Për Bujën, vetëm të arritura në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka mbajtur një konferencë për media, ku ka paraqitur të arriturat e MAShT-it për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Duke përmendur të arriturat në arsimin parauniversitar, ministri Buja theksoi se gjatë vitit 2012 ka vazhduar puna në realizimin e aktiviteteve të planifikuara sipas Planit strategjik të arsimit 2011-2016.

“Një pjesë e mirë e aktiviteteve kanë pasur qëllim arritjen e disa objektivave të arsimit si: ngritja e përfshirjes dhe cilësisë në arsimin parauniversitar”, theksoi ai.

Ndër të tjera, ministri përmendi botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, themelimin e rreth 15 shkollave, realizimin e provimeve të maturës dhe të arritshmërisë, realizimin e konkursit për regjistrim në klasën e 10, etj.

Ai po ashtu theksoi se me përkrahjen e Bankës Botërore, 207 shkolla kanë përfituar grante shkollore në vlerë 1.600.000 euro, ndërsa MAShT-i ka ndarë 100 licencat e para për mësimdhënës në Republikën e Kosovës, projekt ky i financuar nga Banka Botërore.

Sa i përket arsimit dhe aftësimit profesional, ministri përmendi rishikimin e Ligjit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Ligjin për Arsimin e të Rriturve, të cilat janë miratuar nga Qeveria.

“Ka filluar edhe ndërtimi i Qendrës së Kompetencës në Ferizaj dhe janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e punës edhe për Qendrën e Kompetencës në Prizren”, theksoi ministri, duke shtuar se Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ka filluar shpërndarjen e certifikatave për ofruesit e parë të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Duke folur për arsimin e lartë, ministri i Arsimit përmendi akreditimin e disa projekteve të doktoratave në Universitetin e Prishtinës, ndërsa theksoi se janë bërë përgatitjet për themelimin e Universitetit të Pejës.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme për të cilën foli ministri Buja ishte edhe ndarja e certifikatave të para për njohje të të diplomave, të certifikuara nga Asociacioni i Universiteteve Evropian, në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar Prishtinë-Beograd, më 21-22 nëntor 2011.

Ai përmendi edhe disa programe për bursa, nga të cilat do të përfitojnë studentët kosovarë, por edhe stafi akademik.

Ndërsa, ministri përmendi edhe shumë aktivitete të realizuara për shkencën si: organizimin e “Javës së Shkencës”, financimi i mobiliteteve për hulumtim dhe kërkim shkencor dhe shumë projekte tjera.

Sa i përket infrastrukturës, tha se është duke vazhduar ndërtimi i 32 godinave shkollore, prej të cilave 6 pritet të përfundojnë këtë vit, ndërsa tha se së shpejti pritet që të përfundojë edhe Fakulteti i Edukimit, derisa në bashkëfinancim me Bankën Botërore ka filluar ndërtimi i shkollës model në Prishtinë. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS