Fundamenti

Pensionohet mësimdhënësi i matematikës Ramadan Xhelili

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Është pensionuar njëri nga mësimdhënësit më të vjetër të matematikës në Gjilan dhe rrethinë, Ramadan Xhelili, i cili gati gjysmë shekulli ia kushtoi edukimit të brezave të rinj. Arsimtari Dan, siç e kanë quajtur nxënësit e tij, por edhe kolegët, karrierën e mësimdhënësit e kishte filluar që në moshë të re, edhe atë në vitin 1975 në vendlindjen e tij në Zarbincë, ku në këtë qendër arsimore kishte punuar gati për katër vjet rresht.

Meqë gjatë kësaj kohe të punës, në procesin mësimor, arsimtari Dan, në të njëjtën kohë kishte regjistruar shkollën e lartë pedagogjike në Gjakovë, drejtimi i Matematikës, ku e kishte përfunduar me sukses, madje me notë të lartë mesatare prej 9.50, diçka e rrallë, një fshatar nga Malësia e Bujanovcit, të jetë ndër më të mirët në Gjakovë. Po ashtu ai, ka qenë edhe kryetar i Lidhjes së Rinisë Studentore, në Gjakovë.

Pas diplomimit në afat rekord, arsimtari Dan punësohet në shkollën fillore Vuk Karaxhi, një nga shkollat më të vjetra të qytetit të Gjilani, si kuadër deficitar. I etshëm për punë, entuziast, i pa pritueshëm, ekspeditiv, serioz, profesional, me qëndrim dinjitoz, ai krahas shkollës fillore, për shtatë vite me radhë paralelisht punon edhe në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, duke kontribuar tejmase në këtë vatër të lartë të diturisë, meqë Dani, njihej si njohës i mirë i Matematikës.

UBT

Pas luftës, Dani vazhdon me punë tashmë në shkollën e njëjtë, por me emër tjetër “Thimi Mitko”, deri në ditën e pensionimit. Arsimtarin Dan, do ta mbajnë mend veçmas nxënësit e tij për profesionalizimin, njohjen, dijën e gjerë dhe të thellë të lëndës, qëndrimin parimor dhe vertikal, bukurshkrimin dhe estetikën në të shkruar dhe plotësuar administratën, i përpiktë në punë, me rregull dhe disiplinë, interpret dhe transmetues i mirë i lëndës, punëtor i palodhshëm, i përqendruar dhe i angazhuar me nxënës në gara të ndryshme të matematikës, ku siç dihet nxënësit e tij përherë kanë qenë në mesin e më të mirëve.

Dani asnjëherë nuk ka munguar në evenimentet e ndryshme të matematikës, duke qenë kontribuues edhe për mbarëvajtjen e këtyre eventeve. Arsimtari Dan, gjatë 45 viteve shërbim në arsim, ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke përcjellur, edukuar dhe arsimuar gjenerata të tëra. S’do mend se asnjë njeri nuk është i pazëvendësuar, mirëpo rrallë ndodh që në një shoqëri të ketë një mësimdhënës të tillë. Duhet kaluar shumë vite për të ardhur ndonjë si ai. Arsimtarit Dani ta gëzojë pensionimin bashkë me familjen e tij dhe të ketë shëndet të mirë në këtë kapitull tashmë të ri të jetës së tij! /fehmi sylejmani/rajonipress/