni emocional do të ndikojë pozitivisht tek Lutfi Haziri, Jetish Maloku, Rexhep Kadriu, Elmina Mahmuti e figura tjera që lidhen me këtë çështje.
Veproni më shpejt sa nuk është bërë vonë. Stublina nuk lejon shkatërrimin dhe degradimin e saj thuhet në letër./rajonipress/