Pensionohet Ruud van Nistelrooy
Legjenda holandeze, Ruud van Nistelrooy, ka njoftuar se këtë verë do t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv. 35-vjeçarit i skadon kontrata me Malagan në muajin qershor, ndërsa ai ka vendosur të mos e vazhdojë atë, sepse mendon se është koha që të pensionohet.
“Dje (e diel) e zhvillova ndeshjen e fundit të karrierës sime profesioniste. Ka ardhur koha që t’i var këpucët. Kam arritur në kufirin fizik dhe nuk mund të luaj në nivelin maksimal”.
“Jam krenar që kam fituar tituj kolektivë dhe individualë. Por kënaqësia më e madhe e imja ka qenë aftësia për të punuar ditë për ditë, vit pas viti”.
“Dua t’i falënderoj për mbështetjen të gjitha klubet ku kam luajtur për vite të tëra, po ashtu edhe miqtë dhe familjen time, që më kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve. Gjithashtu, dua t’i falënderoj tifozët e të gjitha klubeve.
Ata kanë qenë të shkëlqyer”, ka thënë Nistelrooy në një konferencë për media.
Holandezi e filloi karrierën profesioniste me klubin Den Bosch (1993), ndërsa katër vite më vonë iu bashkua Heerenveenit. Një sezon më pas kaloi te PSV, ku bëri emër dhe pas tri sezoneve të suksesshme u transferua te Manchester Unitedi. Në Old Trafford, ai u bë figura kyçe duke shënuar 150 gola në 219 paraqitje zyrtare.
Në verën e vitit 2006, Nistelrooy kaloi te Real Madridi, klub me të cilin i fitoi dy tituj të La Ligas. Nga Santiago Bernabeu shkoi te Hamburgu ku qëndroi një sezon e gjysmë, ndërsa në fillim të sezonit 2011/2012 iu bashkua Malagas. /Telegrafi/